Mentaliteti i Zanzibarit dhunon sërish LDK-në

Partia dikur e Ibrahim Rugovës, e cila tani drejtohet nga figura të dezorientuara politike, sërish po dhunohet nga PDK. Pamëshirshëm. Krerëve të LDK-së nuk u ka mbetur as zë për të treguar për dhembjet e tyre.

Breshkë nga Zanzibari. Foto: Shutterstock



Të gjithë keni dëgjuar për Zanzibarin. Jo shtetin e Zanzibarit në Afrikë, por kafehanen në qendër të Prishtinës. Në vitin 2013 portali kallxo.com shkruante: «Dikur përdorej si kuzhinë e Odës Ekonomike, sipas zyrtarëve të këtij institucioni, por u uzurpua më 1999. Hapësira e bodrumit të ndërtesës katërkatëshe në qendër të Prishtinës u shndërrua në lokal të ndejave të natës të muzikës rok e jazz. Politika, më vonë, e bëri edhe më të famshëm. Përgjatë viteve, fillimisht Mustafë Mustafa e më vonë Remzi Mustafa ushtruan pushtet faktik në pronë të huaj. Oda Ekonomike kërkon largimin e uzurpuesve dhe bazohet në vendimin e gjyqit. Vëllezërit e anëtarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Agron Mustafës, nuk e përfillin vendimin që sipas tyre përmban gabime».

Se çfarë ka ndodhur ndërkohë me Zanzabarin, se a është apo jo ende fole e shërbimit sekret të PDK-së duket e parëndësishme. Mentaliteti i Zanzibarit është shtrirë gjerësisht nëpër Kosovë dhe Agron Mustafa, anëtari i PDK-së, është avancuar në detyrë: përkundër kundërshtimit të kryeministrit Isa Mustafa ai është zgjedhur shef i PTK-së, njërës prej ndërmarrjeve më profitabile në Kosovë. Para dy vitesh Isa Mustafa kishte shkruar në profilin e tij në Facebook: «Kam shumë reagime të arsyeshme lidhur me zgjedhjen e z. Agron Mustafa drejtor menaxhues të PTK-së. Riciklimet e njerëzve të njëjtë nga Aeroporti në PTK janë praktika të dëmshme për reformat që po i synojmë. Ky veprim vë në pyetje kredibilitetin e Bordit të PTK-së dhe objektivave të tij. (…) Do të kërkoj sqarime nga Bordi i PTK-së lidhur me kriteret e zbatuara për zgjedhje të tilla dhe për eliminim të kandidatëve tjerë». Jemi në vitin 2017 dhe Isa Mustafa, me sa duket, është pajtuar me emërimin e Agron Mustafës shef i PTK-së ose ende është duke pritur sqarime nga bordi.

Lidhja Demokratike e Kosovës është e traumatizuar nga fenomeni Zanzibar. Në mesnatën e 20 nëntorit 2009 zëvendëskryeministri i atëhershëm Hajredin Kuqi doli nga klubi i natës Zanzibar dhe tha pa një pa dy: koalicioni me LDK-në u prish! Në atë kohë të pakohë Kuqi si ushtar i devotshëm i nëntokës me dashakeqësi ia prishi gjumin homologut të tij nga LDK, Ramë Manajt (atëbotë Manaj ishte gjendur në fokus të mediave pasi kishte treguar se kishte ndërtuar shtëpi pa leje), për t’i dhënë kumtin se LDK tashmë ishte e padobishme. Atëbotë LDK nuk shihej më si e dobishme nga PDK, as nuk trajtohej si partner serioz politik. Ishte vetëm një patericë. Në vjeshtë të vitit 2010 u mbajtën zgjedhjet, të cilat PDK i vodhi me shkathtësi industriale dhe LDK, AAK, por edhe VV pranuan të hyjnë në atë parlament – ndoshta më të komprometuarin që ka pasur Kosova pas luftës.

Këto ditë mentaliteti i Zanzibarit sërish po e dhunon LDK-në. Intrigat nuk po zhvillohen më në Zanzibar, sepse mendësia e Zanzbarit është futur në Kuvend dhe në Presidencë, aty ku tani e quajnë veten kryetarë Kadri Veseli e Hashim Thaçi, kuptohet falë votave të LDK-së së Isa Mustafës. Dy të parët thanë se duan të themelojnë ushtri, i treti, si kryeministër, dikur e kuptoi se janë duke e dhunuar e talluar, andaj u zemërua dhe tha se ushtria s’mund të bëhet pa pëlqimin e NATO-s dhe SHBA-ve.

Të premten në mbrëmje LDK e mori vesh tamam arsyen përse është dhunuar qe disa ditë. Thaçi tha se e kishte ndërmend të jepte dorëheqje nëse parlamenti nuk e voton ligjin për themelimin e ushtrisë. Ai tha se një parlament që nuk e voton krijimin e ushtrisë duhet të shkojë në shtëpi. Gjërat tani janë të qarta: tërë loja me ushtri zhvillohet sipas skenarëve të Zanzibarit. Qëllimi: provokimi i zgjedhjeve parlamentare. Të cilat, natyrisht, dëshiron t’i shpall kryetari. Pyetja që do të shtrohet pas zgjedhjeve do të jetë kjo: a do të ketë LDK ende fuqi për të qenë në shërbim të dhunuesve të saj? Ndoshta. LDK është parti me shumë durim. Të gjithë keni dëgjuar për Zanzibarin…