Mentaliteti i faqes së bardhë

«Vajza ime nuk dëshiron të fitoni ju», i thotë Hillary Clintonit një adhuruese e saj, «sepse presidentja e parë grua e Amerikës do të bëhet vetë ajo!» Dhe, ajo është rreth dhjetë vjeç, qëndron pranë nënës së saj, e magjepsur nga kandidatja grua për kryetare të shtetit më të fuqishëm në botë. Por, kjo nuk e bën më pak të besueshëm pohimin. Amerikanët janë të drejtpërdrejtë si fëmijët, edhe në moshë të rritur. Mendësinë e tyre e karakterizon një ambicie dhe sinqeritet për t’u admiruar. Ambicia e Bill Clintonit, bashkëshortit të kandidates aktuale për presidente dhe për dy mandate kryetar i SHBA-ve, për t’u bërë kryetar i vendit, u përflak në një takim si nxënës me presidentin John F. Kennedy.

Edhe ky i fundit, që tani njihet si presidenti më simpatik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte rezultat i një ambicieje të shpallur hapur. Ishte babai i tij, një afarist dhe politikan me prejardhje irlandeze, që kishte arritur në kufijtë eprorë të ëndrrës amerikane, i cili digjej të bëhej kryetar i vendit. Duke qenë se ishte përfshirë në ca biznese të kontestuara, e dinte se do ta kishte të pamundur ta kalonte kandidaturën e tij në fronin e presidentit të SHBA-ve. Atëherë ai ishte investuar që këtë vend ta zinte patjetër njëri nga djemtë e tij. Motoja e tij gjithë kohën kishte qenë: Edhe i dyti të dalësh, je i humbur!

Mekanizmi i kësaj mendësie duket të jetë diçka esencialisht amerikane. Për ndriçimin e saj nuk mjaftojnë tezat e sociologut gjerman Max Weber lidhur me etikën protestante, e cila e katapultoi kapitalizmin në skenën e historisë, që në studimet e tij u referohet edhe vëzhgimeve të tij në Amerikë. Këtë e falsifikon fakti që sikur Kennedy, ashtu edhe Clinton, me rrënjët e tyre irlandeze e kanë një sfond katolik. Për ta relaksuar ligjëratën, në këtë kontekst po sjellim një shembull mysliman. Në thesarin e historive diplomatike qarkullon rrëfimi për takimin atëbotë të ministrit të Jashtëm të Pakistanit, Zulkifar Ali Buto, më vonë president, dhe babai i ish-kryeministres Benazir Buto, i varur nga shefi i tij i ushtrisë dhe themeluesi i talibanizmit, te presidenti Kenedy. Ali Buto ka pasur namin e një politikani karizmatik, me aparencë të spikatur dhe shumë i artikuluar. I impresionuar nga paraqitja e tij, presidenti Kenedy i lëshon një konsideratë jodiplomatike, në manir amerikan: «Të kishit qenë amerikan, do të ju merrja për këshilltar». Po kaq amerikanisht i përgjigjet politikani i regjur: «Të isha amerikan, do të isha unë president i Amerikës!»

Fundja, të njëjtat vlera puritane kapitaliste ngërthejnë edhe mentalitetet e shoqërive të tjera perëndimore, si ajo gjermane, megjithatë atyre u mungon ai akcenti që e dallon mendësinë amerikane. Një hulumtim më të thelluar të sekreteve të mentalitetit amerikan jep historiani francez Alexis de Tocqueville në kryeveprën e tij «Mbi demokracinë në Amerikë» dhe filozofi anglez John Stuart Mill në traktatin jo më pak të njohur «Mbi lirinë». Sidomos kjo e dyta e afirmon lirinë si një gjenerator të performansës së lavdëruar në planin kolektiv dhe atë individual. Dhe, më mirë se këta nuk mund ta themi.

Statusi i lirisë në shoqërinë amerikane është sfondi i këtij fiksimi, të cilin e prezantojnë shembujt që sollëm. Ajo e krijon hapësirën për të konkurruar për majat e prestigjit subjekte të paragjykuara, si zonja Clinton dhe presidenti me ngjyrë Obama, i cili i çoi peshë amerikanët me kushtrimin e tij që identifikonte mu vlerat që i karakterizojnë ata, energjinë, kreativitetin, iniciativën…: «Yes we can!». Ajo prodhon vetëdijen e të qenët i prerë për një detyrë, që në raste më pak frymëzuese si ai Xhorxh Bushit të Riut kap përmasa gati mistike si i dërguar për këtë sfidë.

Kjo mendësi e përshkuar nga ambicia është ekstremi tjetër i asaj që te ne, për t’u shërbyer me një shembull aktual, e quajnë «mallkimi i minutave të fundit». Një eufemizëm që dështimin e redukton në një ters, i cili i përjashton të tjerat dhe rezultatin ia përshkruan taksiratit. Një interpretim plauzibil i kësaj situate mund të ishte mungesa e besimit në mundësitë e tyre njerëzore, caktimi i qëllimeve minimaliste, nga rrjedh edhe mjaftimi me rezultate modeste. Ata sikur dështimin, ashtu edhe suksesin ia atribuojnë rastit. Keqkuptimi qëndron në faktin se këto arritje përjetohen si kulminacion i vërtetë. Gjithsesi në kulturën e Kombëtares, si një shoqëri në miniaturë, nuk shihen gjurmë të motos: Edhe i dyti të dalësh, je i humbur! Deviza e saj është: Të dalim me faqe të bardhë! Në kuptimin: Të mos koritemi. Nuk premton më shumë edhe motoja folklorike që këto ditë e shpalli Kombëtarja për kualifikimin në Kampionatin e ardhshëm Botëror: «Gegë e toskë bashkë në Moskë!»

Mënyra se si mund të instalohet kultura e ambicies në një shoqëri, pavarësisht gjithë këtyre alamet emrave të mëdhenj që u përmendën, nuk është e lehtë të licencohet. Druaj se ky është një proces më i vështirë nga ngritja e infrastrukturës materiale, e cila për elitat duket se përbën një sfidë më të frikshme: rrugët, aeroportet, sinjalistika, urbanizimi, motorizimi, digjitalizimi, kanalizimi, meremetimi… dhe shumë «…zim» të tjerë. Ajo që ndoshta mund të thuhet më me siguri është si të ndalohet shtrirja e mëtutjeshme e mendësisë së «faqes së bardhë». Një mesazh kontravers përcolli pritja pompoze e reprezentacionit të Kombëtares në aeroport, në Bashkinë e kryeqytetit, në Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Kryeministri. Ky protokoll i lartë, pas një diskualifikimi që në xhiron e parë të turneut, i zyrtarizon pritjet dhe ofertën e varfër të shqiptarëve në shumë rrafshe. Ndërkohë që nuk ka faqe të bardhë pa e ndarë mendjen për të dalë i pari.