Me satirë therëse kundër Serbisë

Mbi imazhin e Serbisë në gazetën humoristike të Vjenës «Wiener Caricaturen» në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, mbi disa thumbime të bajraktarëve shqiptarë, të cilët kërkonin që t’u lejohej bartja e përhershme e armëve – dhe mbi propozimin e Perandorit gjerman Wilhelmit II, që Shqipëria të sundohej nga një princ serb.

Libra të vjetra në Bibliotekën e Vjenës. Foto: Shutterstock



Pothuaj çdo luftë së pari ka filluar me fjalë. Kundërshtari politik apo rivali ushtarak është përshkruar si armik i përbetuar. Përmes mjeteve të propagandës është bartur mesazhi te populli mbi rrezikun që kanosej nga ky armik. Në kohërat moderne, sidomos në shekullin XX, mjeti kryesor i propagandës kanë qenë mediet, kryesisht shtypi. Në këtë kuadër nuk paraqesin ndonjë përjashtim as vitet në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në fund të korrikut 1914. Në atë kohë shtypi nacionalist serb nuk i përshkruante vetëm shqiptarët si etni në «nivel të ulët kulturor» dhe kështu arsyetonte ndërhyrjen brutale të shtetit në jetën e tyre sociale.

Propagandë e madhe bëhej edhe kundër Perandorisë Austro-Hungareze, e cila kontrollonte Bosnjë-Hercegovinën nga viti 1878. Në shtypin serb të kohës botoheshin rrëfime rrëqethëse mbi vuajtjen e serbëve në trevat përtej lumit Drina, i cili ishte kufiri natyror mes Serbisë dhe Bosnjës. Ndonëse nuk mund të mohohet se në fshatra të caktuara të Bosnjës autoritetet e reja keqtrajtonin bujqit serbë, në përgjithësi nën regjimin austro-hungarez Bosnja shënoi përparim të dukshëm ekonomik, infrastrukturor, kulturor dhe arsimor. Gjurmët e asaj kohe mund të shihen edhe sot në arkitekturë dhe infrastrukturë (veçanërisht hekurudhat).

Paralelisht me propagandën serbe kundër Monarkisë Danubiane, edhe shtypi i Vjenës nuk rrinte indiferent. Përveç gazetave politike, të cilat komentonin rolin konfliktnxitës të Serbisë në Ballkan, një rol prijës në thumbimin e serbëve e luante gazeta humoristike «Wiener Caricaturen».

Në sytë e banorëve të monarkisë skicohej imazhi i serbëve të rrezikshëm dhe primitivë. Intrigat politike në Serbi, vrasja e llahtarshme e çiftit mbretëror në Beograd në vitin 1903, lartësimi i krimeve dhe kulti i personaliteteve vrastare i kishin dhënë mjaft shembuj e material medieve të Vjenës për të vizatuar tablonë e shoqërisë serbe. Kështu «Wiener Caricaturen» e datës 1 dhjetor tallej me familjen mbretërore Karagjorgjeviq: «Bota e kulturuar nuk do të humbë shumë nëse Karagjorgjeviqët nuk qëndrojnë më në fron, por pjekin raki, merren me tregtimin e grave apo kryejnë ndonjë pazar tjetër të sllavëve të jugut». Me ironi përshkruhej tradita politike serbe, e cila vazhdon edhe sot dhe ka të bëjë me përgënjeshtrimin e çdo roli të Serbisë në konfliktet në vendet fqinje.

«Gjithçka po demantohet: qëllimet për luftë, dhunimet e konsujve, proteksioni princëror rus, masakrat ndaj shqiptarëve, fitoret turke dhe të vdekurit serbë. Vrulli për demant është bërë tamam një ‘Dementia paralytica serbia’». Sa i përket dhunimit të konsujve, gazeta aludon në këtë rast: në vjeshtë të vitit 1912 autoritetet serbe e kishin burgosur konsullin austro-hungarez në Prizren, Oskar Prochaska.

Ministria e Jashtme në Vjenë kishte nisur menjëherë hetimet dhe kishte konstatuar se diplomati ishte ndalur nga serbët në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por nuk kishin qenë të vërteta njoftimet e shtypit austriak se konsulli ishte tredhur nga serbët. Ndonëse dihej se konsulli nuk ishte zhburrnuar, Vjena kishte pritur mbi një muaj derisa kishte demantuar njoftimet në shtyp. Qëllimi ishte që lajmi për tredhjen e Prochaskas të ushtronte efektin e vet në opinion. Historiani australian Christopher Clark e quan këtë sjellje të Ministrisë së Jashtme në Vjenë një përpjekje «modeste, por të ngathët të manipulimit medial».

Një çështje tjetër që kritikohej e shpotitej nga gazeta «Wiener Caricaturen» ishte synimi i Serbisë për të depërtuar në det – një ëndërr që Beogradi u përpoq ta realizonte jo vetëm në fillim të shekullit XX, por edhe në vitet ‘90 me agresionin kundër Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjë-Hercegovinës. Me pavarësimin e Malit të Zi në vitin 2006 dhe hyrjen në NATO në vitin 2017 dalja në det e Serbisë duket e pamundshme. Në lidhje me ambiciet për dalje në det të Serbisë «Wiener Caricaturen» nuk ngurronte të lëshohej në nivel racist: «-Serbët po thonë se kanë nevojë jetësore ta kenë Adriatikun. – Po, menjëherë po besoj, aq ujë sa u duhet atyre për t’u larë ka vetëm një det i madh».

Në numrin e 15 dhjetorit 1912 gazeta merrej me ambasadorin rus në Beograd Nikolai Hartvig, i cili ishte një pansllavist agresiv dhe mbështetës i planeve serbe për zgjerimin territorial të Serbisë. «I dërguari rus, Hartvig, po e përqesh planin për t’ua dhënë pavarësinë shqiptarëve, pasi që ata gjoja na qenkan tepër të egër. – E po mirë, ata ende nuk e kanë arritur atë nivel civilizimi siç është vrasja e çiftit mbretëror serb». Me këtë shkelm retorik sillej në vëmendjen e lexuesve vrasja e Mbretit Aleksandar Obrenoviq dhe gruas së tij Draga Mashin në fillim të qershorit 1903 – një vrasje që ka hyrë në histori si tepër brutale. Ja si e përshkruan këtë ngjarje historiani Christopher Clark në librin e tij «Somnabulët. Si u hodh Europa në Luftën e Parë Botërore»: «Pak para orës dy të mëngjesit të datës 11 qershor 1903, 28 oficerë të ushtrisë serbe iu afruan hyrjes kryesore të Pallatit Mbretëror në Beograd. Pas shkëmbimit të zjarrit rojat u arrestuan dhe u çarmatosën para ndërtesës. (…) Sipas një versioni Mbreti u shfaq duke u dridhur nga frika, me syze mbi hundë dhe i veshur sa për të thënë me një këmishë të kuqe, derisa në krahët e tij e mbante Mbretëreshën. Çifti u vra me një breshëri plumbash nga afërsia. (…) Pastaj nisi një orgji e pakuptimtë e dhunës. Sipas deklaratës së mëvonshme të berberit të traumatizuar italian të Mbretit, i cili ishte urdhëruar t’i merrte trupat dhe t’i bënte gati për varrim, kufomat ishin prerë me shpata, ishin çarë me bajonetë, pjesërisht ishin rrjepur dhe grirë me sëpatë dhe ishin sakatuar aq shumë, saqë s’njiheshin më.

Kufoma e Mbretëreshës u tërhoq zvarrë te parmakët e dritares së dhomës së fjetjes dhe pothuaj lakuriq dhe e mbuluar plotësisht me gjak u hodh në kopsht. Kur vrasësit u përpoqën të bënin të njëjtën gjë me Aleksandrin, supozohet se për një çast dora e Mbretit u kyç në parmak. Një oficer ia preu pastaj grushtin me shpatë. Gishtat dhe trupi i monarkut ranë në tokë. Kur atentatorët u mblodhën në kopsht për të pirë nga një cigare dhe për të inspektuar aktin e tyre shkatërrues, filloi të binte shi».

«Wiener Caricaturen» ironizon edhe indiferencën e atëhershme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj krimeve serbe kundër shqiptarëve. Për shembull: «Kur serbët i çuan disa prijës shqiptarë për t’i vrarë te një zjarr, këta protestuan: ‘Kjo nuk është mirësjellje konvencionale me Gjenevën’».

Gazeta tallej edhe me mentalitetin prej cubi të bajraktarëve shqiptarë. Në numrin e 5 korrikut 1914 ajo raportonte mbi një «ofertë shqiptare»: «I thoni Mbretit tuaj: 1. Ai duhet të largohet. 2. Bashkë me ne ai duhet t’i brohoris një princi muhamedan. 3. Ai duhet të na lejojë të bartim armë. 4. Ai duhet t’i falë të gjithë kryengritësit dhe vrasësit. 5. Ne mund të zhvillojmë luftë sa të duam. – Këto janë propozimet tona për paqe».

Ndonëse gazeta «Wiener Caricaturen» tallej paksa me shqiptarët, Ministria e Jashtme në Vjenë ishte mbështetëse e pavarësisë së Shqipërisë si digë mbrojtëse kundër daljes së Serbisë në det. Por, Perandori gjerman Wilhelmi II nuk e kishte me humor kur në nëntor 1912 ia bënte me dije Vjenës se Gjermania nuk do ta mbështeste Austro-Hungarinë në veprimet e saj kundër Serbisë për shkak të depërtimit të kësaj të fundit në viset shqiptare. Wilhelmi II thoshte se vendi i tij «në asnjë rrethanë» nuk do të marshonte «kundër Parisit dhe Moskës për shkak të Shqipërisë dhe Durrësit».

Më 9 nëntor 1912 ai i propozoi Ministrisë së Jashtme në Berlin që t’i bënte presion Vjenës që Shqipërinë ta vë «nën sundimin e një princi serb». Pas fjalëve të forta dhe pas dy luftërave ballkanike filloi lufta e lemerishme – ajo që në histori do të hynte si Lufta e Parë Botërore.