Mediat ruse rrezikojnë ta shndërrojnë Serbinë në zyrë të Moskës

Për shkak të shtypit të varur pothuajse krejtësisht prej parave të Qeverisë dhe fluksit të madh të përmbajtjeve që ribotohen pothuajse falas me paratë ruse – Serbia gjithnjë e më shumë po perceptohet si vend i përplasjes ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Putini në të gjitha ballinat: gazeta serbe.

Turistët e painformuar që kanë qëndruar muajin e kaluar në Serbi shumë lehtë mund të kenë besuar se ndodheshin në një kamp ushtarak rus. Me fotografitë e mëdha të Vladimir Putinit në ballinat e tyre, tabloidet e mëdha serbe – tash për tash burimi më i madh në mediat e shtypura në Serbi – ishin përfshirë në debatin nëse presidenti rus mund ta mbronte Serbinë dhe pjesën e saj të kontestuar të Kosovës, ose do ta tregtonte për njohje të Krimesë. Përveç informacioneve të shumta në ballina që të kujtonin retorikën e Luftës së Ftohtë, kishte edhe kryeartikuj, si ai i edicionit të 20 shtatorit të gazetës së kontrolluar nga Qeveria «Informer», që kishte nxjerrë ballinën me këtë titull: «Putini: Mund t’i shkatërroj Shtetet e Bashkuara të Amerikës për gjysmë ore».

Marrëdhëniet historike, politike dhe kulturore ndërmjet dy shteteve, ndikimi i madh i Kishës së krishterë ortodokse, dhe imazhi negativ për Perëndimin pas bombardimit të Serbisë nga NATO-ja më 1999, kanë ofruar terren për pikëpamjen që krijon Moska për botën. Për shkak të shtypit të varur pothuajse krejtësisht prej parave të Qeverisë dhe fluksit të madh të përmbajtjeve që ribotohen pothuajse falas me paratë ruse – Serbia gjithnjë e më shumë po perceptohet si vend i përplasjes ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

Në kohën kur serbët po mundohen të vendosin në çfarë drejtimi të lëvizin kur vendi ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Europian, paraqet shqetësim shtypi që më parë preferon të krijojë perceptime se sa të raportojë në mënyrë të pavarur. Me numër modest të gazetave të pavarura serbe që arrijnë në duar të lexuesit, si «Vreme», «Novi Magazin» dhe «Danas», ata që dëshirojnë lajme prej një burimi të ndarë prej grupeve të interesit, po u kthehen mediave alternative dhe platformave multimediatike, si «KRIK», «Insajder» dhe «Peshçanik», por shumica e serbëve po mbesin të keqinformuar për disa prej çështjeve më relevante me të cilat po merret vendi.

Përmasat e ndikimit rus janë ilustruar prej një studimi në muajin maj të sivjetëm prej Qendrës për Studime Euroatlantike, grup i pavarur mendimi, me lidhje në Perëndim. Aty është thënë se 110 organizata joqeveritare, asociacione dhe media të regjistruara janë të lidhur drejpërdrejt me lobin rus në Serbinë e sotme.

Njëherësh, kanali televiziv në anglisht, «Russia Today» (RT) është pjesë e platformës me kartelë qe më shumë se një vit, si dhe një radioprogram i sponsoruar nga Moska dhe një përmbajtje reviste mund të lexohen edhe në gjuhën serbe. E përjavshmja e lexuar serbe, «Nedeljnik», nxjerr çdo muaj një shtojcë të titulluar «R Magazin», që është financuar prej Qeverisë ruse dhe përgatitet prej «Russia beyond the Headlines», burim shumëgjuhësor për politikën dhe kulturën ruse sponsoruar prej «Rossiyskaya Gazeta», gazetë shtetërore ruse. Që t’ju jap një shembull të përmbajtjes së revistës, në numrin e muajit mars kishte përfshirë edhe një analizë pse Rusia është fituese e luftës siriane dhe një ditar të një korrespondenti rus të luftës në fushatën bombarduese të NATO-së më 1999, ku ishin goditur caqe civile në Serbi. I gjithë materiali, përfshirë artikujt në gjuhën serbe dhe fotografitë, janë dërguar nga Moska dhe sipas gazetarëve brenda gazetës, me të cilët kam folur, menaxhmenti i «Nedeljnik» nuk ka ndikim në përmbajtjen e shtojcës.

Veljko Laliq, kryeredaktor i «Nedeljnik», ka thënë se diskutimi për ekspansionin rus në sferën e mediave serbe është «i fryrë» dhe se nuk mund ta kuptojë «pse krejt papritur të gjithë po flasin për këtë punë». «Ka pasur thashetheme se rusët do të blejnë këtë apo atë medium të madh serb, por kanë vetëm portalin dhe radion Sputjnik, dhe Sputnjiku është popullor», ka deklaruar Laliq, «sepse është i mirë».

Gjorgje Vukadinoviq, analist politik dhe kryeredaktor i «Nova Srpska Politika Misao» (NSPM), revistë dhe portal dedikuar politikës serbe dhe që prej disave perceptohet si e afërt me Rusinë, thekson se ndikimi rus në mediat serbe është në rritje, por ka shtuar se «kjo është larg prej asaj se si do ta pëlqente Moska». Vukadinoviq ka thënë se disa njerëz në Serbi i frikësohen çdo ndikimi rus. Njëherësh, sipas tij, ka organizata joqeveritare që përfitojnë financiarisht nëse perceptohet se kundërshtojnë rusët. Vukadinoviq ka deklaruar se pikëpamjet perëndimore paraqiten nëpërmjet mediave në pronësi amerikane dhe perëndimore, në të cilat ka qasje. Ai e vendos Putinin rregullisht në ballinë të shtypit, duke vlerësuar se «popullariteti i përgjithshëm i Rusisë në mesin e popullit serb» është shkaktari kryesor. Gjithashtu thekson se këtë e bën meqë «politikat e tanishme qeveritare serbe janë antiperëndimore».

Ardhja e «Sputnjikut» në vitin e kaluar ishte një prej ndryshimeve më të mëdha në skenën mediatike të Serbisë. Nën sloganin «Sputnjiku ju tregon të pathënat», Moska lansoi portalin e ri informativ dhe një radiostacion në gjuhën serbe që të mund të dëgjohet nëpërmjet radiostacioneve lokale anembanë vendit. Gazetarët e «Sputnjikut» u takuan me presidentin serb, Tomislav Nikoliq, një nderim që zakonisht u dedikohet njerëzve për arritje të mëdha dhe për shumëkënd ky ishte një mesazh i qartë për preferencat politike të presidentit.
Sipas videos promovuese të portalit, aplikacioni i tij është shkarkuar më shumë se njëqind mijë herë. Përvec lajmeve, «Sputnjiku» ofron edhe analiza, opinione, karikatura politike, matje opinioni dhe kolumne. Shkrimet kryesore gjithnjë janë sugjeruese. Ta zëmë në krtyartikullin e 6 korrikut, thuhej: «(Tony) Blair duhet të japë llogari për Irakun dhe Jugosllavinë», shoqëruar me një tjetër shkrim që argumentonte se sanksionet ekonomike vënë Rusisë janë aktualisht të mira për vendin dhe të këqija për Perëndimin.

Është e vështirë të përmblidhen pasojat ose ndikimi i ekspansionit mediatik rus në tregun serb, përveç se mund të thuhet se i kontribuon pasqyrës së fragmentuar të botës, duke mbajtur anën e interesave politike ruse. Për shkak të mungesës së fondeve – reflektim i gjendjes së përgjithshme ekonomike në vend – shumë portale informative serbe përdorin shkrimet dhe analizat e ofruara prej «Sputnjikut», duke rritur kështu edhe më shumë përmbajtjen e sponsoruar ruse. Për shembull, më 14 shtator, e përditshmja serbe në pronësi gjermane dhe zvicerane, «Blic», ripublikoi shkrimin e «Sputnjikut»: «Fox News: Obama u është përkulur rusëve». Shkrimi citonte një redaktor të paidentifikuar në «Fox News», që kishte thënë se ishte habitur pse Shtetet e Bashkuara duhet të kërkonin ndihmën ruse për organizimin e negociatave paqësore siriane dhe se «Washingtoni duhej t’u përkulej rusëve për përkrahje në Lindje të Mesme». Sipas të njëjtit burim – që i referohej vetëm si «redaktor në Fox News» – ky aksion kishte vërtetuar se «Rusia ka ndikim të konsiderueshëm në Lindjen e Mesme … ndërsa roli amerikan është i vogël». Lajmin e «Sputnjikut» e kishte ripublikuar edhe agjencia shtetërore serbe e lajmeve TANJUG.

Milosh Teodoroviq, kryeredaktor i shërbimit serb të Radio Europa e Lirë, të financuar nga Qeveria amerikane, ka thënë se mediat serbe duhet t’u kushtojnë vëmendje burimeve dhe ka shtuar se gazetarët e «Sputnjikut», shpeshherë prezantohen si «analistë» kur flasin në televizione kombëtare. «Kjo është e pazakonshme dhe joprofesionale», ka deklaruar Teodoroviq, duke shtuar: «Ata nuk mund të trajtohen si të pavarur, sepse ata hapur i bëjnë fshatë pikëpamjes zyrtare të Rusisë».

Pjesë e strategjisë së «Sputnjikut» është edhe dizajni, qasja në media sociale dhe mundësia për qasje të shpejtë nga lexuesit. Shumë portale serbe nuk mund të paguajnë përmbajtjen e agjencive, si «Reuters» ose «The Associated Press», ndërsa mediat ruse mundësojnë ripublikim pa pagesë. Sipas kushteve dhe politikave të «Sputnjikut», kushdo mund të ripublikojë falas shkrimet e tij për aq sa citohet «Sputnjiku».

Është ende herët të thuhet nëse portalet e sponsoruara nga Rusia do të sjellin ndonjë ndryshim në diskursin mediatik serb. Sipas Zoran Stanojeviqit, redaktor në radio-televizionin shtetëror, RTS, «për shkak të kaluarës komuniste, shumë njerëz në Serbi dinë të bëjnë dallimin mes propagandës dhe lajmit, por vetëm nëse kjo nuk lidhet drejtpërdrejt me ta». Si me shumë të tjerë me të cilët kam folur, edhe ai ka thënë se hapësira mediatike serbe është vërshuar nga «gjysmë të vërtetat» dhe raportimet që janë në favor të elitës sundimtare. Në këtë ambient, zgjidhja e vetme, ka thënë Stojanoviq, «është trajnimi i gazetarisë elementare» jo vetëm për konsumatorët e mediave në Serbi, por edhe për vetë gazetarët.
Vukashin Obradoviq, kryetar i Asociacionit të Pavarur të Gazetarëve në Serbi, ka thënë se duhet të jetë jorelevante nëse një portal është «pro-rus» ose «pro-perëndimor». «Ajo çfarë i duhet Serbisë më shumë se gjithçka tjetër janë mediat profesionale dhe të përgjegjshme, dhe kur të kemi këtë lloj raportimi, njerëzit do të mund të flasin për ndryshimin ndërmjet propagandës dhe të vërtetës», ka thënë ai. Sipas Obradoviqit, «deri atëherë, dobi të vetme prej frymës së tanishme të mediave, po ka regjimi, meqë me lehtësi po e manipulon opinionin publik».

(Autorja është gazetare dhe hulumtuese me qëndrim në qytetin njurjorkez. Është korrespondente jashtë vendit për të përjavshmen beogradase, “Novi Magazin”, dhe themeluese “4 Better Media”, organizatë që ofron këshilla në fushën e mediave. Teksti u botua në blogun e Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, www.cpj.org).