«Mein Kampf» i Hitlerit po shitet flakë në Gjermani

Editori gjerman i një botimi special me shënime shpjeguese të librit të Adolf Hitlerit, «Mein Kampf», ka bërë të ditur se është shënuar rritje e madhe e shitjes së librit kundërthënës.

Një botim i mëhershëm i librit «Mein Kampf» të Adolf Hitlerit, ekspozuar në qendrën dokumentare të Gjermanisë naziste në Obersalzberg të Gjermanisë. Foto: Shutterstock



85 mijë kopje në gjuhën gjermane të manifestit nazist antisemit janë shituar vjet. Botuesi Andreas Wirsching ka theksuar se «të dhënat na kanë tronditur». Ai ëhstë drejtor i Institut të Historisë Moderne (IfZ) në München. Në fund të janarit instituti i tij do të nisë botimin e gjashtë të librit, ku do të ketë edhe shpjegime kritike prej dijetarëve.

Ndryshe prej botimeve të kohës naziste, «Mein Kampf» («Lufta ime») i IfZ-së, ka ballinë të bardhë – pa fotografinë e Hitlerit. Kryqi nazist dhe simbolet e tjera naziste janë të ndaluara në Gjermani. Wirsching ka deklaruar për agjencinë gjermane të lajmeve DPA se IfZ-ja po planifikon edhe një botim më të shkurtë në gjuhën franceze. «Dy të tretat e komenteve tona do të përkthehen» për librin në frëngjisht, ka bërë të ditur ai.

Edicioni i parë në Gjermani kishte katër mijë ekzemplarë. Vendimi për ribotimin e librit kundërthënës ishte kritikuar prej grupeve hebraike. «Mein Kampf» ishte botuar për herë të parë më 1925 – tetë vite para ardhjes së Hitlerit në pushtet. Aty shtrohen idetë raciste që do të jetësoheshin më vonë prej nazistëve, përfshirë denigrimin dhe pushtimin e hebrenjve dhe sllavëve.

Pas mposhtjes së Gjermanisë naziste më 1945, forcat e Aleatëve ia kishin dorëzuar kopjet e librit shtetit të Bavarisë. Sipas ligjit gjerman për të drejtat e autorit, këto të drejta mbroheshin për shtatëdhjetë vite. Gjatë kohës sa të drejtën e kishte qeveria bavareze, ishte i ndaluar ribotimi i librit. Por vjet ka skaduar kufizimi ligjor. Wirsching ka deklaruar se mbështet mësimdhënësit «e mençur» që po e përdorin botimin e IfZ-së nëpër klasa. Ai ka paralajmëruar kundër «përsëritjes së diskutimit absurd të viteve pesëdhejtë, kur njerëzit thoshin se gjithë faji ishte i Hitlerit». Ai ka thënë se instituti i tij ka kërkuar këshilla ligjore para ribotimit me numër të kufizuar kopjesh. Ai ka thënë se janë kujdesur që kopjet e shkollave të mos bien në duar të admiruesve nazistë. «Do të ishte e papërgjegjshme që ky tekst të shpërndahej në mënyrë arbitrare», ka deklaruar ai për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

(BBC)
© për botimin në gjuhën shqipe: dialogplus.ch. Ndalohet rreptësishtë botimi i këtij teksti nga mediat tjera.