Me votu plot kandidatë

Sistemi i tashëm — me apo pa balotazh — nxit përçarje e përgojim. Pse duhet qytetarët e cilitdo vend me e zgjedhë një kandidat e me e kundërshtu tjetrin? Kjo s'është tifozeri sporti. Do të ish shumë më e logjikshme që qytetarët me i notu (madje as me i renditë) sipas kritereve, ashtu siç bëjnë mësuesit kur i kontrollojnë detyrat.

Foto: Shutterstock

Kryeministri kosovar Isa Mustafa tha sot se duhet me e ndryshu sistemin para se me i mbajtë zgjedhjet. Ndër tjerash, ai e përmendi mundësinë mos me shku fare në balotazh për kryetarë komunash. Deri diku e ka mirë: më pak shpenzime e tollovi. Por edhe po na len keq. Qysh me e dijtë se fituesi e ka përkrahjen e shumicës (mbi 50 për qind) kur merr veç një shumësi (nën 50 për qind) të votave? Pse s’këqyrim me e ndreqë këtë punë sa më paqt?

Sistemi i tashëm — me apo pa balotazh — nxit përçarje e përgojim. Pse duhet qytetarët e cilitdo vend me e zgjedhë një kandidat e me e kundërshtu tjetrin? Kjo s’është tifozeri sporti. Do të ish shumë më e logjikshme që qytetarët me i notu (madje as me i renditë) sipas kritereve, ashtu siç bëjnë mësuesit kur i kontrollojnë detyrat. Me e thjeshtu punën, mun e ngushtojmë vlerësimin në dy nota: kaluese e ngelëse.

Me fjalë tjera, ta japim një listë kandidatësh dhe ti ia nis me vu tika:

Kandidati A:  ☐ Për ·  ☐ Kundër ·  ☐ Abstenoj

Kandidati B:  ☐ Për ·  ☐ Kundër ·  ☐ Abstenoj

Kandidati C:  ☐ Për ·  ☐ Kundër ·  ☐ Abstenoj

Kandidati D:  ☐ Për ·  ☐ Kundër ·  ☐ Abstenoj

Kandidati E:  ☐ Për ·  ☐ Kundër ·  ☐ Abstenoj

Politologët e qujnë këtë metodë votim miratues. Ose e miraton kandidatin, ose jo. Të pëlqen, thu «për» ose «po». Nuk të pëlqen, thu «kundër» ose «jo». Nuk ta ndin hiç për tipin? Nejse, absteno të paktën, që kurrkush mos me mujtë me ta ndryshu fletëvotimin. Gjasat janë që ka me të pëlqy më shumë se një kandidat. Ky sistem është i dizajnuar me ta mundësu me e shprehë këtë. Po, është si me dalë në takim me më shumë se një partner të mundshëm, dhe ç’është më e mira, nuk ke pse brengosesh për zgjedhjen përfundimtare.

Është më mirë kështu. Ke më shumë zgjedhje (d.m.th., kandidatë) qysh në fillim. Dhe zyrtarët që zgjedhen kanë me qenë ata njerëzit e mirë që i pëlqejnë çdokujt — edhe opozitës së tyre.

Qysh kështu?

Së pari, votimi miratues kish me e zvogëlu rrezikun e një vote të ndarë — efekti frustrues i synimtarëve të partive të vogla që «ua marrin» votat kandidatëve kryesorë. Mos harro, për shembull, fituesit e shumë zgjedhjeve në Dardani kanë pasë epërsi prej katër a pesë përqind, aq sa kanë fitu kandidatët anësorë. Një sistem që e heq qafe ndarjen e votës e largon edhe nevojën për gara brenda partive. Identifikimi me partinë bëhet i parëndësishëm, dhe njerëzit nisin me pa zgjedhje më të shumta e më të mira në votime.

Kandidatët që ndajnë pikëpamje të ngjashme nuk do të frigohen se kanë me e pengu njëri-tjetrin. Kështu që do votosh për atë që të pëlqen, jo për atë që mendon se ka gjasa më të mira me fitu. Së dyti, votimi miratues shkurajon fituesin me një shumësi, që do ta marrë pushtetin me më pak se gjysmën e votave. Ndërsa metoda i re do të nxjerrë më tepër kandidatë në fletëvotim, fituesi me gjasë do ta gëzojë miratimin e shumicës së votuesve.

Të themi, kandidatët B dhe D nga lista të dy marrin «po» prej më shumë se 50 përqind e kokërrhedhësve. Por kandidati D merr më shumë «po» se kandidati B. Atëherë, D-ja është fituesi. Kështu është mirë për demokracinë. Me u shoqëru me disa të fortë e me i shpërfillë të tjerët mund të të ndihmojë goxha në sistemin e moçëm, por votimi miratues ua jep krahun atyre që i afrohen një turme më të gjërë. Kjo domethënë pashmangshëm edhe më pak fushatë negative. Dhe më e rëndësishmja, me iu shmangë politikës përçarëse. Me votimin «për/kundër», qytetarët do miratojnë cilindo kandidat që u pëlqen ashtu siç u shkepin llajka postimeve në rrjete shoqërore. Qasja «bëma llajk» do e ndryshonte mënyrën si politikanët kërkojnë vota: do tregojnë se çka kanë me ofru e jo pse kundërshtarët janë burra të këqij — ose që s’janë burra fare.

Dhe bëhet më mirë ende. Përfitimi i tretë i «po/jo»-së është vetë «jo»-ja. Ndërsa ecuria demokratike e lyp mundësinë me e miratu një kandidat, çelësi me ia ndry derën e zyrës një tjetri mund të jetë po aq thelbësore për me zgjedhë një qeveri të lirë e të përgjegjshme. Mbledhi «po»-të. Zbriti «jo»-të. Dhe ai që merr më së shumti pikë do të jetë kandidati më bashkëndjesor (apo konsensual). Votimi miratues nuk përdoret në zgjedhjet kryesore kombëtare askund në botë. Por dikur ishte mënyra për me i zgjedhë zyrtarët e lartë në demokraci të qëndrueshme, siç qenë Athina e Venediku. Dhe vetëm kur të drejtën e votës e fitunë të gjithë burrat, qoftë dhe kur s’dinin shkrim e këndim, sistemi i thjeshtë që kemi tani ia mori anën «po/jo»-së.

Bëzamja «për/kundër» nuk është e përkryer. Mirëpo është jopraktike në mos e pamundshme me e dizajnu një sistem që do i trajtojë të gjitha shqetësimet për zgjedhje të lira e të ndershme. Votimi miratues ndihmon me e përmirësu demokracinë dhe u jep më shumë hapësirë qytetarëve të diktojnë si me e udhëheqë atë që është e tyrja. Pyetja më praktike është nëse vendi mund t’i përmbushë të gjitha nevojat ligjore për ta zbatu «po/jo»-në në zgjedhjet e ardhshme. Ia vlen me provu.

Tekembrama, me zgjedhë një kryetar komune ose përfaqësues në ligjvënës është njëfarë ecurie punësimi. Asnjë biznesmen i arsyeshëm s’kish me thënë, po më pëlqen qëky dhe kurrkush tjetër. Punëdhënësi i mençëm do ta shqyrtonte më shumë se një aplikues. Dhe a s’po i zgjedhim kështu partnerët romantikë në ditë të sotit? Pse mos me kalu me më shumë se një?

(Ky shkrim është botu së pari anglisht me përqendrim te zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Autori është avokat në Teksas).