Më pëlqen kur hesht

Pablo Neruda



Më pëlqen kur hesht, është, si të mos jesh,
më dëgjon së largu, dhe zëri im s’të prek.
Sikur sytë e tu fluturim kanë ikur
e duket se një puthje, gojën ta ka kyçur.

Si të gjithë gjërat mbush‘ me timin shpirt
ti shfaqesh prej tyre, mbush‘ me shpirtin tim.
Flutur ëndrrash je, ngjan si shpirti im,
dhe të përngjan më mirë fjala melankoli.

Më pëlqen kur hesht, është si të jesh larg.
është sikur ankohesh, flutur që gugat.
Më dëgjon së largu, zëri im s’të mbërrin:
Lermë në heshtjen tënde të gjej qetësim.

Lermë edhe të flas me tënden heshtje
E dëlirë si dritë, si unazë, e thjeshtë.
Ti si nata je, yjeplotë dhe e qetë.
Yjore heshtja jote, aq e largët dh’e sinqertë.

Më pëlqen kur hesht, është si të mos jesh.
E largët e trishtuar sikur të kesh vdekë.
Një fjalë pastaj, një buzagaz është mjaft.
Dhe mbushem me gaz, i lumtur që të kam.

Përktheu: Maksim Rakipaj