Me peticion kundër mësimit gjithëditor në «Faik Konica» të Prishtinës

Prindërit e nxënësve të paraleles III/3 të shkollës «Faik Konica», me një peticion dërguar drejtorive të shkollës dhe asaj të Arsimit në Komunë, kanë kundërshtuar zbatimin e mësimit gjithëditor. Ky pilotprojekt është paraparë të nisë së zbatuari nga 1 tetori.




Me peticion ata kanë bërë të ditur se nuk e pranojnë pilotprojektin e Komunës për mësimin gjithëditor. Sipas tyre, nuk ekzistojnë kushtet për implementimin e këtij pilotprojekti në këtë vit shkollor, në të cilin parashihet të përfshihen 10 paralele, shkruan sot «Koha Ditore».

«Mungesa e hapësirave adekuate, numri i madh i nxënësve në klasa, pamundësia e sigurimit të shujtave ditore, rreziku nga moskujdesi higjienik në raport me moshën e fëmijëve, orari shumë i papërshtatshëm i daljes së fëmijëve nga shkolla, shkakton telashe tek prindërit apo kujdestarët (nuk është kohë pauze), e probleme të tjera, bëjnë që ky projekt të mos ketë miratimin tonë», thuhet në peticionin e prindërve dërguar DKA-së dhe Drejtorisë së shkollës.

Prindërit kanë bërë të ditur se nuk janë kundër mësimit gjithëditor, porse janë kundër mosplanifikimit të duhur të projektit.

Në anën tjetër, drejtoresha e DKA-së, Arbërie Nagavci, ka mohuar që në shkollë ka hapësirë të pamjaftueshme. Ajo ka thënë se është intervenuar në kabinete dhe tashmë ato janë të gatshme të përdoren për mësim.

«Për 10 paralele që do të mbajnë mësimin gjithëditor ka hapësirë të mjaftueshme, pasi është bërë izolimi i kabineteve dhe ato janë të gatshme për mbajtjen e mësimit. Është vërtetuar se leximi ndikon shumë mirë në zhvillimin e fëmijëve, andaj për këtë arsye një orë do të jetë për lexim, ndërkaq tashmë kemi dërguar në shkollë 3 mijë e 500 tituj të rinj. Është rregulluar edhe salla e psikologes, dhe sipas të gjitha gjasave do të jetë edhe 1 infermiere, e cila do të qëndrojë në shkollë. Janë identifikuar prindërit e gatshëm të bashkëpunojnë dhe kemi arritur marrëveshje me Drejtorinë e Kulturës, teatrin ‘Dodona’ e Fakultetin e Edukimit që të na ndihmojnë», ka thënë Nagavci. Ajo ka shtuar se Komuna ka marrë edhe përkrahjen e MASHT-it në këtë drejtim.

Sipas Nagavcit, DKA-ja ka pasur takime të shumta me Këshillin drejtues të shkollës, ku në mesin e tyre kanë qenë edhe shumë prindër.

«Natyrisht se ne nuk mund të takohemi me të gjithë prindërit, por kemi mbajtur takime të shumta me Këshillin drejtues të shkollës ku ka pasur përfaqësues të prindërve. Është e vërtetë që nuk janë kushtet e duhura, mirëpo duhet të dimë që nuk ka gjasa që kushtet të ndryshojnë për një periudhë kaq të shkurtër», ka shtuar Nagavci. Ajo ka theksuar se mësimi gjithëditor do të fillojë më 1 tetor, mirëpo, sipas saj, do të merren parasysh edhe kërkesat e prindërve.