Me zemër të ngrohtë dhe kundër dyfytyrësisë në politikë

RECENSION – Mbi biografinë gjithëpërfshirëse të kancelarit gjerman Willy Brandt të autorit Peter Merseburger.

Gjesti i shekullit: Kancelari gjerman Willy Brandt gjunjëzohet në nderim të viktimave të getos së Varshavës (1970).



Figura e Willy Brandt-it, politikanit socialdemokrat, rrezaton përtej kufijve të Gjermanisë edhe shumë vite pas vdekjes së tij. (Brandt vdiq më 1992). Ai mbahet në mend për qasjen e re ndaj shteteve komuniste lindore gjatë kohës kur ishte kancelar i Gjermanisë në fillim të viteve ‘70. Gjermanët e kujtojnë këtë vizionar dhe realist, i cili ka thënë fjalë e fjali të paharrueshme. Si kjo në vijim, për shembull: «Përndryshe, ju lutem, më merrni ashtu siç jam. Jo si shenjtor, por ashtu siç jam. Kjo do të thotë si një njeri, i cili mendon se udhëheqja politike kërkon diçka tjetër dhe jo zemër të ftohtë dhe dyfytyrësi». Në botë Willy Brandt ndërlidhet shpesh me aktin e gjunjëzimit të tij para përmendores së viktimave të getos së Varshavës.

Biografinë deri më tani më gjithëpërfshirëse të Willy Brandt-it e ka shkruar publicisti gjerman Peter Merseburger. Ai e përshkruan Brandt-it si një politikan dhe njeri me plot thyerje jetësore dhe zhgënjime, si një babaxhan me tipare melankolike në sy, një burrështetas karizmatik dhe një dashnor të përvuajtur.

Brandt u lind në vitin 1913 në Lübeck. Fëmijëria dhe rinia e tij u karakterizuan nga humanizmi i përjetuar në familje. Ky bazament do ta bënte Brandt-it më vonë figurë të madhe njerëzore, të cilën pasardhësit dhe bota demokratike e kujton me respekt. Emri i vërtetë i Willy Brandt-it është Herbert Ernst Karl Frahm. E ëma e tij, Martha Frahm, punonte shitëse, ndërsa i ati ishte mësues me ide socialdemokrate, i cili, pasi ishte dëbuar nga puna prej nazistëve, mbijetoi duke punuar si kontabilist. Emrin «Willy Brandt» e mori si pseudonim në vitin 1933 gjatë rezistencës kundër Adolf Hitlerit. Pas përfundimit të luftës më 1945 ai vendosi që të mbante këtë emër përgjithmonë. Brandt, i cili kurrë nuk e njohur të atin, u rrit me të ëmën dhe gjyshin e tij, i cili ishte shofer me profesion dhe simpatizant i socialdemokratëve. Që herët Brandt u angazhua në lëvizjen e rinisë socialiste. Mendimet e tij politike ishin plotësisht të majta. Kur Gjermania naziste ia vuri zjarrin Europës, Brandt iku në ekzil në Norvegji. Atje punoi gazetar. Shkroi kundër Hitlerit, barbarisë fashiste, doli në mbrojtje të viktimave dhe dënoi shkatërrimet masive.

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Gjermania u nda në zona të ndryshme mes shteteve fitimtare, Brandt u kthye në Gjermani si korrespondent i gazetave skandinave. Një kohë veproi edhe si atashe për shtyp në përfaqësinë norvegjeze në Berlin. Si korrespondent ai raportoi nga proceset e Nürnberg-ut, ku u dënuan figura të errëta naziste.

Në vitin 1948 Willy Brandt u kyç në radhët e Partisë Socialdemokrate (SPD) në Berlin. Shpejt bie në sy gjykimi i tij i qartë politik dhe Brandt emërohet përgjegjës për kontakte me forcat aleate në Gjermani. Më 3 tetor 1957 Willy Brandt zgjidhet prefekt i Berlinit. Në atë kohë Berlini ishte në qendër të konfliktit Lindje-Perëndim. Pas fillimit të ndërtimit të Murit të Berlinit, Brandt bëhet zëdhënës kryesor i shpresës për qytetin e ndarë. «Do të vijë dita kur në Portën e Brandenburgut më nuk do të jetë kufiri», kishte thënë Brandt.

Në postin e prefektit të Berlinit ai bëhet i njohur në shumë vende. Aty-këtu shtypi e quan «Kennedy gjerman». Në vitin 1969 Brandt bëhet ministër i punëve të Jashtme në qeverinë e parë të koalicionit të gjerë mes socialdemokratëve dhe demokristianëve. Në këtë post të lartë Brandt merr guximin të thotë atë që deri atëherë nuk e kishte pohuar asnjë politikan gjerman – së paku jo publikisht. Se ekzistojnë dy shtete gjermane, të cilat për njëri-tjetrin «nuk janë botë e jashtme». Pas dështimit të koalicionit me demokristianët Brandt zgjidhet kancelar. Edhe sot ai quhet «kancelari i paqes». Angazhimi i tij këmbëngulës për normalizimin e raporteve me shtetet përtej Perdes së Hekurt i sjellë atij Çmimin Nobel për Paqe. Në këtë periudhë Brandt do të sulmohet nga opozita e prapambetur si tradhtar i atdheut.

Brandt dha dorëheqje nga kreu i qeverisë më 7 maj 1974, pas zbulimit se referenti i tij Günter Guillaume ishte spiun i Gjermanisë Lindore. Guillaume ishte dërguar nga shërbimi sekret gjermanolindor në Gjermaninë perëndimore dhe shpejt kishte përparuar në karrierë, duke u futur edhe në selinë e kancelarit. Me rastin e largimit Brandt kishte deklaruar: «Dorëheqja ime ndodhi nga respekti për rregullat e pashkruara të demokracisë, por edhe për të mos lejuar të shkatërrohet integriteti im personal dhe politik».

Pas dorëheqjes Brandt nuk u tërhoq nga politika. Ai përkrahu lëvizjet socialiste në mbarë botën, mes tyre edhe një çun të ri nga Spanja të quajtur Felipe Gonzalez, i cili në ekzilin francez ishte zgjedhur kryetar i socialistëve spanjollë. Pas rrëzimit të diktaturës së Frankos, Gonzalez më 1982 u bë kryeministër i Spanjës.

Në vjeshtë të vitit 1989 vizionari Brandt përjetoi bashkimin gjerman. E famshme është fjalia e tij pas rrëzimit të Murit të Berlinit: «Tash do të rritet bashkë ajo që duhet të jetë bashkë». Politikanë të rëndësishëm gjermanë, mes tyre edhe oponentë politikë si ish-kancelari Helmut Kohl, gjithnjë shprehin respekt të thellë për mprehtësinë e mendimit dhe këshillat që i kanë marrë nga Willy Brandt. Ish-kancelari Gerhard Schröder, i cili hyn në mesin e atyre politikanëve që quhen «nipa të Brandt-it», ka thënë: «Për aq sa e kam njohur, dhe unë e kam njohur shumë mirë atë, më ka rënë sidomos në sy ndjeshmëria i tij për tema të reja dhe mirëkuptimi i madh edhe për ata që kishin mendim tjetër. Ai vërtet gjithnjë ka vepruar sipas motos se liria gjithnjë dhe së pari është liri e atij që mendon ndryshe».