Mëkatet dhe shansi i madh i Isa Mustafës

Kryetari i LDK-së duhet të lërë anash inatet dhe të lexojë si duhet mesazhin e votës së 11 qershorit: një koalicion mes njerëzve të emancipuar politikisht të LDK-së dhe të Lëvizjes Vetëvendosje mund t’i jap fund sundimit arbitrar të PDK-së dhe satelitëve të saj parapolitikë.

Foto: Shutterstock



Shumë njerëz, vendorë dhe diplomatë të huaj, i ka befasuar rezultati i zgjedhjeve të fundit nacionale në Kosovë. Në një vend ku tërë shtetin dhe resurset e tij i ka zaptuar një grup grabitësish të veshur me funksione shtetërore, mund të blesh lirë edhe votën e lirë. Edhe kësaj here rrjeti i gjerë i klientëve që e kanë krijuar «komandantët», do t’ju sigurojë më shumë vota se sa që morën. Investuan shuma marramendëse parash në fushatën parazgjedhore. E shfrytëzuan shtetin dhe financat e tij për qëllimet e tyre. Provuan edhe njëherë t’i mashtrojnë, hutojnë dhe frikësojnë zgjedhësit. Për fat të mirë e tërë kjo makineri nuk kreu punë. Ky ishte një lajm shumë i mirë për popullin dhe demokracinë e Kosovës. Si duket ka ndodhur një evoluim emancipues, i cili ua ka dridhur dheun nën këmbë keqpërdoruesve, matrapazëve dhe të dyshuarve për krime të rënda.

Koalicionit PAN po i mungojnë dy vota për ta krijuar një qeveri të varur nga kryetari serb. I nominuari për kryeministër nga radhët e koalicionit të natës, Ramush Haradinaj, po takohet me persona me dosje të trasha kriminale, serbë dhe shqiptarë, për ta mundësuar krijimin e qeverisë. Me veprimet e tyre të fundit këta «komandantë» po e tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Ata nuk e kanë hallin e popullit dhe të Kosovës, por vetëm të vetin personal. Ata kanë në plan t’i  plaçkitin, shesin dhe shkatërrojnë edhe ato pak resurse shtetërore që ende nuk i kanë kapur.

Këta nuk kanë kufij dhe ndërgjegje, ngase Kosovën e konsiderojnë si plaçkë të tyre dhe, rrjedhimisht, mund të bëjnë ç’të duan me të dhe qytetarët e saj. Kjo sjellje nuk është e befasishme. Një gjë e tillë është pritur prej tyre. E mira e këtij zhvillimi është se ata me këto pazare po e humbasin edhe një pjesë të zgjedhësve dhe klientëve.

Është e vetëkuptueshme që soji i tyre nuk e lëshon pushtetin vullnetarisht. Pyetja është se a po bëhet maksimumi për t’ua marrë pushtetin, që në bazë të rezultatit zgjedhor nuk u takon. Përgjigjja është për momentin një jo e madhe. Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK e kanë ende një mundësi të madhe për ta bërë një ndryshim rrënjësor në mënyrën e qeverisjes. Përkundër apeleve nga ana e VV dhe personaliteteve të ndryshme për të bërë një koalicion paszgjedhor, LDK nuk po tregon interesim serioz për një gjë të tillë. Si duket hatret e Isa Mustafës nuk po e lënë atë për të kapërcyer mbi hijen e vet. Sjellja e tij dhe e një pjese të LDK-së nuk është aspak adekuate me situatën në të cilën ndodhet vendi. Paradoksi i kësaj sjellje është që politikanëve (në të vërtetë biznesmenëve) si çifti i Behgjet Pacollit po u krijohet mundësia të profilizohen si gjoja «patriotë të vërtetë».

Po të analizohet karriera politike e Isa Mustafës deri më tani mund të konstatohet që ky person i ka borxhe të mëdha vendit. Prej shërbyesit të zellshëm të sistemit komunist u zgjodh ministër i financave në qeverinë në ekzil të Bujar Bukoshit. Shumë pyetje ka publiku për punën e tij në këtë kohë, por përgjigjet mungojnë. Gjatë kohës kur ai ishte kryetar i Prishtinës dyshohet se u bënë keqpërdorime të ndryshme korruptive për të cilat asnjëherë nuk është përgjigjur. Një prej dëmeve  të mëdha që ky person ia ka bërë Kosovës është mundësimi i zgjedhjes së Hashim Thaçit kryetar i Kosovës. Ky i ashtuquajtur kryetar dyshohet për korrupsion të lartë dhe krime të rënda. Për një shtet të ri si Kosova është shërbimi më i keq i mundshëm që ka mundur t’i bëhet me zgjedhjen e tij kryetar.

Pak ditë para se të lidhej koalicioni në mes PDK-së dhe LDK-së, Isa Mustafa e quante PDK-në të korruptuar, kriminale dhe e akuzonte për vrasje të qytetarëve të pafajshëm të Kosovës dhe thoshte se në asnjë mënyrë nuk do të bënte koalicion me këtë parti. Brenda natës «ndërroi» mendje dhe zuri vend në prehrin e tyre. Si duket mundësia që të bëhej kryeministër i vendit ishte shumë më joshëse se sa premtimet që u kishte bërë zgjedhësve të tij.

Mesazhi i zgjedhjeve të fundit është i qartë. Votuesit ia dhanë besimin Vetëvendosjes dhe krahut të emancipuar të LDK-së. Bashkëmendimtarë dhe bashkëveprues të ngushtë të Isa Mustafës ose nuk u zgjodhën fare ose morën pak vota. Po ta respektonte logjikën e përfaqësimit demokratik Isa Mustafa do të sillej më ndryshe. Bllokimi i procesit të përafrimit me Vetëvendosjen është sjellje egoiste, inati dhe për situatën në të cilën ndodhet vendi destruktive. Po të ishte aq parimor Mustafa kurrë nuk do të bënte koalicion me PDK-në. Por meqë tani janë shterur mundësitë për postin e kryeministrit për të, natyrisht që i ka zbuluar disa «parime» (në fakt inate) të cilave dëshiron t’u «përmbahet».

Vendi ynë ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm në mes kthimit prapa dhe përparimit. Krijimi sërish i qeverisë prej njerëzve me mentalitet bandistesk, me dosje të trasha të dyshimeve për krime të rënda si dhe në koalicion me vartësit e presidentit serb, do të ishte një turp i madh dhe do t’i shkaktonte dëm të madh vendit. Si në kuptimin ekonomik e politik ashtu dhe në përkeqësimin e imazhit të Kosovës në botë. Duhet të përdoren të gjitha mekanizmat e mundshëm demokratik për ta larguar këtë bandë nga pushteti. Isa Mustafa e ka një shans të veçantë ta përfundojë karrierën politike me një shërbim pozitiv për vendin. Po ashtu intelektualët, gazetarët dhe shoqëria civile duhet të angazhohen me zemër dhe mendje, ngase e ardhmja e vendit dhe e fëmijëve tanë është në pyetje. Sjellja oportuniste në këtë moment kyç është e papërgjegjshme. Procesi i tkurrjes së partive të «komandantëve» deri në margjinalizim është i pashmangshëm. Me angazhim, atdhedashuri të vërtetë dhe mençuri ky proces i domosdoshëm për Kosovën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj mund dhe duhet të shpejtohet. Shumë kemi sakrifikuar, vuajtur dhe investuar për ta parë të lirë vendin tonë. Nuk guxojmë t’ua dorëzojmë kaq lehtë matrapazëve dhe kriminelëve.