Mediet ndërkombëtare raportojnë për gjuajtjen e vezëve në Kuvendin e Kosovës

Medie të shumta ndërkombëtare kanë raportuar për mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës.




Një nga mediet, që raportuan për gjuajtjen e vezëve nga deputetët opozitarë drejt Isa Mustafës, teksa ai raportonte për marrëveshjet e reja me Serbinë, ishte Channel 4 i Britanisë së Madhe.

“Deputetët opozitarë kanë gjuajtur me vezë kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, në një mbledhje në Kuvendin e Kosovës. Politikanët protestonin kundër marrëveshjes së re me Serbinë që i jep më shumë pushtet pakicës serbe në vend”, thuhet në përshkrimin e Channel 4 në videon ku shihej gjuajtja e vezëve.

“Të martën ka qarkulluar një video, në të cilën shihet kryeministri i Kosovës duke u gjuajtur me vezë nga disa deputetë në Parlament. Isa Mustafa, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ishte në mes të fjalimit të tij drejt deputetëve të Kosovës. Por ai u detyrua ta ndërpres fjalimin në gjysmë, pasi deputetët e opozitës gjuajtën vezë drejt tij. Zyrtarët e sigurimit vrapuan për ta mbrojtur kryeministrin, njëri nga ta duke ofruar një çadër të zezë. 64-vjeçari ishte larguar shpejtë nga foltorja, duke u mbrojtur nga pjesëtarët e sigurimit, pasi deputetët vazhdonin të gjuanin”, shkruan “Huffingtonpost”.

Veç tyre, raportim nga Kuvendi i Kosovës kanë pasur edhe media si “Reuters”, “The Guardian”, “Journal of Turkish Weekly”, “Times of Malta” e të tjera.