Me veprime e jo me fjalë shtendosen marrëdhëniet Kosovë-Serbi

Deklaratat e fundit nga Beogradi ngjallin shpresën për pajtim afatgjatë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës – por fjalët e ngrohta duhet të shoqërohen me veprime konkrete, shkruan Nora V. Weller në «Balkan Insight».




Më shumë se zhegu i verës në Ballkan, presioni i përhershëm nga Brukseli duket se më në fund po shkrin marrëdhëniet e ngrira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjykuar nga deklaratat e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, Serbia mbase po përgatitet për të bërë lëshime të reja kundrejt Kosovës, që e shpalli pavarësinë më 2008.

Pas disa vitesh me takime të vakëta dhe të matura dhe marrëveshjeve të arritura me gjysmë zemre, ka ardhur koha që Serbia të ndërmarrë hapa vendimtarë në lidhje me Kosovën, dhe më e rëndësishmja që të dyja palët të përballen me çështjet e sikletshme të brendshme, si dhe me ato dypalëshe.

Serbia po i shmangej me çdo çmim përgjegjësisë për veprimet e veta të dhunshme gjatë luftës në Kosovë më 1998-99, derisa Kosova po përballet me Gjykatën Speciale në Hagë për gjykimin e rasteve, përfshirë edhe krimet e kryera gjatë dhe menjëherë pas luftës.

Edhe Kosova, edhe Serbia përballen me probleme të ngjashme të qeverisjes, korrupsionit, sundimit të ligjit dhe shkallës së lartë të papunësisë, të cilat po shkaktojnë emigrim masiv prej dy vendeve, me shumë të rinj të talentuar që ikin jashtë vendit.

Megjithëse këto janë shenja shprese për shtendosjen e ardhshme të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, liderët e dy palëve duhet ta kuptojnë se rruga para tyre duhet të trasohet me veprime konkrete kur vjen puna te çështjet e vështirë dhe të dhimbshme.

Presidenti Vuçiq deklaroi në korrik se Serbia duhet të nisë dialog të brendshëm për Kosovën. Megjithëse fjalët e tij duket se befasuan shumëkënd, deklarata e tij, megjithëse kurajoze dhe me potencial konstruktiv, mund të jenë reale për shumë arsye.

Në një shkrim të publikuar në gazetën «Blic», Vuçiqi deklaroi se populli serb «duhet të heqë dorë prej mbajtjes së kokës në rërë» kur vjen puna te Kosova dhe të fillojë një dialog të brendshëm për këtë çështje.

Ai shtoi se serbët duhet të tregohen realistë, dhe të mos humbin ose dorëzojnë çfarë kanë, por edhe të mos presin të kthejnë atë çfarë është humbur kaherë.

Duke pasur parasysh vështirësitë me të cilat është përballur Serbia gjatë tetëmbëdhjetë viteve të kaluara për adresimin e çështjes së Kosovës brenda shoqërisë serbe, është e zorshme të përcaktohet çka është ajo që «realisht është humbur», ose çka është ajo se ata «kemi dhe nuk duhet ta lëshojmë» kur bëhet fjalë për Kosovën.

Deklaratat e Vuçiqit mund të jenë kuptimplota, por nëse e kanë qëllimin ta trasojnë rrugën drejt negociatave të sinqerta me Kosovën, atyre u mungonte një element kyç: se Serbia është e gatshme ta njohë shtetësinë e Kosovës.

Megjithëse ende jo haptas, pak qartësi është treguar prej asaj çfarë ka Serbia në mendje me deklaratën e fundit të ministrit Daçiq, i cili ka lënë të kuptohet se njohja dhe normalizimi i marrëdhënieve tani mund të ndodhë.

Për ta lehtësuar këtë, Daçiqi sugjeroi autonomi për enklavat serbe në Kosovë, status special për manastiret ortodokse serbe në Kosovë dhe kompensim financiar për pronat «e uzurpuara».

Është ikonike që ministri serb i Punëve të Jashtme bën thirrje për ndarje të mëtejme në Kosovë, njëherësh duke pretenduar integrimin në Bashkimin Europian, që kërkon kapërcimin e plasaritjeve të vjetra etnike.

Për më tepër, në fjalët e tij nuk u përmendën marrëveshjet e mëhershme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë negociatave të Vjenës më 2006, që tashmë ofronin status special për Kishën Ortodokse Serbe.

Në fakt, shumica e këtyre çështjeve tashmë ishin adresuar në planin e propozuar nga ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në Propozimin e tij gjithëpërfshirës për Marrëveshjen për Statusin e Kosovës.

Aneksi V i të ashtuquajturit Plani i Ahtisaarit të cilin e pranoi Kosova dhe e shndërroi në legjislacion, por të cilin kurrë nuk e pranuan zyrtarisht liderët serbë, i kushtohej Trashëgimisë Kulturore dhe Fetare, me theks të veçantë atë të Kishës Ortodokse Serbe.

Neni V ishte një prej pikave kryesore në negociatat ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë gjatë bisedimeve të Vjenës të ndërmjetësuara nga Ahtisaari.

Fokusohej në garancitë e domosdoshme për komunitetet serbe në Kosovë, me qëllim të rregullimit të emrit, organizimit të brendshëm dhe pronës së Kishës Ortodokse Serbe, mbështetjes së saj ekonomike, donacioneve dhe përkrahjes tjetër të dobishme, dhe aranzhime të sigurisë për zonat kulturore dhe fetare serbe.

Plani Ahtisaari kërkon gjithashtu që Kosova ta shkarkojë nga doganat dhe t’i ofrojë privilegje të tjera taksash Kishën Ortodokse Serbe, krahasuar me ato që mblidhen prej të gjitha feve në Kosovës, dhe garanton liri të lëvizjes së klerit ortodoks serb brenda Kosovës. Përveç këtyre, aneksi e angazhon Shërbimin Policor të Kosovës me detyra operacionale multietnike për mbrojtjen e zonave kulturore dhe fetare serbe.

Dalë prej kësaj marrëveshje, ligji për zonat me mbrojtje speciale, aprovuar prej Kuvendit të Kosovës më 2008, siguron mbrojtje të Manastireve Ortodokse Serbe, kishave dhe zonave të tjera fetare, si dhe për zonat kulturore dhe historike të rëndësisë së veçantë për bashkësitë serbe.

Ligjet pasuese shqetësuan fshatin e Hoqës së Madhe, duke garantuar mbrojtje speciale të kësaj zone, në mesin e shumë të tjerave, që banohen prej serbëve dhe që kanë një numër kishash ortodokse. Mbetet të shihet çfarë do të ofrojë pala kosovare në tryezën e negociatave.

Dhe siç ka vënë në pah Vuçiqi, duke iu referuar domosdoshmërisë «për të mos u tërhequr me turp dhe për t’ia lënë këtë barrë të rëndë fëmijëve tanë», është e rëndësishme gjithashtu të adresohet fati i 1600 shqiptarëve të zhdukur të Kosovës, dhe varrezat masive të shqiptarëve të Kosovës të gjetura në Batajnicë në Serbi.

Komisari për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës, Nils Muiznieks, ka bërë thirrje së fundi që të hapen arkivat e policisë dhe ushtrisë serbe, me qëllim që çdo informacion për personat e zhdukur të mund të përdoren.

Mbetjet e këtyre trupave do të duhej kthyer familjeve të tyre në Kosovë më qëllim për të lehtësuar pranimin e vërtetë të krimeve të kryera, dhe për një proces të qëndrueshëm pajtimi.

Dy shtetet mund të merren vesh për kompensimin financiar atyre që u janë uzurpuar shtëpitë, dhe për ata që ende janë në kërkim të mbetjeve të familjarëve të tyre.

Autorja është drejtoreshë e Akademisë së Cambridget për Çështje Globale, grup i pavarur mendimi në Cambridge, Mbretëri të Bashkuar, që merret me sundimin e ligjit dhe trashëgimisë kulturore.