Me operatorin e tretë, Serbia mund të përgjojë çdo telefonatë

Ka kohë prejse është duke u përfolur mundësia që institucionet kosovare përgjohen nga shteti i Serbisë.




Kjo çështje deri tash sillej vetëm në suaza të spekulimeve. Për rrezikun që vjen nga përgjimi, është diskutuar në komisionin për mbikëqyrjen e AKI-së, raporton KTV.

Derisa nuk ka një përgjigje të saktë nëse institucionet përgjohen apo jo, eksperti i telekomunikimeve, Ismet Hamiti, thotë se një rrezik shumë të madh nga përgjimi paraqet futja në Kosovë e operatorit të tretë.

Ai e quan katastrofale marrëveshjen për lejimin e operatorit të tretë dhe thotë se çdo shërbim i këtij shteti mund të ketë qasje në informacionet e institucioneve të Kosovës.

Njohësi i fushës së përgjimeve, Arianit Dobroshi, thotë se është shumë i rëndësishëm edhe fakti se nga kalon trafiku ndërkombëtar i telekomunikimeve. Ai thotë se trafiku i Kosovës duhet të drejtohet nga Shqipëria, e jo të mbetet përmes Serbisë, transmeton Koha.net.

Kohë më parë, në Mitrovicën Veriore janë instaluar disa antena, të cilat shfrytëzohen nga operatorët ilegalë serbë.