Me Urdhër të Rusisë

Kush është Rex Tillerson, i emëruar ministër i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Rex Tillerson dhe Vladimir Putin në njërin nga takimet e tyre të shumta.



Me javë të tëra është spekuluar se kush do të jetë shef i ri i diplomacisë amerikane, kush do të mbajë postin mbase më të rëndësishëm në kabinetin e presidentit të zgjedhur Donald Trump. Si kandidatë potencialë janë përmendur ish-guvernatori i Massachusetts, Mitt Romney, ish-kryetari i New Yorkut Rudy Giuliani, ish-shefi i CIA, David Petraeus, dhe senatori Bob Croker.

Të martën Trump vendosi: shefi i firmës së madhe të naftës Exxon Mobil, Rex Tillerson, do të jetë ministër i Jashtëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Tillerson është 64-vjeçar. Njëjtë si Trump edhe Tillerson nuk ka përvojë politike. Ai është që nga viti 2006 drejtor dhe shef i bordit të gjigantit të naftës nga Texasi. Exxon Mobil realizon një qarkullim vjetor prej 300 miliardë dollarë amerikanë. Vlera e aksioneve që Tillerson disponon në ndërmarrjen që drejton arrin në 218 milionë dollarë. Sipas «New York Times» ende nuk është e qartë se çfarë do të bëjë ai me këto aksione.

Nominimi i Rex Tillerson mund të ngjallë kundërshtime në Kongresin e SHBA-ve. Shumë anëtarë të Kongresit, pa marrë parasysh nëse janë demokratë apo republikanë, pritet të kundërshtojnë këtë emërim për shkak të afërsisë së Tillersonit me Rusinë. Tillerson kundërshton sanksionet e vendeve perëndimore kundër Rusisë, të cilat hynë në fuqi pasi Moska aneksoi Krimenë. Gjatë fushatës elektorale Trump kishte thënë se do të përmirësojë dukshëm marrëdhëniet me Rusinë. Në vitin 2013 ai është nderuar nga presidenti rus Vladimir Putin me «Urdhrin e Miqësisë» të Federatës Ruse. Në internet mund të gjenden shumë fotografi nga takimet mes Tillersonit dhe Putinit. Në një portret të Tillersonit gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» shkruante të hënën: «Në kohëra normale Rex Tillerson mbase do të ishte një kandidat i mirë për postin e ministrit të Jashtëm amerikan. (…) Ai është një republikan i moderuar, i arsyeshëm, nuk është ideolog nacionalist si John Bolton, i cili pritet të bëhet zëvendësministër i Jashtëm. Tillerson nuk e mohon ndryshimin e klimës dhe angazhohet për tregti të lirë. Ai e njeh botën, ka jetuar në Rusi dhe në Lindjen e Afërt dhe ka bërë biznese gjithandej nëpër glob. Si drejtor i  koncernit të miliardave Exxon Mobil ai me gjasë ka krijuar më shumë përvojë në raport me qeveritë e huaja se shumë diplomatë profesionistë. Por kohërat nuk janë normale. Shikuar me sytë e Donald Trumpit të kesh një lidhje të mirë me Moskën ndoshta aktualisht është përparësi. Presidenti i ardhshëm në zgjedhje ka premtuar se dëshiron të bashkëpunojë me Rusinë. Ndoshta kjo ka luajtur rol në përzgjedhjen e Tillersonit».

Por të kesh një «Urdhër Miqësie» të Putinit në shumë vende të botës perëndimore është arsye të diskualifikohesh për postin e shefit të diplomacisë. Trump me gjasë mendon ndryshe – ndonëse edhe zëvendëspresidenti Mike Pence i kishte quajtur sulmet ajrore të Rusisë në Siri si kriminale dhe kishte paralajmëruar rezistencë kundër Putinit. Kundër emërimit të Tillerson kanë folur hapur senatorët John McCain dhe Lindsey Graham. Në një intervistë dhënë së fundi mediave amerikane McCain ka thënë: «Vladimir Putini është kriminel, vrasës dhe ekzekutor… dhe agjenti i KGB-së. Ai e ka vrarë (politikanin opozitar) Boris Nemcov nën hijen e Kremlinit. Ai e ka copëtuar Ukrainën. Ai ka qëlluar me armë precize ruse spitalet në Halep». Senatori Graham deklaroi: «Nuk e njoh këtë njeri, por le të themi kështu: kur dikush merr një Urdhër nga Kremlini, atëherë kemi shumë gjëra për t’i diskutuar. Kjo çështje më shqetëson».

Emërimi i Tillersonit vjen pas dyshimeve në rritje se Moska është përpjekur t’i manipulojë zgjedhjet presidenciale në SHBA. Gazetat kryesore amerikane kanë njoftuar javën që shkoi se CIA ka arritur në përfundimin se Rusia kishte tentuar të ndikojë në zgjedhje, duke i ndihmuar Trumpit. Presidenti i zgjedhur ka reaguar duke u tallur me shërbimin sekret të vendit të vet. Trump tha se ishte pikërisht CIA që kishte pretenduar se Sadam Huseini ka armë të shkatërrimit masiv.

Në mediat gjermane Trump vazhdon të kritikohet ashpër për shkak të mënyrës së komunikimit me publikun (140 shkronja në Twitter për çdo problem, emërim, polemikë apo sfidë) dhe për naivitetin e madh ndaj Rusisë. Në një koment në numrin e së martës të «Süddeutsche Zeitung» thuhet: «Imazhi i Rusisë i presidentit të ardhshëm, siç është paralajmëruar në fushatën e tij elektorale dhe në përzgjedhjen e personelit, tregon pikësëpari një adhurim naiv për njeriun e fuqishëm në Moskë. Por pastaj shtrohet pyetja: përse Trump e injoron karakterin agresiv të politikës ruse. A frikësohet nga ndonjë shantazh apo ka një raport tjetër varësie? Me çdo fjalë, me çdo vepër Trump po minon besimin që bota dhe sidomos aleatët kanë në SHBA. Llafet e tij mendjelehta mbi armët bërthamore tregojnë për një padituri tronditëse mbi doktrinën nukleare, madje mund të merret me mend një garë e përsëritur e armatosjes. Premtimi për aleancë i Amerikës është bërë i pasigurt me Trumpin dhe i detyron partnerët europianë dhe aziatikë për të rivlerësuar sigurinë e tyre. Kështu Donald Trumpi po bëhet barrë ende pa e dhënë betimin. Ndoshta madje edhe rrezik». (-lli)