Më shumë se për një ligj «slloven», RTK ka nevojë për një «menaxhment slloven»

Financimi direkt nga buxheti i shtetit e ka shkëputur përfundimisht televizionin publik nga publiku. Të dy palët rrallë interesohen për njëra-tjetrën, dhe atë kryesisht pas ndonjë skandali si ai i mostransmetimit të koncertit të pavarësisë.




Para disa ditësh, Komisioni Parlamentar për Media i Kuvendit të Kosovës bëri një veprim të padëgjuar më parë në praktikën parlamentare – ftoi dëgjim publik për të komentuar një ligj të një vendi të huaj. Në ftesën e Komisionit thuhej se komisioni do ta marrë Ligjin e Radio-Televizionit të Sllovenisë si bazë për hartimin e Ligjit për RTK-në. Madje ligji slloven ishte shpërndarë i përkthyer qysh para takimit. Edhe pse qëllimi i takimit ishte që deputetët të marrin komentet e palëve të interesit mbi ligjin slloven, pakkush u mor me të. Të gjithë e dinë se Radio-Televizioni i Kosovës nuk mund të bëhet si Radio-Televizioni i Sllovenisë. Për më tepër, ligji slloven as që përmend disa nga problemet e shtresuara në RTK, si mungesa e pronës, rritja enorme e borxhit të jashtëm, mosdigjitalizimi, apo mungesa e sinjalit në tërë territorin e Kosovës. Por ka një arsye përse Komisioni ka marrë mundin ta përkthejë ligjin slloven. Është sistemi i përzier i financimit që aplikon RTV Sllovenia.

Që nga viti 2010, RTK financohet drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit. Kjo formë e financimit po kritikohet ashpër nga zyra e Bashkimit Europian. Po ashtu, financimi nga shteti është në kundërshtim me vetë Ligjin për RTK-në, i cili e parashihte atë vetëm si masë të përkohshme tre vjeçare. Me fjalë të tjera, secili ministër i financave që ka aprovuar buxhet për RTK-në pas vitit 2015, mund të ketë vepruar në kundërshtim me ligjin. Në tentativë për ta bërë ligjin e ri, Komisioni Parlamentar për Media i legjislaturës së kaluar kishte aprovuar një model me financim të përzier, ku RTK do të financohej përmes parapagimit të tarifës mujore prej 2.5 euro në faturat e energjisë elektrike, dhe njëkohësisht RTK-së do t’i ndahej financim edhe nga shteti në shumën deri 0.4 për qind të buxhetit të Kosovës. RTK po ashtu do të gëzonte të drejtën për të hyra edhe nga marketingu. Kur u prezantua vitin e kaluar, ky model u pëlqye nga RTK, por u kundërshtua nga shoqëria civile dhe Komisioni Europian.

Si duket, Komisioni i ri Parlamentar, përmes ligjit slloven, dëshiron ta çojë përpara nismën e komisionit paraprak. Nëse RTV Sllovenia gëzon të hyra nga parapagimi, nga buxheti i shtetit dhe nga marketingu, edhe RTK duhet t’i ketë që të tria. Kriteret e rrepta të ligjit slloven mbi llogaridhënien, mënyrën e shpenzimit të buxhetit, apo kufizimet strikte për marketing, dyshoj se do t’i përmend dikush. Nëse zbërthehet në shifra modeli që kishte parashikuar komisioni i kaluar parlamentar, buxheti vjetor i RTK-së do të rritej nga 12 në rreth 23 milionë euro. Duke aplikuar tarifën prej 2.5 euro për konsumator, e në Kosovë janë mbi 540 mijë konsumatorë të energjisë elektrike, shuma e inkasimit total vjetor do të ishte rreth 15 milionë euro. Nëse përjashtohen kategoritë që lirohen nga parapagimi dhe numri i parapaguesve reduktohet në 450 mijë, përsëri të hyrat vjetore nga parapagimi do të silleshin në rreth 13 milionë euro. Kur i shtohen kësaj edhe mbi dy milionë euro të hyra nga marketingu, buxheti vjetor i RTK-së do të arrinte në 15 milionë euro. Dukshëm më i madh se buxheti aktual. Këtë formë të financimit RTK e kishte aplikuar gjatë viteve 2003-2009.

Por, përtej buxhetit nga parapagimi, dikush nga komisioni i kaluar parlamentar kishte paraparë që RTK-së t’i ndahen çdo vit edhe rreth 8 milionë euro (0.4 për qind) nga buxheti i shtetit për «financimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve të rëndësishme». Kjo formë e dhënies së ndihmës shtetërore, pa arsyetim dhe planifikim të saktë, e cila favorizon direkt vetëm një transmetues dhe dëmton konkurrencën, do të ishte në kundërshtim edhe me rregullat e Komisionit Europian për financimin e transmetuesve publikë (2009/C 257/01). Sipas rregullave të BE-së, parametrat mbi të cilat kalkulohet ndihma shtetërore duhet të vendosen paraprakisht dhe të bëhen transparente. Kërkesat e RTK-së për fonde për investime në teknologji apo në fushën e digjitalizimit, apo për «aktivitete dhe ngjarje të veçanta», do të mund të bëheshin përmes plan-projekteve specifike dhe sipas kërkesave, por jo në bazë të përgjithshme (paushall) duke i dhënë çdo vit 0.4 për qind të buxhetit të shtetit. Kjo formë e financimit do ta vinte transmetuesin publik në një pozitë akoma më të favorshme financiare karshi mediumeve private, dhe njëkohësisht do të ishte tatim i dyfishtë për qytetarin.

Nëse Komisioni Parlamentar parasheh këtë model gjeneroz të financimit, jo vetëm se nuk do të ishte në përputhje me «ligjin slloven», por do të dështonte sikurse vitin e kaluar. E nisma ligjore për transmetuesin publik ka pasur çdo vit. Përvoja na thotë se ato kanë pasur vetëm një qëllim, të diskutohet rreth të ardhmes së RTK-së, por RTK të mbetet po ajo që është, Radio-Televizion publik, me financim të garantuar nga shteti, autonomi të plotë menaxheriale dhe mbikëqyrje minimale nga Kuvendi. Për të aplikuar një ligj slloven, nevojitet edhe një parlament «slloven» dhe sidomos një menaxhment «slloven», i cili jep përgjegjësi për paranë publike dhe politikën redaktoriale.

Jeton Mehmeti është Drejtorit i Hulumtimeve në Institutin GAP në Prishtinë.
(kallxo.com)