Me nudizëm drejt «bashkimit kombëtar»

Sa herë që dalin në shesh skandale të reja të keqqeverisjes, afera korrupsioni dhe sa herë ka protesta kundër pushtetit, politikanët shqiptarë flasin për «bashkim kombëtar». Kush i merr seriozisht këto thirrje populliste, është tepër naiv. Gëzofi patriotik shërben vetëm për të mbuluar tmerret e politikanëve.

Davidi i Michelangelos.



Në fillim të nëntorit kryeministri shqiptar Edi Rama befasoi opinionin me gardërobën e tij. Doli në publik i veshur me pantallona që dukeshin si dimi. Një lexues komentoi në profilin e Ramës në Facebook, duke shprehur habi e pakënaqësi me këtë pamje të kryeministrit të Shqipërisë. Rama, i cili nuk përton të bëjë muhabet në Facebook, iu përgjigj lexuesit: së pari e njoftoi se nuk ishte veshur me dimi, por me pantallona Yamamoto, pastaj e ofendoi qytetarin, duke i thënë se merrte vesh nga moda aq sa merr vesh majmuni nga brekët. Yamamoto është një markë japoneze, pantallonat e së cilës kushtojnë deri në 400 euro. Afërisht kaq rrogë merr një mësues në Shqipëri. Me 400 euro ai duhet të mbajë familjen.

Me stilin e fyerjes së publikut Rama e ka vazhduar edhe vitin 2019. Në profilin e tij zyrtar në Instagram ai ka postuar një fotomontazh, ku shihet koka e Ramës e vendosur mbi një statujë mermeri lakuriq (Davidi i Michelangelos!) dhe para statujës një grumbull oponentësh politikë duke bërë selfie. Po të ishte Rama vetëm një artist provincial nga Kurveleshi, postimi i tij s’do zgjonte interesimin e gati askujt. Por, ai është kryeministër i një vendi anëtar të NATO-s. Tirana shpreson se në qershor BE do të fillojë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë. Në vend të një mobilizimi të përgjithshëm nacional qeveria socialiste lë përshtypjen e një turme pa plan, ku fjalën e parë dhe të fundit e ka kryeministri – jo me ndonjë vepër të hairit, por me pirueta ekzibicioniste.

Ndërkohë skandalet s’kanë fund. Korrupsion. Tenderë të manipuluar që falë mediave të vëmendshme zbulohen dhe prokuroria është e detyruar të fillojë hetimet. Ka disa javë që protestat studentore në Shqipëri kanë shpalosur problemet e vërteta të vendit – një sistem arsimor të kalbur, me jo pak profesorë që studentëve dhe studenteve u kërkojnë para për t’i kaluar në provim, ndërsa studentet shpesh ballafaqohen edhe me kërkesa për të shkuar në shtrat me pedagogët. Reforma për drejtësi ende është reformëz, pa rezultate konkrete. Dhe mungesa e këtyre rezultateve mund ta lë Shqipërinë në tunel – edhe nëse formalisht çelen negociatat për anëtarësim në BE në qershor të këtij viti. Pasi në qershor të vitit 2018 BE nuk i hapi negociatat me Tiranën, ambasada e Mbretërisë së Holandës në kryeqytetin shqiptar njoftoi: «Ka ardhur koha për të arritur rezultate konkrete në të gjitha nivelet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për të ecur përpara në reformën në drejtësi. Holanda i qëndron qasjes së saj strikte dhe të drejtë dhe është e gatshme të bashkëpunojë edhe më tej me Shqipërinë në lidhje me këto reforma kyçe në periudhën që vijon». Si në shumë vende europiane edhe në Holandë problem kyç është operimi i bandave shqiptare të kokainës. Në këtë vend madje kanë kërkuar azil edhe oficerë të policisë shqiptare që kanë punuar në sektorin e antidrogës. Në Zvicër, e cila nuk është anëtare e BE-së, një oficer i policisë shqiptare që ka denoncuar lidhjet e anëtarëve të qeverisë me bandat e drogës, ka marrë azil pas përpjekjeve të pushtetit në Tiranë për ta ndjekur me akuza me gjasë të fabrikuara.

Keqqeverisja, kakofonia mes pushtetit e opozitës dhe polarizimi i shoqërisë deri në çmendi, ka shkaktuar dëshpërim të madh në shoqërinë shqiptare. Këtë e dëshmoi edhe një anketë e Gallupit, ku Shqipëria renditet e katërta në një listë me 152 vende sa i përket dëshirës së qytetarëve për t’u larguar nga vendi. Në një intervistë për «Zërin e Amerikës» Jon Clifton nga Gallup tha: «Në krye të listës ka vende si Sierra Leone, ku 75 për qind e njerëzve thanë se duan të largohen. Ndërkaq Shqipëria është e katërta në listë. 60 për qind e njerëzve thonë se do të donin të largoheshin përgjithmonë nga vendi».

Pushteti mund të kapardiset për sukseset e arritura, por, sipas Jon Clifton nga Gallup, «kur shohim GDP-në për frymë, në një vend si Shqipëria apo nëse shohim fuqinë blerëse të qytetarit në Shqipëri, ky vend renditet i 100-ti në botë. Pra, shumë njerëz besojnë se në Shqipëri nuk u ofrohen mundësitë ekonomike që mund të gjejnë diku tjetër. Shohim se tërheqja më e madhe për t’u vendosur në vende të tjera është ekonomia». Sipas Indeksit të Ligjit dhe Sigurisë të Gallup, Shqipëria është më e pasigurta në Ballkan, sepse njerëzit nuk kanë besim në autoritetet e sigurisë, sidomos në polici.

Siç vërejmë, Shqipëria ka shumë detyra para vetes. Për t’i kaluar barrierat e larta duhet angazhim i madh i qeverisë dhe opozitës, duhet një konsensus kombëtar dhe një dialog i gjerë shoqëror mbi domosdoshmërinë e realizimit të reformave të thella. Vullneti për të ndryshuar pozitivisht nuk shihet gati askund. Andaj pushteti në Tiranë i është kthyer popullizmit. Ka gjithnjë e më pak besim se Shqipëria mund të bëhet pjesë e BE-së dhe gjithnjë e më shumë dëgjohen tone kinse «patriotike». Qeveria e Edi Ramës hapur po mbështet ndarjen e Kosovës me shpresën se kjo do të jetë vetëm uvertura e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sa herë që dalin në shesh skandale të reja të keqqeverisjes, afera korrupsioni dhe sa herë ka protesta kundër pushtetit, politikanët shqiptarë flasin për «bashkim kombëtar». Kush i merr seriozisht këto thirrje populliste, është tepër naiv. Gëzofi patriotik shërben vetëm për të mbuluar tmerret e politikanëve. Retorika e bashkimit kombëtar është po aq e bindshme sa krahasimi i Edi Ramës me bukurinë e Davidit të Michelangelos. Sa më shumë që dridhet toka në Firence, aq më i madh rreziku që statuja e Davidit të bëhet përshesh për shkak se këmbët e tij janë jostabile. Sa më të shpeshta tërmetet dhe skandalet politike në Tiranë, aq më i madh rreziku për pushtetin. Andaj tani s’dëgjomë gjë tjetër veçse deklarata populliste.