Më shumë se futboll: lidhjet e shqiptarëve me Zvicrën

Frangat, veturat, shtëpitë e papërfunduara në Kosovë dhe shumë gjëra të tjera në jetën e çdo shqiptari të Kosovës dhe Maqedonisë zgjojnë kujtime për Zvicrën. Por, ka edhe shembuj të tjerë: Max Frisch në Kosovë, Konstantin Araniti në Vatikan si komandant i Gardës Zvicerane të Papës, Johann Ulrich Graf von Salis-Seewis, një zviceran në Shkup që duhej të reformonte ushtrinë turke të Vilajetit të Kosovës.

Kombëtarja zvicerane.



Edhe pak orë fillon ndeshja e futbollit mes Zvicrës dhe Suedisë, andaj ky është ndoshta momenti që në mënyrë telegrafike të sjellim ca dëshmi se çfarë raportesh kanë shqiptarët me Zvicrën?

Një politikan cinik zviceran dikur pati thënë se Zvicra është një Shqipëri alpine dhe e korruptuar. Natyrisht këtë krahasim nuk duhet marrë aq seriozisht, intelektualët ekzistojnë edhe për të provokuar ndonjëherë masën. Sjellja e masës pastaj tregon nëse ajo e kupton provokimin apo jo. Për shumë politikanë të djathtë zviceranë, por edhe media ultraagresive dhe të djathta prania e shqiptarëve në Zvicër është provokim.

«Invalidë të rrejshëm», «njerëz që me mashtrime marrim ndihma sociale», «dilerë droge» etj. Kjo gjuhë është e ashpër, por nuk janë shqiptarët engjëj. Në vitet ’90 një grup vëllezërish nga rrethina e Deçanit bëri emër në viset zvicerane duke u futur natën në vila dhe plaçkitur. Kjo u dukej pak, andaj ua mbyllnin plakave gojën që ato të mos mund të flisnin dhe merrnin frymë. «Schlafzimmerräuber» – plaçkitës të dhomave të fjetjes, kështu i pati quajtur shtypi zviceran.

Ndërkohë gjërat kanë ndryshuar. Me çlirimin e Kosovës shqiptarët në Zvicër kanë filluar të krijojnë një raport më normal me vendlindjen: Kosova dhe Maqedonia nuk bëhen Zvicër, së paku jo aq shpejt, andaj duhet lënë anash zemërimin e përditshëm, disa madje nuk e shohin më si detyrë patriotike të dërgojnë para në Kosovë e Tetovë orë e çast. Kur njerëzit pajtohen se ardhmëria e tyre është në «vend të huaj», kur ky «vend i huaj» fillon të perceptohet si «atdhe i dytë» gjërat lëvizin. Kështu ka ndodhur me shqiptarët. Vala e re e integrimit ka filluar me pavarësimin e Kosovës. Për shumë shqiptarë të diasporës pavarësia e Kosovës është si heqje e një barre. Tash secili t’i grah punës si di më së miri.

Frangat, veturat, shtëpitë e papërfunduara në Kosovë dhe shumë gjëra të tjera në jetën e çdo shqiptari të Kosovës dhe Maqedonisë zgjojnë kujtime për Zvicrën. Por, ka edhe shembuj të tjerë: Max Frisch në Kosovë, Konstantin Araniti në Vatikan si komandant i Gardës Zvicerane të Papës dhe Johann Ulrich Graf von Salis-Seewis, një zviceran në Shkup që duhej të reformonte ushtrinë turke të Vilajetit të Kosovës.

Si shqiptarët edhe zviceranët në Mesjetë kanë qenë popull që nuk ka përtuar të luftojë. Herë për vete, e herë duke ofruar shërbime mercenarie. Malet shqiptare kanë «furnizuar» Perandorinë Osmane me ushtarë, zviceranët popujt përreth. Duke qenë mercenarë me nam ata u vunë në shërbim të Papës dhe që nga Mesjeta Garda Zvicerane kujdeset për sigurinë e kreut të Kishës Katolike. Ndër komandantët e parë të Gardës Zvicerane të Papës ishte Konstantin Araniti, një shqiptar. Të tjerë shqiptarë, sidomos ortodoksë, shërbyen bashkë me grekë në kalorësinë e Venedikut.

Një personalitet i njohur ushtarak me «biografi ballkanike» është Johann Ulrich Graf von Salis-Seewis (1862-1940). Ai ishte i biri i një oficeri me origjinë nga Malansi i kantonit Graubünden, i cili iu bashkua ushtrisë austrohungareze, dhe i një aristokrateje kroate nga Karllovci. Mes viteve 1903-1906 Johann Ulrich Graf von Salis-Seewis ishte kolonel-lejtënant në Shtabin e Përgjithshëm të Armatës Austrohungareze në Shkup (Üsküp). Nga Shkupi ky oficer me origjinë zvicerane ishte përgjegjës për reformimin e xhandarmërisë turke në Vilajetin e Kosovës.

Një zviceran shumë prominent, i cili ka lënë një gjurmë të vogël në Kosovë është Max Frisch, njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj zviceranë. Frisch (1911-1991) ndërmori një udhëtim nëpër Ballkan në verën e vitit 1933. Në Dubrovnik shkroi romanin e parë, në Sarajevë u habit me bukurinë e grave të mbuluara myslimane, Beogradi nuk i pëlqeu fare, ndërsa rrugës për në Greqi e Turqi Max Frisch kaloi nëpër Kosovë. Në Manastirin e Deçanit edhe sot ruhet një shënim që ai ka lënë aty. Frisch nuk ishte njohës i Ballkanit, vetëm kureshtar.

Nga fillimi i viteve ’60 lidhjet mes Kosovës dhe pjesës shqiptare të Maqedonisë me Zvicrën u rivendosën përmes mijëra punëtorëve shqiptarë. Ata vinin këtu për të punuar si punëtorë sezonalë, «me garanci», nëntë muaj punë në kantiere, në bujqësi, në hoteleri. Tre muaj në Kosovë. Pastaj sërish nëntë muaj në Zvicër. E kështu me radhë. Zvicra në fillim as që ishte e interesuar t’i integronte këta njerëz, ata çmoheshin vetëm për muskujt e tyre dhe të gjitha trajtoheshin si «jugo», jugosllavë. Edhe shqiptarët në fillim jetuan me iluzionin se pasi t’i kursejnë disa para, do të kthehen në atdhe, a nuk i quante propaganda komuniste «punëtorë të punësuar përkohësisht në botën e jashtme»? Por, përkohësia u bë shpejt përhershmëri. Me keqësimin e gjendjes politike në Kosovë në Zvicër filluan të vijnë jo vetëm punëtorë krahu, por edhe aktivistë politikë, patriotë të sinqertë, por edhe parullashkrues naivë.

Në vitin 2018 supozohet se në Zvicër jetojnë mbi 200 mijë shqiptarë – me dhe pa pasaportë zvicerane. Për ekipin kombëtar të futbollit të Zvicrës luajnë katër shqiptarë, të gjithë shtylla të ekipit, andaj ata kanë meritat e tyre që shqiptarët tani janë bërë pjesë e debateve publike në këtë vend, larg kronikave të zeza. Por, as aty nuk janë të papërfaqësuar shqiptarët. Të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Shqipërisë – bashkë janë, vëllezër në kryerjen e delikteve, sot arrestohen disa për shitje të drogës, nesër kapet ndonjë gjaknxehtë që vret gruan dhe një punëtore sociale, pasnesër kapet ndonjë bandë që falimentimin e firmave e ka shndërruar në biznes. Do të ketë të tillë edhe në të ardhmen.

Por, në të ardhmen, kjo është shpresa e madhe, do të dominojnë të mirët. Që kjo të mos mbesë vetëm shpresë, duhet një organizim larg më i mirë i shqiptarëve. E këtu zor të gjesh ilaç. Një shqiptar mund të ketë sukses në jetën publike të Zvicrës dhe garant do të çohen në këmbë 1000 të tjerë që me shkumë xhelozie do të fëlliqin kudo ku arrijnë. Një shembull: një mjek zemre me renome ndërkombëtare tregonte se si një pacient shqiptar, të cilit ia kishte shpëtuar jetën, pas një kontrolli i kishte thënë infermieres: «A di ky shqiptari të operojë? Dua të më dërgoni te një mjek zviceran». Ky mund të jetë një rast individual, por tepër ilustrativ. Siç është ilustrative ende përpjekja e prindërve konservatorë për t’i martuar fëmijët me çdo kusht «me dikë atje poshtë» (Kosovë, Maqedoni, Luginë e Preshevës). Shpesh martesat që fillojnë në Kosovë me një dasmë patriotike përfundojnë në tmerr martesor brenda ndonjë banese të vjetër, depresive në ndonjë lagje periferike të Zvicrës, ku atraksioni i vetëm është blerja e suxhukut te dyqanxhiu i lagjes, i cili natyrisht vjen nga Kosova, Bosnja, Turqia apo Tunizia.

Sot fiton Zvicra. Nesër dhe në të ardhmen shqiptarët në Zvicër kanë shumë punë për të bërë që të jenë komunitet vërtet i integruar mirë dhe i pakompleksuar, pa ndjenjë inferioriteti. Shenjat janë të mira. Njëra ndër to: Valon Behrami dashuron Lara Gut. Dhe anasjelltas!