Memorandumi dhe memecët

Si sot para 30 vjetësh Akademia serbe e Shkencave dhe Arteve botoi Memorandumin famëkeq i cili i hapi rrugë marshit nacionalist dhe gjakpirës të Beogradit në Kosovë. Në këtë përvjetor të errët s’foli asnjë politikan në Prishtinë, s’shkroi asnjë gazetë apo portal, heshtën edhe profesorët universitarë dhe ata që e mbajnë veten për shkencëtarë.

Më 24 shtator 1986 një gazetë e Beogradit botoi pjesë të një Memorandumi të Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve. Në të vërtetë, ky ishte një dokument që udhëzonte udhëheqjen politike të Serbisë të niste luftën për Serbinë e Madhe. Këtë Serbi e kishte fantazuar më vonë fashisti Vojislav Sheshel. Kufijtë perëndimorë të këtij shteti do të shtriheshin në vijën Karlobag-Ogulin-Karlovc-Viroviticë. Në lindje Serbia e Sheshelit do të shtrihej deri në Gjevgjeli të Maqedonisë, pra pak kilometra para Selanikut.

Memorandumi i inspiruar dhe në pjesën më të madhe edhe i shkruar nga shkrimtari kriminel Dobrica Qosiq dhe pseudoakademikë të tjerë serbë ishte një lloj hajmalie me të cilën Shesheli, Arkani, Jovica Stanishiqi, Sllobodan Millosheviqi dhe vartës të tjerë të tyre si Ratko Mlladiqi dhe Radovan Karagjiqi do të niseshin në betejën për krijimin e Serbisë së Madhe.

Lufta ishte planifikuar të shpërthente në Kosovë, andaj për këtë qëllim në fund të viteve ’80 nga Maqedonia në kazermën e Armatës Popullore të Jugosllavisë në Prishtinë ishte sjellë «për të shërbyer» Ratko Mlladiqi. Meqë kosovarët atëbotë kishin një udhëheqje të mençur politike, e cila refuzonte aventurat luftarake, gjenerali Mlladiq u dërgua në Knin të Kroacisë për të përkrahur kryengritjen e serbëve, pastaj mori urdhrin të shkojë në Bosnjë, ku do të fitonte namin famëkeq si kasap i myslimanëve të këtij vendi.

NATO vështirë do të kishte intervenuar në Kosovë kundër regjimit serb nëse shqiptarët do të kishin filluar ndonjë kryengritje me pushkë gjuetie, shigjeta dhe hobe që më 1989 apo më 1990, pra para sllovenëve, kroatëve, boshnjakëve. Merita historike e Lidhjes Demokratike të Kosovës është kjo: refuzoi konfliktin e armatosur me Serbinë në pritje të diskreditimit të palës serbe në vatrat e tjera të luftës – nga Vukovari e Sarajeva deri në Srebrenicë. Më 1995 Serbia ishte e diskredituar, por LDK nuk ishte në nivel të përgjegjësisë historike. Politika e Kosovës u reduktua në konferencat vajtimtare për shtyp të Ibrahim Rugovës, që mbaheshin çdo të premte, ato ishin xhumaja dhe avdesi politik i Kosovës – pa asnjë rezultat konkret.

Të gjitha këtyre ngjarje u parapriu Memorandumi i Akademisë serbe të Shkencave dhe Arteve, i cili u botua si sot para 30 vitesh dhe i hapi rrugë marshit nacionalist dhe gjakpirës të Beogradit në Kosovë dh gjetiu në Jugosllavi. Në këtë përvjetor të errët s’foli asnjë politikan në Prishtinë, s’shkroi asnjë gazetë apo portal, heshtën edhe profesorët universitarë dhe ata që e mbajnë veten për shkencëtarë. Shoqëri memecësh.

Natyrisht askush nuk po kërkon Memorandum shqiptar si kundërpërgjigje ndaj atij serb, por nga Dega e Historisë e Universitetit të Prishtinës, nga Instituti i Historisë, nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës mbase nuk është e tepërt të pritet një studim, një analizë, një reagim, një deklaratë, një proklamatë në këtë përvjetor.

Nëse nuk kemi shkencëtarë që do të ishin në gjendje të shkruajnë një tekst serioz për këtë përvjetor, atëherë ndoshta Ministria e Jashtme e Kosovës do të duhej të angazhonte ndonjë historian të huaj që do të shkruante një tekst të rëndësishëm dhe kritik ndaj dokumentit serb. Po të botohej në «New York Times» një koment i cili do të demaskonte Memorandumin, propagandën serbe dhe retorikën luftënxitëse që mori hov të ri më 1986, me siguri atë do ta lexonin jo pak diplomatë që këto ditë sillen vërdallë në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ndërsa Kosova i lëshon shanset nga dora, kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dikur njëfarë sekretari medial i Karagjiqit dhe Mlladiqit, nga foltorja e OKB-së në New York i përshkruan shqiptarët si miq të «Shtetit Islamik». Ndërkohë që Vuçiqi bën politikë me mite serbe dhe me shpifje antishqiptare, politikanët tanë sukseset e tyre (të paqena!) na i prezantojnë me fotografi në Facebook – «takova XY…», «takuam filanin…». Do të ishte në interes të publikut të mësojë sa kushtojnë këto parada të delegacioneve kosovare nëpër skena të dorës së tretë të politikës ndërkombëtare.