Mentaliteti refuzues i odës kufizon të drejtat e gruas

Edhe pse jemi në shekullin e ‘21, shumë vajza ende detyrohen të martohen me marrëveshje paraprake ose nuk gëzojnë të drejtën e shkollimit përtej shkollës fillore. Gratë e ndara nga burrat shikohen si «gra të këqija». Gëzimi i lindjes së djalit përjetohet ndryshe nga ai i lindjes së vajzës. Shumë gra detyrohen nga familjarët e tyre t’i qëndrojnë pranë burrit, siç thuhet, për hatër të fëmijëve, madje edhe kur ai vazhdimisht e keqtrajton atë. Kjo gjendje duhet të ndryshojë – në diasporë dhe në atdhe. Për këtë temë flet Zana Ramadani.

Foto: Shutterstock



Pa e pasur të vërtetuar në mënyre empirike fillimin e debatit mbi idetë, mendimet dhe teoritë e Zana Ramadanit, besoj se ky është ndër të parët në diasporën shqiptare në botën perëndimore. Dhe me kënaqësi të veçantë e cilësoj si shumë të duhur dhe të nevojshëm këtë debat. Ndoshta ajo që deklaron Zana Ramadani mund të interpretohet edhe si protagonizëm i tepruar. Kjo mund të jetë e qëndrueshme si teori. Ndoshta Zana Ramadani ka mllef personal dhe inate kundër familjes së saj, që e shtyjnë të përgjithësojë në mënyrë të qartë në teoritë dhe mendimet e saj.

Shqiptarët dhe të drejtat e gruas

Pa i marrë parasysh pretendimet dhe pohimet e Zana Ramadanit, gjendja aktuale e të drejtave dhe lirive të gruas në hapësirën shqiptare, por edhe tek shqiptarët e diasporës në Europë, lë shume për të dëshiruar. Ky konkluzion vjen natyrshëm dhe nuk ka mundësi të mohohet. Kjo padrejtësi ndaj gruas ka disa arsye. Ndër to dhe një nga më të rëndësishmet është fakti se shqiptarët nuk kanë një traditë të gjatë të arsimit dhe formimit. Shkollat e para shqipe në tokën shqiptare janë hapur përafërsisht para 100 viteve. Të gjithë popujt përreth nesh, dekada dhe shekuj më parë kishin përveç një sistem arsimor të mirëorganizuar dhe shkolla të larta dhe universitete, ku zhvilloheshin kërkime shkencore dhe ku konsolidohej dituria. Të gjithë ne i kemi parasysh tregimet e gjyshërve dhe ndoshta stërgjyshërve tanë, që me mall dhe eufori na shpalosnin mënyrat e formimit nëpër oda.

Status quo-ja e gruas shqiptare

Shqiptarët e diasporës për dallim prej atyre që jetojnë në atdhe kanë një avantazh shumë të madh: jetojnë në shoqëri të hapura, të mirëorganizuara dhe me barazi gjinore shumë më të theksuar se tek ne. Por ky avantazh na detyron gjithashtu të kontribuojmë në avancimin e të drejtave dhe lirive të gruas, si tek gratë tona në diasporë, por edhe në hapësirën shqiptare. Edhe pse jemi në shekullin e ‘21, shumë vajza ende detyrohen të martohen me marrëveshje paraprake. Shumë vajza ende nuk gëzojnë të drejtën e shkollimit përtej shkollës fillore. Gratë e ndara nga burrat e tyre shikohen edhe më tej si «gra të këqija». Dhuna që u bëhet grave arsyetohet me dhunën, që e kanë vuajtur edhe gratë më parë. Gëzimi i lindjes së djalit përjetohet ndryshe nga ai i lindjes së vajzës. Gratë tona nuk kanë mjaftueshëm qasje në trashëgiminë e prindërve të tyre. Shumë gra detyrohen nga familjarët e tyre t’i qëndrojnë pranë burrit, siç thuhet, për hatër të fëmijëve, madje edhe kur ai vazhdimisht e keqtrajton atë.

Këto fakte nuk mund të mohohen. Nuk mund të heshtet rreth këtyre gjërave, dhe të bëhet artificialisht sikur këto nuk ekzistojnë. Problemi i shoqërisë shqiptare në aspektin e të drejtave të gruas nuk buron vetëm nga maçot shqiptarë. Posaçërisht gra të gjeneratave më të moshuara e shohin si të duhur dhe normale dhunën që u behet. Gruaja shqiptare në historinë tonë si komb ka dhënë kontribut më shumë se jetik. Ne të gjithë ia kemi borxh asaj një barazi të vërtetë në shoqërinë tonë.