Melodia e lirisë

Diçka po ndryshon në vendin më konservator të botës, në Arabinë Saudite, kriza si pasojë e çmimit të naftës po e detyron Mbretin të ndërmarrë reforma. Para së gjithash gratë po përfitojnë nga realizmi i ri.

Grua arabe në timonin e veturës. Foto: Shutterstock



Burri me lahutë luan Beethovenin, «Ode lirisë», pasuar nga një pjesë e një kompozitori irakian. Burrat qëndrojnë pranë grave, dëgjojnë muzikë. Përse duhet të jetë kjo diçka e veçantë?

Burri me lahutë quhet Kalil al-Muvail, ai mban instrumentin e tij me plot tendosje, një natë më parë pothuaj nuk ka fjetur. Në të vërtetë ai punon si specialist i teknologjisë informative (IT) në një spital të madh në Riad, kryeqytetin e Arabisë Saudite, por pasioni i tij i takon «oudit», lahutës arabike, për të cilën fetarët thonë se kush i bie asaj ka edhe vese të tjera. Nëse një pjesëtar i policisë fetare zbulon një lahutar duke luajtur, ai ia shkatërron instrumentin. Kështu ka qenë këtu prej dekadash.

Për të mësuar të luajë instrumentin, për t’u bërë virtuoz, al-Muvaili me vite të tëra çdo dy javë ka shkuar në vendin fqinj, në Bahrejn, 500 kilometra deri atje, 500 kilometra kthim, për një orë të vetme mësim. Në Arabinë Saudite nuk gjeti mësues.

Por gjërat po ndryshojnë, edhe në vendin mbase më konservator të botës. Qeveria ia ka shkurtuar kompetencat policisë famëkeqe fetare. Mbi 3000 mbikëqyrës të moralit, të cilët terrorizonin gratë për shkak se përdornin kozmetikë, dhe burgosnin të pamartuarit nëse ecnin pranë njëri-tjetrit në rrugë, pothuaj nuk shihen. As gjatë kësaj mbrëmjeje, në çadrën e Cultural Center of Saudi Arabia, ku Kalil al-Muvaili jep koncertin e tij, i cili përfundon me duartrokitje frenetike.

Por çfarë domethënë kur Mbreti i Arabisë Saudite, mbrojtësi i vendeve të shenjta në Mekë dhe Medinë, i ndalë mbikëqyrësit e tij të frikshëm të moralit? Dhe përse po heshtin fundamentalistët në vend se të ankohen për rënien e normave morale?

Arsyetimi më i rëndësishëm është ky: Arabia Saudite me pasuri përrallore nuk ekziston më. Mbretëria gjendet në njërën prej krizave më të thella qëkur më 1938 për herë të parë nga burimet në jug të vendit gurgulloi naftë. Çmim i ulët i naftës ka përgjysmuar të ardhurat e vendit; më 2015 buxheti kishte deficit prej 90 miliardë euro. Vendi qe i shtyrë të marrë borxhe.

Një arsyetim tjetër është ky: Arabia Saudite ka qenë shtyllë e rendit në Lindjen e Afërt, i cili nuk ekziston më. Ky rend u shkatërrua nga Pranvera Arabe, luftërat në Irak, në Siri dhe në Jemen. Fuqitë e Mëdha po garojnë për pozitat e tyre në rajon, para së gjithash Irani dhe Arabia Saudite. Të gjitha këto po rrezikojnë stabilitetin e Mbretërisë.

Për fetarët tani bëhet fjalë për çështje më të rëndësishme se sa a janë thonjtë e lyer «haram». Madje edhe ndalesa që gratë të ngasin vetura së shpejti mund të hiqet. Sepse sfidat janë të jashtëzakonshme: a do t’ia dalë qeveria e Mbretit Salman të shmang recesionin dhe të zvogëlojë ndikimin nga nafta? A do ta fitojë Arabia Saudite luftën kundër xhihadistëve, të cilët vazhdimisht kryejnë sulme? Dhe, përkundër të gjithave, a do të mund të ruajë unitetin e brendshëm të shoqërisë?

Papritmas edhe publikisht po shtrohen pyetje, të cilat deri para pak kohësh askush nuk merrte guxim t’i formulonte: përse një klerik i lartë përhap budallallëkun se nëse gratë ngasin veturën, do të jenë të paafta për të lindur? Përse jemi të përzier në luftën e shtrenjtë dhe të tmerrshme në Jemen, ku deri më tani kanë vdekur rreth 10 mijë civilë dhe janë dëbuar tre milionë njerëz? A është punë e mençur të shiten pjesë të koncernit shtetëror të naftës Saudi Aramco apo mund të gjendet një rrugë tjetër nga mjerimi financiar?

Përse – kjo fjalë deri më tani nuk ka ekzistuar në debatin publik. Tani befas përmendet gjithkund, sepse duket që kriza ekonomike po e detyron vendin të kalojë nëpër një lloj iluminizmi të vonshëm. Gjithçka po negociohet rishtas, po bëhet fjalë për shpërndarjen e parave dhe të mirave, por edhe për çështjen se kush do t’i shijojë liritë e reja dhe privilegjet e vjetra. Shkurt, kontrata e deritanishme sociale që ofronte mirëqenie me kusht të nënshtrimit është vënë në dyshim.

Pakti të cilin vahabinjtë sunitë e kanë lidhur para 250 vitesh me dinastinë e sauditëve, ka qenë përherë një përfitim i dyanshëm. Sauditët sundonin vendin dhe të ardhurat nga nafta, fetarët sundonin kokat dhe zemrat. Por tani përnjëherë po përplasen me njëra-tjetrën kriza ekonomike, pasiguria politike dhe thyerjet sociale – dhe vahabizmi radikal si fe shtetërore s’ka çfarë të bëjë kundër kësaj. Ai nuk duket më bashkëkohor, ngushtësia fetare nuk lë hapësirë për ëndrrat e të rinjve arabo-sauditë; sidoqoftë, tre prej katër qytetarëve të vendit janë nën moshën 30-vjeçare.

Edhe sjellja ndaj muzikës i përket çështjeve të cilat duhet të negociohen rishtas. Kështu qeveria ka themeluar një zyrë të veçantë, e cila organizon koncerte dhe duhet të ndërtojë kinema, të cilat deri më tani në Arabinë Saudite kanë qenë faktikisht të ndaluara. Kjo është një përpjekje që edhe gjatë thyerjeve sociale të ruhet kontrolli. Ndërkohë muzika dëgjohet gjithkund. Në taksi të shërbimit Uber dëgjohet top-lista nga Kuvajti dhe në studiot e fitnesit në Riad gratë ushtrojnë barkun, këmbët dhe prapanicën duke dëgjuar versionin pop të «Papa was a Rollin’ Stone».

Muzikanti Kalil al-Muvail është 42-vjeçar. Kjo nuk është moshë aq e re, por as moshë e shtyrë. Edhe ai ka një ëndërr: ai dëshiron që Arabisë Saudite t’ia bëjë të njohur magjinë e muzikës. «Universi ynë muzikën e ka marrë nga zoti», thotë al-Muvail. Ai ka dëshirë të themelojë një institut të muzikës. Kur kërkoi licencën te zyra përkatëse ai garantoi se do t’u jepte mësim vetëm nxënësve të moralshëm; ai kishte lavdëruar forcën shëruese të melodive. Por kërkesa e tij u refuzua. Si arsyetim u përmend se përhapja e muzikës të shmang nga rruga e drejtë e profetit.

Al-Muvail, i cili i takon pakicës shiite, i dërgoi një letër klerikut shiit në Naxhaf të Irakut, Ajatollah Ali al-Sistanit. A është muzika ves, a është haram t’i biesh «oudit», lahutës arabe? Dijetari u përgjigj se muzika është e lejuar, nëse nuk përdoret për qëllime të njollosjes së zotit. Al-Muvail ia tregoi shkresën zyrës përkatëse, por ajo këmbënguli në refuzimin e saj.

Nuk është përherë gjithçka e logjikshme çfarë po ndodh në Arabinë Saudite, vazhdimisht modernizuesit dhe konservatorët shtyhen me bërryla, njëherë fiton njëra palë, herën tjetër pala e kundërt. Por ndërkohë të rinjtë arabo-sauditë po i testojnë edhe më shumë liritë e tyre.

«Nuk dua të më ndalin policia nëse dalë të shëtis me të dashurën time», thotë Farhad, një fotograf, 26-vjeçar. Bashkë me disa miq ai ka ardhur në Wmdah ArtSpace në veri të Riadit, një galeri e re e artit mes tokës së lënë shkretë dhe mureve me beton. Këta burra duan të mësojnë t’i bien kitarës, një kërkesë ekzotike në Arabinë Saudite. «Deri më tani këtu nuk kemi pasur jetë normale», thotë Abdullahu, një ekspert marketingu 29-vjeçar. «Tani së paku po na lënë të marrim frymë».

Kur të rinjtë arabo-sauditë flasin për politikë, bisedat e tyre sillen rreth këtij njeriu: Princit Mohamed Bin Salam. Ai nuk është më i moshuar se ata, tek 31-vjeçar, portreti i tij shihet në shtylla betoni të autostradave dhe mureve të godinave, ai qëndron drejtpërdrejtë pranë babait të tij, Mbretit Salman, po aq i madh sa në jetën e vërtetë.

Pushteti i Princit është i jashtëzakonshëm, ai de fakto është sundues i vendit. Ai është ministër i Mbrojtjes dhe tashmë dy vjet me një aleancë të vendeve sunite udhëheq luftën shkatërrimtare në Jemen me qëllim të luftimit të kryengritësve shiitë huthi, të cilët përkrahen nga Irani. Ai gjithashtu është Zëvendësprinc i Kurorës dhe nismëtar i programit të reformave «Vizion 2030», i cili parasheh ndryshime thelbësore në të gjitha fushat e shoqërisë, nga infrastruktura deri te ekonomia dhe kultura.

Princi po e ndryshon Mbretërinë dhe disa thonë se vetëm një njeri aq i ri si ai, pa skrupuj, pa lidhje me të kaluarën, mund të bëjë atë që është e nevojshme në Arabinë Saudite. Ai është i shtyrë t’ua marrë privilegjet aleatëve, të cilat ata i konsideronin se i kanë të sigurta dhe të vë në dyshim çështje që dukeshin të palëkundshme. Arabia Saudite aktualisht po përjeton efektet e para të këtij ndryshimi.

Gati gjithçka që në Perëndim konsiderohet normale, në këtë Mbretëri është e ndaluar. Çiftet e pamartuara nuk guxojnë të qëndrojnë në një hapësirë bashkë me gra të moshës së re; ndarja e gjinive është radikale. Nga ana tjetër për qytetarët e Arabisë Saudite shumë privilegje kanë qenë të vetëkuptueshme. Për herë të parë ata tani po e paguajnë ujin që e përdorin privatisht, ata po marrin fatura realiste të rrymës. Së shpejti shteti do të ngre tatime dhe së fundi në administratën publike rrogat nuk paguhen sipas qëndrimit në punë, por sipas punës së kryer.

«Të vish në orën 10 në zyrë, të hash me nge drekë, pastaj të lutesh dhe në orën 14 të shkosh në shtëpi, kjo s’funksionon më», thotë një menaxher perëndimor, i cili prej shumë vitesh jeton në këtë vend.

Por sa i vështirë është ndryshimi shihet aty se Shtëpia Mbretërore sërish i ka tërhequr një pjesë të shkurtimeve. Sepse pakënaqësia e zyrtarëve të shtetit ishte e madhe, rrogat e disave u shkurtuan për një të tretën, ndërsa Shtëpia Mbretërore ende përkundet në luks.

Për shumë nënshtetas të tij Mbretëria për një kohë të gjatë ka qenë një zonë e mbrojtur. Monarku kërkonte dëgjueshmëri, por kujdesej për njerëzit e tij. Kohërat e reja kërkojnë befas punë autonome, një cilësi që nuk i përshtatet këtij sistemi absolutist. Atëherë si do të funksionojë ky transformim aq i thellë i shoqërisë brenda një kohe të shkurtër? Dhe para së gjithash: Ku do të marrë fund?

«Sa i përket muzikës mund të flasim. Por është e ndaluar që gratë të këndojnë para burrave, sepse burrat nuk do të dëgjonin më zërin e tyre, por do të shikonin trupin e tyre», thotë Musaed al-Muhaja nga Universiteti Islamik, profesor për media të reja, por një njeri i gardës së vjetër. Ai është ndër të paktit nga konservatorët që është i gatshëm të flasë publikisht për ndryshimet e reja.

Sepse nuk do të ishte punë e mençur të kritikohej «Vizioni 2030» i Princit. Madje edhe vetë Kryemyftiu thotë pak fjalë për këtë, po ashtu shefi i policisë fetare Mutava, emri zyrtar i së cilës është «Autoriteti për përhapjen e virtytshmërisë dhe pengimit të veseve». Autori i njohur Tirad al-Omari mori guxim në fillim të vitit dhe shprehu mosbesim ndaj «Vizionit 2030». Ai tha se kishe frikë nga aq shumë ndryshime, nga harxhimet e mëdha, nga lufta në Jemen, e cila kushtonte aq shumë dhe ua merrte jetën aq shumë njerëzve. Që nga atëherë thuhet se Omari gjendet në arrest shtëpiak. Madje edhe predikuese tejet konservator Saad al-Barik u ftua në ministrinë e Brendshme, pasi e kishte përkrahur një koleg të arrestuar, i cili kishte kritikuar koncertet e planifikuara nga Princi Mohamed. Me pesë milionë ndjekës Braik është yll në mesin e fundamentalistëve që shkruajnë në Twitter. Por kohërat janë bërë të pakalkulueshme, edhe për ata që përbëjnë shtyllat e establishmentit fetar. Braik nuk është duke shkruar më në Twitter.

Ndoshta ky është mësimi më i habitshëm këto ditë në Riad: politika e mban fort në grusht establishmentin fetar. Dhe jo e kundërta, siç dukej deri më tani. Regjentët i lejojnë sheikët radikalë të flasin kur ju duket e dobishme – dhe i detyrojnë të heshtin nëse këtë e kërkon situata.

«Unë jam buldozer dhe do ta heq çdokënd nga rruga, i cili refuzon të angazhohet», citohet të ketë thënë Princi Mohamed para shefave të televizioneve dhe përfaqësuesve të mediave, kur prezantoi «Vizionin 2030». Se a është kjo një thashetheme apo citat i vërtetë, kjo pothuaj s’luan rol. Askush nuk guxon të vë në dyshim publikisht projektin përparimtar mbretëror.

Kurrsesi nuk kanë filluar kohëra liberale. Shumë aktivistë politikë – islamikë dhe të tillë me orientim demokratik – gjende në burg; më 2016 u është hequr koka me shpatë 154 njerëzve.

Por fitimtaret e ndryshimit që po fillon janë gratë. Ato tani drejtojnë banka dhe qendra për hulumtimin e kancerit, ato janë analiste tregu, menaxhere dyqanesh, kryeredaktore, top-modele. «Jo se na vlerësojnë, por u duhen paratë tona», thotë një blogere, e cila është e frustruar se vetëm gjendja e rëndë i ka detyruar sundimtarët të ndërrojnë mendje. Tani gratë duhet të punojnë për të kompensuar të ardhurat në rënie të burrave. Ndalesa që gratë të ngasin vetura mund të hiqet së shpejti para së gjithash edhe për shkak se rrogat për shoferë po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë.

Lena al-Hajdari është 26-vjeçare, bankiere investimesh, masterin e saj e ka kryer në Londër. Ajo jeton me babanë e saj dhe tri motra në një shtëpi, prindërit janë të divorcuar. Ishte babai ai që përkrahu emancipimin e bijave të tij, duke i dërguar në botën e jashtme për të studiuar, pa një burrë mbikëqyrës – një vendim që hasi në kundërshtimin e ashpër të pjesës tjetër të familjes.

Për Hajdarin tani është e vetëkuptueshme që ajo të fitojë vetë paranë, të realizojë planet profesionale, të zgjedh vetë bashkëshortin. Flokët e zeza asaj i bien lehtë mbi fytyrën e hollë, në kyçin e dorës bart një byzylyk në të cilin shkruan: «Unë jam rojtarja e vetvetes». Fjalia lë të kuptohet se gratë në Arabinë Saudite trajtohen si fëmijët. Pa marrë parasysh a angazhohen të punojnë në një firmë, a udhëtojnë apo duan të zmadhojnë gjinjtë, asgjë nga kjo nuk është e mundshme pa lejen me shkrim të burrit, vëllait apo babait.

«Por gjenerata e re nuk po pyet më për leje», thotë Madeha Alajrush. Kjo feministe është 62-vjeçare, më 1999 ajo ka qenë shoferja e parë në rrugët e Arabisë Saudite. Ajo u arrestua, si shumë të tjera pas saj. Ani Alajrush punon si psikoanalistja e vetme e Mbretërisë. «Vendi është pjekur për ndryshime», thotë ajo. Ajo thotë se fundamentalistët kanë dështuar, ata, sipas saj, «kanë investuar vetëm në pushtetin e tyre dhe jo në kredibilitet».

Si e re Alajrushi ka jetuar në New York, babai i saj ka qenë diplomat. Ajo është shkolluar si psikoanaliste në Perëndim. Pasi u kthye në Arabinë Saudite ajo fillimisht trajtoi gratë me të meta bipolare apo shizoferni. Por në tri vitet e fundit te ajo vijnë gra të reja, të cilat kanë rrogat e tyre dhe mund të paguajnë një konsultë mjekësore. Ato duan vetëm të flasin për ngushtësinë dhe kufizimet që përjetojnë në jetën e tyre, sepse aty shohin një ndërlidhje me problemet e tyre shëndetësore. Për shembull nënçmimi mund të shkaktojë depresione dhe se zhvillimi i personalitetit ka të bëjë me lirinë e jashtme.

«Është duke u zhvilluar një ndryshim dramatik, kultura e këtushme për gjeneratën e re nuk është më vendimtare», thotë Alajrushi. Interneti dhe udhëtimet në botën e jashtme kanë tejkaluar izolimin prej disa dekadash. Tani shoqëria arabo-saudite është e «gatshme të kërcejë». Vendi gjendet në fillim të një diskutimi shoqëror, nga i cili nuk është e qartë në çfarë drejtimi do të shkojë. Të gjitha grupet, burra dhe gra, pleq e të rinj, fundamentalistë dhe liberalë, besojnë se e kanë pas vetes shumicën. Ndoshta kjo nuk është aq e befasishme në një vend, i cili nuk njeh anketa publike dhe ku familjet jetojnë vetëm.

Tek së fundi në perëndim të Riadit u hap Parku Buxhairi. Në këtë hapësirë të gjelbër burrat dhe gratë po shëtisin së bashku, po organizojnë piknikë, po rrinë në kafehane, po mbajnë dorën e njëri-tjetrit. Kjo është spektakulare. Këtu deri më tani nuk ka pasur jetë publike.

Përnjëherë të rinjtë arabo-sauditë në Riad po përjetojnë atë që e njihnin vetëm nga interneti. Në të vërtetë ende shumë gra mbulojnë fytyrën kur në shtëpi në televizion shfaqet një burrë. Por tani në Riad funksionon aplikacionit Tinder për të lënë takime; çiftet e pamartuara ndajnë banesat me qira, të cilat i shfrytëzojë si fole për dashuri. Në rrugën Tahlija në Riad, ku hotelet dhe restorantet qëndrojnë njëra pas tjetrës, burrat dhe gratë kërkojnë kontakt, vjedhurazi, por gjithnjë e më pak fshehurazi.

Ekzistojnë tani të dyja, linja e ashpër, e cila nuk lejon devijime, por edhe hapësirat e reja të lirisë.

Në mbrëmje lahutari al-Muvail kërkon në një librari shkrime të Aristotelit dhe Platonit, ai do të dijë se çka kanë për të thënë ata për muzikën. Në fakt në Arabinë Saudite edhe filozofia është e ndaluar, por edhe për këtë tani mund të diskutohet. Në vitrinën me bestsellerë, lart në vendin e parë, prej javësh gjendet «Arti i mendimit të qartë» të Rolf Dobellit. Al-Muvail e vendos librin në shportë dhe shkon te arka.