«Më në fund Kosova u nis»: drejt humnerës

Qeverinë që e bën Lista Srpska, strukturat nëntokësore të PDK-së dhe ato parapolitike të AKR-së si dhe Lista e shitësve të vizave të Schengenit, e cila e keqpërdorë emrin e Ibrahim Rugovës, nuk është qeveri e Kosovës, por e Shumadisë.

Ilustrimi: Shutterstock



«Më në fund Kosova u nis». Kështu tha Ramush Haradinaj – ai që tani me gjasë është duke e bërë përzgjedhjen e kravatës për ditën kur do të zgjidhet në krye të një qeverie, të cilën do ta kontrollojnë PDK me strukturat e saj të nëntokës, AKR e oligarkut Behgjet Pacolli, e ashtuquajtura Lista Rugova dhe – natyrisht – Lista Srpska e presidentit të Serbisë.

«E kemi partneritetin tonë me kolegët nga Lista Rugova». Kështu tha Kadri Veseli pas nënshkrimit të marrëveshjes për koalicion me AKR-në. Ky është një partneritet me shitësit e vizave të Schengenit, me një listë që e keqpërdorë emrin e Ibrahim Rugovës për pisllëqe politike. Mbetet të shihet a do t’i shpëtojë gjykimit dhe burgut Ukë Rugova pas kësaj marrëveshjeje. Lista e tij nuk ka marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare, por vetëm në «zgjedhjet» e zhvilluara nëpër kafehanet e Prishtinës, ku deformimi i vullnetit të popullit bëhet me lehtësinë me të cilën tregtohet me resurset e Kosovës. Milionerët e pasluftës dhe një milioner i ndjekur me vite nga drejtësia zvicerane u bënë bashkë për ta çuar Kosovën drejt humnerës.

Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli nënvizuan: «PAN dhe AKR-ja dakordohen që posti i presidentit të Kosovës t’i takojë AKR-së në mandatin e ardhshëm, pavarësisht mënyrës së votimit, qoftë përmes votimit në parlament, qoftë përmes votimit të drejtpërdrejt nga populli. Kështu partitë që përbëjnë koalicionin PAN dakordohen që të mos kenë kandidat të tyre për president të vendit duke u obliguar që ta mbështesin kandidatin e AKR-së». Duket si lëshim teknik mospërmendja e emrit të kandidatit. Ai është Behgjet Pacolli. Ai që ishte 40 ditë president pas një mijë dredhive parapolitike dhe u përzu nga aty falë një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Planet e qeverisë së Shumadisë, siç do të hyjë në histori kabineti Haradinaj, janë afatgjata. Këta bëjnë pazar edhe me postin e presidentit. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen, sipas Kushtetutës, në vitin 2021. Apo ndoshta Veseli e Haradinaj kanë informata se Hashim Thaçin do ta marrë Gjykata Speciale, andaj në mënyrë preventive obligojnë deputetët dhe qytetarët që ta votojnë për president ish-emisarin e Kremlinit? Nga një pushtet tyxharësh nuk mund të pritet asgjë tjetër.

Në parlamentin e Kosovës pakica më e madhe do të jetë shumica shqiptare. «Ky shtet është i shenjtë, nuk e lëshojmë lehtë», tha shefi i PDK-së dhe i shërbimit të saj sekret para disa ditësh në parlament. Në të vërtetë ai mendjen nuk e kishte te shteti, por te pushteti.

Çfarë niset mbrapsht, s’përfundon kurrë mbarë. Dhe kjo do të shihet shumë shpejt. Sepse pa marrë parasysh kush do të marrë poste në qeverinë e Shumadisë, shefat e vërtetë do të jenë tipa si Rrahim Pacolli, të cilin mund ta bëjnë guvernator të Bankës Qendrore të Kosovës, Uke Rugova, të cilit do t’i shkonte për shtati posti i ministrit të Brendshëm (do të zhdukte menjëherë dëshmitë e veprave të tij penale), Lahi Brahimaj do ta ketë vendin në ministrinë e Drejtësisë, Adem Grabovci nuk do të humb më kohë nëpër dasma për ta «bindur» një këngëtar të këngëve tallava për të votuar qeverinë e re – jo, Grabovci tani mund ta drejtojë Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Kështu funksionin demokracia në Kosovë. Diplomatët perëndimore tani do të rrudhin supet, do të thonë «është qeveria juaj», e broçkulla të tilla. Në fakt kjo është qeveria që e kemi merituar. Qeveri që po krijohet për shkak të kompromiseve të ulëta që ka bërë LDK dhe kreu i saj viteve të fundit. Kjo qeveri është një ogur i mirë: i ofron qytetarëve të Kosovës një shans unik për t’u mobilizuar për ta shkundur vendin nga të këqija e mëdha që e kanë kapluar dhe po ia zënë frymën. Tek atëherë në horizont do të shohim shpresë. Ndryshimi ka filluar më 11 qershor. Një qeverie që funksionon me sloganin «Zajedno smo jači za Zajednicu» nuk duhet t’i lejohet të shkatërrojë edhe më tutje Kosovën. Pjesa tjetër e ndryshimit fillon në zgjedhjet lokale të tetorit. Për ta përshpejtuar këtë ndryshim LDK duhet të pastrohet dhe t’i përmbahet fjalëve që sonte shkroi Lumir Abdixhiku: «Një bashkëpunim që mbështetet në kontrabandë, tregtarë votash, mashtrim të qytetarëve dhe në Beograd, s’mund të jetë alternativë e dinjitetshme për Republikën. Është veçse një pazar i ulët, pa parime, pa moral e pa kurriz. Është arsye pse politika shihet sot si profesion i pistë, e Kosova si vend i pashpresë. Qytetarët meritonin më mirë, Kosova meritonte më shumë. Triumfi i kapësve me argat e sekserë bashkë është fitore e përkohshme e së mbrapshtës ndaj së drejtës. Si e tillë, ajo s’mund dhe s’do të ketë jetë të gjatë». Për ta përshpejtuar këtë ndryshim tani për tani alternativë e vetme mbetet një koalicion i politikanëve të rinj e racionalë të Lëvizjes Vetëvendosje me LDK-në.