Melihate Ajetin, primadona e pazëvendësueshme e periudhës së artë të teatrit

«Me lojën e lirë e spontane, bashkë me pamjen e vet të bukur dhe skenike, paralajmëron talentin dhe pasurinë e vet të madhe, të brendshme...», shkruante kritiku Vehap Shita në «Jetën e Re» më 1952.




Skenën teatrore të viteve ‘50 po e pushtonte një aktore 16-vjeçare dhe paralajmërimi i Shitës tashmë të ndjerë doli i saktë, ani pse ajo vetëm sa kishte nisur rrugëtimin të cilin e finalizoi me fiks 160 role të listuara në biografinë e saj.

Po të ishte gjallë, aktorja Melihate Ajeti sot (e premte) do t’i mbushte 80 vjet. Primadona e skenës shqiptare, e cila mbahet mend sidomos për rolet e heroinave, në pesë dekada karrierë artistike, ka lënë gjurmë të pashlyeshme me rolet e saj në teatër, film, dramë televizive e seriale filmike.

Në kujtimet e kolegëve ajo mbetet e pazëvendësueshme edhe sot, shkruan sot «Koha Ditore».
E lindur më 1935, Melihate Ajeti luajti në «Zullumqari», «Vajza pa pajë», «Zonja me kamelie», «Besa», «Sikur t’isha djalë», «Halili e Hajrija» e të tjera, të cilat edhe tash konsiderohen si shfaqjet teatrore të periudhës së artë të skenës teatrore shqiptare. «Uka i Bjeshkëve të Nemuna», «Buka», «Etja», «Trimi», «Kur pranvera vonohet» janë disa prej filmave që ende mbahen në mend për rolet e saj. Ajeti, e cila vdiq në ditën e 26 marsit të vitit 2005, ishte nderuar me shumë çmime, ndër të cilët «Shpërblimi i dhjetorit» më 1963, «Shpërblimi i Shoqatës së Artistëve të Jugosllavisë» më 1971 e «Çmimi më i lartë i punës» më 1976.

«Deri tash është e pazëvendësueshme», thotë aktorja Leze Qena, teksa ndan disa kujtime nga mikja e bashkëpunëtorja e saj e vjetër.
Melin, siç e quanin miqtë, Qena e kujton si aktore të shkëlqyeshme, e cila është dalluar sidomos në një zhanër.
«Heroinat i ka luajtur shkëlqyeshëm. Erveheja ishte më e përsosura dhe që ndoshta ajo e ka dashur më së shumti atë rol. Edhe pse ajo ka pasur shumë role kryesore, Ervehenë e veçojnë të gjithë dhe e mbajnë mend edhe shikuesit», ka thënë Qena.

Në «Rilindjen» e vitit 1973, kritiku Vehap Shita shkruante se Ajeti ishte e lindur për rolet tragjike, që i luante me plot ndjenja lirike, krenari e dinjitet, që pasqyrohej në qëndrimin e të folurën e saj, me kthjelltësinë e mprehtësinë e shikimit të saj, në ashpërsinë e shprehjes, por edhe me antonimet më të holla senstitive-lirike. Ndërsa në një kritikë të publikuar në «Jeta e Re» më 1963, ai komenton rolin e Margarita Gotie, në romanin e dramatizuar të Aleksandër Dymas, «Zonja me kameliet».

«Në saje të përjetimit intensiv të fatit tragjik të femrës fizikisht të dobët por moralisht te qëndrueshme, romantiko-lirike, Margarita Gotie nga ana e artistes sonë Melihate Ajeti dhe udhëheqjes inventive të regjisorit Muharrem Qena, arritëm të ndienim tërë bukurinë e këtij teksti. Loja dhe rrëfimet e nuancuara të Melihates i kalonin kufijtë e përjetimit artistik. Rol jetik i Melihate Ajetit», shkruante Shita më 1963, në «Jeta e Re».

Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se Ajeti me veprën e saj e kishte pasuruar periudhën kur shoqëria në mënyrë serioze preokupohej me artin skenik dhe kur artisti ka pasur një trajtim më dinjitoz. Këto, sipas tij, nuk i ka brezi i sotëm i aktorëve.

«Brezi i Melihate Ajetit ishte kur shoqëria kujdesej t’i trajtonte artistët në mënyrën më të dinjitetshme, i strehonte, u siguronte mirëqenie sociale dhe preokupimi i vetëm i tyre ishte të punonin sa më mirë që ishte e mundur», ka thënë Hysaj, duke shtuar se asokohe aktoret ishin më të pakta në numër për shkak të mentalitetit patriarkal.

«Rolet e Melihate Ajetit, kryesisht ato të parat në skenë, kanë shënuar një epokë me vlerë në Teatrin e atëhershëm Krahinor. Do të dalloja dy role të saj, Ervehenë dhe Plakën Nicë në ‘Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’», ka thënë ai.
Hysaj ka bërë një përmbledhje të vetive që i bien ndërmend kur përmendet emri i Melihate Ajetit.

«E ka pasur një ekspresion të brendshëm. Ka pasur një dashuri të veçantë për punën e vet në skenë. Një karizmë. Po ashtu një ambient shumë të dashur e të favorshëm për të. Ka qenë një aktore, e cila ka pasur fat në çdo fazë të jetës dhe e ka marrë atë që e ka merituar», ka shtuar ai.

Hysaj kujton se e ka takuar shpesh Ajetin, të cilën e kujton si njeri të dashur e të përzemërt. Pa të, thotë ai, as nuk mund të paramendohet periudha më e ndritshme e zhvillimit teatror në Kosovë.

«Mendoj se periudha e viteve ’60, ’70, që ka qenë më e ndritshmja e Teatrit në Kosovë, nuk mund të trajtohet pa emrin e saj. Deshëm apo jo, ata janë protagonistë të asaj epoke dhe nuk tejkalohen nga kushdo qoftë», ka thënë ai.

Më 26 mars të këtij viti, kur Melihate Ajeti mbushi dhjet vjet prejse vdiq, më 26 mars 2005, nuk u bë asnjë organizim në përkujtim të dekadës së parë pa të. Së paku jo nga institucionet. Në një shkrim gazeta kishte përmendur që kafenë e fundit në institucionin ku kishte nisur aktrimin si 16- vjeçare, Melihate Ajeti e kishte pirë një javë para se të ndërronte jetë. Kishte qenë Ahmet Brahimaj ai që pas një takimi me të para TKK-së e kishte ftuar që të hynte brenda.

Gazetarja e muzikantja Antigona Qena-Kaçaniku, e bija e aktores, thotë se e ëma ka pasur një krijimtari të jashtëzakonshme dhe se realizimet e saj artistike janë shpërblyer jo vetëm me duartrokitje frenetike nga publiku që e admironte, por edhe me shpërblime të shumta, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

«Dhe me siguri që historia e koha do t’i vendosin një ditë krijuesit tanë, që i kishim me vlera të vërteta, në piedestalet e tyre për t’i bërë nder kombit», ka thënë Qena-Kaçaniku.
Ajo ka një vit që është duke punuar në një monografi, të cilën e kishte pasur në plan ta publikonte në ditëlindjen e 80-të të Melit.
«Por është një punë shumë voluminoze. Kërkon angazhim e përkushtim të madh dhe unë vërtet dua që të dalë ashtu siç Meli e meriton dhe siç edhe ajo kishte pasur dëshirë të dukej. Prandaj dhe nuk po e bëj me nguti, e as që po caktoj datë.

Në monografi do të jenë të gjitha kritikat teatrale, që i mori ndër vite për rolet e saj e që i ruajti me shumë kujdes, intervistat e shumta, kujtimet e mendimet e kolegëve, fotografitë nga shfaqjet e ato private, e shumë e shumë gjëra të tjera interesante nga krijimtaria e jeta e saj», ka thënë Qena-Kaçaniku. Kjo është punë që, sipas saj, kërkon shumë energji, sidomos kur realizohet nga një gazetare që ka qëlluar të jetë e bija e vetme e Melit.

«Çdo fotografi, çdo shkrim, çdo shfaqje, zgjon kujtime dhe ndjenja të përziera dashurie, admirimi e krenarie, por edhe keqardhjeje për padrejtësitë, paragjykimet e neglizhencën e institucioneve kulturore», ka thënë Qena-Kaçaniku. Të ëmën e quan shumë të posaçme, në çdo pikëpamje, jashtëzakonisht të talentuar, shumë të bukur, të ndjeshme deri në dhembje.

«Shpirtrat e tillë nuk lindin aq shpesh dhe natyrisht që është e pazëvendësueshme, kemi dhe me siguri do të kemi aktore të mira, por Melihate Ajeti do të mbetet emblemë brilante e artit skenik», përfundon ajo.