Me syrin e tjetrit

Mbi ekspozitën «The Other Side of Albanian Communism» dhe 50 fotot e fotoreporterit holandez Piet de Blanken që këto ditë i gjeni tek Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë.

Një nga 50 fotot e fotoreporterit holandez Piet de Blanken



Kur shkeli në Shqipëri në maj të 1987-ës, si pjesë e një grupi turistësh holandezë, fotografi Piet de Blanken nuk i dinte grackat e brendshme të regjimit komunist në fuqi. I kishin dhënë udhëzime të detajuara se çdo shkrepje ish e ndaluar. Por a mund t’i kërkohej një fotografi të mbyllte sytë dhe aparatin përpara një panorame që asokohe pakkush kish mundur ta depërtonte e aq më pak ta fotografonte. Piet de Blanken nuk iu bind urdhrit dhe nisi të ekspolorojë me aparatin e vet në kërkim të atij «fundi pa fund» (siç thotë një lirikë e Paul Celan) të jetës shqiptare. Dy herë u pikas dhe dy herë u arrestua nga punonjësit e Sigurimit që i sekuestruan filmat dhe sendet personale, pa shtënë dot në dorë negativët që i nxori jashtë kufirit një nga turistët e grupit. Johan Janse, sot 90 vjeçar shpëtoi kësisoj 35 negativë që tregonin anën tjetër të Shqipërisë, asaj që i shpëtoi syrit të kontrollit dhe censurës.

Pas tridhjetë vitesh, pesëdhjetë nga fotot e shkrepura nga Piet de Blanken ekspozohen në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar si pjesë e ekspozitës «The Other Side of Albanian Communism». «Ana Tjetër e Komunizmit Shqiptar» ka mbledhur bashkë dymbëdhjetë fotografë të famshëm holandezë, dhe 150 foto të tyre që dokumentojnë një pjesë të rëndësishme të periudhës para dhe gjatë revolucioneve të ndryshme në vendet e ish-Bllokut Lindor. Ata kanë qenë dëshmitarë të momenteve kyç historike, që nga krijimi në 1980-ën i Solidarnosit, deri tek rënia e Murit të Berlinit apo revolucionit në Rumani në vitin 1989. Krahas dokumentimit historik puna e fotoreporterëve ka qenë e fokusuar edhe në fiksimin e momenteve të zakonshme të përditshmërisë, jetën e njerëzve të thjeshtë tre dekada më parë nën sistemin komunist, në një gjeografi fotografike të admirueshme që prek për fatin tonë edhe Shqipërinë.

Fotografi Ad Nuis, njëkohësisht kurator i ekspozitës thotë se ky material i vyer historik që risjell në kujtesë si dukej Shqipëria e viteve të fundit të diktaturës në sytë e një fotoreporteri të huaj ekspozohet për herë të parë për publikun shqiptar pas një rrugëtimi interesant në pjesën dërrmuese të vendeve të lindjes, e pas Tiranës edhe në Moskë. Piet de Blanken sot 67 vjeçar nuk mundi të rikthehej në Shqipëri pasi vijon punën si fotoreporter në kufirin me Turqisë dhe Sirisë por kujton gjithmonë me kënaqësi vizitën në Tiranë dhe odisenë e fotove të shkrepura përvjedhurazi shoqëruesve të grupit holandez në vendin ku mbizotëronte paradoksi komunikativ. Të huajt lejoheshin të vizitonin Shqipërinë por jo të shkrepnin foto që dilnin jashtë kornizës apo kontrollit të pushtetit të kohës.

Syri i Piet De Blanken ka fiksuar në celuloid aspekte interesante të jetës dhe punës, në një bashkësi të ndërtuar e konceptuar ndryshe nga fronti perëndimor prej nga vinte. Tërësia e fotove paraqet një pamje të paparashikuar dhe shumëplanëshe të kësaj ane të Bllokut Lindor të atyre viteve, të jetës së zhveshur, të heronjve të heshtur, të klasës punëtore në frontin e punës, të njeriut të rraskapitur e të vuajtur, i pazoti për të marrë në dorë fatet e tij. Është interesant fakti se fotografit tonë nuk i ka interesuar shumë aspekti urban i qyteteve tona (ka vetëm një foto me mozaikun e fasadës së Muzeut Historik) por portretizimi i njerëzve të zakonshëm, varfëria e skajshme dhe «jeta e zhveshur» apo «njeriu pa përmbajtje» po të huazonim termat e filozofit të njohur italian Giorgio Agamben. Jeta e zhveshur që në gjuhën tonë popullore jo rrallë shqiptari i dëshpëruar e ka etiketuar si «jetë qeni».

Do të gjeni aty foto të jashtëzakonshme bardhë e zi të burrave e fëmijëve që transportojnë qumësht hipur në kuaj e gomarë, bunkerë të shumtë të përhapur në çdo cep e skutë të vendit, plaka me shami, gra që punojnë shtiza, burra që luajnë bilardo, fshatarë, ushtarë, punëtorë me qerre, studentë, bujq, këmbësorë e biçiklistë, njerëz që lexojnë «Zërin e Popullit» në foto ku ndjehet varfëria dhe ideologjia në fragmentet e shkrepura. Është Shqipëria e një topitjeje të dëshpëruar e të dorëzuar të tridhjetë viteve më parë ndërsa Europa Lindore bëhej gati të përmbyste sistemin Komunist që përjetonte grahmat e fundit.

Ekspozita është një kumt për një dialog më të hapur e më gjithëpërfshirës me të shkuarën dhe asaj çka përfaqësonte Shqipëria në fund të viteve 80-të. Vihet re në këto foto një kontrast i jashtëzakonshëm mes asaj që regjimi i asaj kohe kishte propaganduar dhe ushqyer për Shqipërinë dhe asaj që realisht gjenin turistët apo vizitorët e paktë që shkelnin në vend. Të bën përshtypje peizazhi rural e urban i njeriut socialist, gjeometria e jetës dhe e hapësirës të cilat për mirë a për keq sot nuk kemi arritur t’i ruajmë. Kanë një dritë të brendshme këto foto që i jep vërtetësi dhe ekspresivitet shkrepjeve, ku de Blanken na vendos përballë vështrimit të tij.

Çfarë efekti shkaktojnë këto foto tek ata që i shohin sot pas thuajse tridhjetë vjetësh? Çfarë ndërgjegjësimi ka brezi i ri për periudhën e komunizmit në Shqipëri dhe a është bërë mjaftueshëm për ta përcjellë atë deri në ditët tona? Pesëdhjetë fotot e Piet de Blanken do të qëndrojnë të ekspozuara deri në fund të gushtit në ambientet e Muzeut Historik si një rast i shkëlqyer për të reflektuar jo thjesht mbi të kaluarën por edhe si një mundësi ndërgjegjësimi për brezin e ri fare pak të ndjeshëm për Shqipërinë komuniste dhe debatin me të shkuarën.

(Botuar fillimisht te «Peizazhe të fjalës». Ribotohet me lejen e autores).