Me Zotin në krah

Bob Dylan.



Ah, emri im s’thotë kurrfarë gjëje!
Mosha akoma dhe më pak,
andej  nga rrjedh unë,
i thonë Perëndim i Mesëm.
Atje më rritën dhe më mësuan
ligjeve t’u bindem
dhe vendi ku jetoj
ka Zotin në krah.

Ah, librat e historisë e thonë
sa bukur e rrëfejnë:
kalorësit u turrën para
dhe indianët u plasën përdhe.
Kalorësit para u sulën
dhe indianët vdiqën.
Ah, vendi ishte shumë  i ri atëherë
me Zotin përkrah!

Ah, i erdhi dita Luftës
amerikano-spanjolle.
E më pas Lufta Civile
erdhi dhe shkoi,
dhe emrat e heronjve
m’i mësuan përmendësh
me pushkët në dorë
dhe Zotin në krah.

Ah, more djema, Lufta e Parë Botërore
e mbylli fatin e vet!
Arsyen e kacafytjes
kurrë s’e mora vesh,
por u mësova ta pranoj,
ta pranoj me krenari,
sepse të vdekurit nuk numërohen
kur ke Zotin në krah.

Kur së Dytës Luftë Botërore
fundi seç na i erdhi,
ne i falëm gjermanët
e u bëmë miq për kokë.
Paçka se gjashtë milionë i shpunë në at’botë
i poqën e i dogjën në furrë.
Edhe gjermanët tashmë
e kanë Zotin në krah.

U mësova rusët t’i urrej
gjatë tërë jetës sime,
por nëse plas ndonjë  luftë tjetër
ata do të na duhet t’i luftojmë,
t’i urrejmë e t’u trembemi
e t’ia mbathim e të strukemi
dhe trimërisht të pranojmë gjithçka
me Zotin përkrah.

Por tani, aha, ne kemi armë,
dhe me pluhur kimik madje
e nëse na detyrojnë,
do t’i shkrehim se s’bën
një të shtypur butonit
dhe e shtëna do kumbojë në botën mbarë.
Asnjëherë nuk bëhen pyetje
kur ke Zotin në krah.

Gjatë shumë e shumë orësh të zymta,
e kam vrarë fort mendjen për këtë
që edhe Jezu Krishti
nga një e puthur u tradhtua,
por për ju s’mundem dot të mendoj
nëse edhe Juda Iskarioti
e kishte Zotin në krah.

Kështu që tani po iki,
jam lodhur e bërë telef,
pështjellimin që ndjej
s’ka gjuhë që e shpreh
dhe mendimet që ma mbushin kokën plot,
përdhe po më rrjedhin.
Nëse Zotin vërtet në krah e kemi
ai do ta parandalojë luftën tjetër.

Përktheu: Edvin Shvarc