Më mirë i pavarur se i papunë

Gjithnjë e më shumë migrantë ia mësyejnë pavarësimit profesional. Qoftë nga zori, apo sepse kanë gjetur një treg për të plasuar produktet e tyre etnike. Për shoqërinë zvicerane kjo është gjithsesi e dobishme.




«Falemnderit dhe mir’upafshim!» Muhamed Reshiti, pronari vet, i shërben klientët e tij në kasë. Një punëtor nuk ka dalë në punë dhe ai e zëvendëson atë. Ndërmarrjen e themeloi para 20 vitesh babai i tij, Osman Reshiti, nga Gostivari. Prandaj ajo edhe quhet «Gostivar Handels». E gjitha filloi në vitin 1991 me një dyqan të vogël në Biel. Në vitin 2004 udhëheqjen e ndërmarrjes e morri djali tij 30 vjeçar, Muhamedi. Ai tani manaxhon tre njësi të saj: filialin në Biel, një market tjetër dhe prodhimtarinë e mishit në Rothrist, AG. Më tepër se gjysma e klientëve të tij janë migrantë nga Ballkani. Artikujt i importon gjithashtu nga Ballkani, mishi është prodhim ekskluzivisht zviceran.

Për Christof Meier, udhëheqës i departementit për integrim të qytetit Zürich, ndërmarrja e Reshitit është një «biznes etnik». «Kështu quhet rasti i një afaristi me sfond migracioni, ngjyrim etnik të ofertës dhe klientelë nga qarqe migrantësh», sqaron Meier në një intervistë të vitit 2011 me autorin e këtyre rreshtave.

Pavarësimi profesional te migrantët në rritje

Kuota e të pavarurve profesional me sfond migracioni në Zvicër është më e vogël se te vendasit. Mirëpo «tendenca është në rritje», thoshte Meier, i cili që në vitin 2008 tërhoqi vëmendjen me një raport mbi këtë çështje. Vitet e fundit numri i ndërmarrjeve të migrantëve në Zvicër është dyfishuar. Te ata me shtetësi zvicerane, pavarësimi edhe ashtu është më i shprehur se te vendasit. Migrantët janë sidomos në gastronomi shumë të përfaqësuar. Në fushën e informatikës ata janë njëlloj aktivë, sikurse edhe zviceranët, raporton Christof Meier.

Përmes veprimtarisë së tyre si të pavarur, migrantët në radhë të parë sigurojnë egzistencën e tyre. Përveç kësaj – thuhet në raport – me këtë ata iu mundsojnë të afërmve dhe bashkëatëdhetarëve të tyre  qasje në tregun e punës. Sidomos atyre me diploma të papranuara dhe të rinjëve që kanë vështirësi për gjetjen e një vendi pune. Në vitin 2005 biznesi etnik, sipas një raporti të OECD-së, «Open for Business», në gjithë Zvicrën angazhonte 275’000 persona.

«Ndërmarrjet e migrantëve kontribuojnë padyshim në prodhimin ekonomik të Zvicrës», thekson Christof Meier në intervistë. Oferta e tyre nuk u dedikohet vetëm të huajve. «Zviceranët janë në plan botëror mbimesatarisht të hapur, kur është fjala për t’i provuar gjërat». Biznesi etnik është relevant edhe për integrimin, sepse këta afaristë janë megjithatë të varur nga klientela zvicerane, shpjegon Meier. Raporti i tij mbi biznesin etnik vëren se migrantët me produktet specifike që ofrojnë e njoftojnë shoqërinë zvicerane me kulturën e tyre, me këtë e rrisin edhe respektin për të. Për më tepër, me afarizmin e tyre mbushin vrimat e tregut të krijuara nga tërheqja e vendasve nga ato sfera. Dhe këto janë fushat ku përfitimi nuk është gjithaq i madh, apo ku punohet nga 15 orë në ditë, raporton Meier.

Pavarësimi si alternativë

Mbase arsyeja kryesore që i shtyn migrantët të bëhen të pavarur, është kërkesa për disa artikuj dhe shërbime në treg. Sipas Christof Meier kjo nganjëherë motivohet nga vështirësitë, me të cilat ata konfrontohen në tregun e punës. Kjo vlenë sidomos për emigrantët turq dhe ata nga ish Jugosllavia, thuhet në raport.

Kur erdhi babai i Muhamedit në Zvicër, fillimisht u sistemua në sektorin industrial, tregon Reshiti. «Në vitin 1991 ai vendosi t’i përkushtohet profesionit të tij të vërtetë. Babai i tij kishte udhëhequr vite me radhë një imbis qebapësh në Bosnjë.» Për pavarësimin ekonomik, atij i kishin shërbyer resurset e tija specifike. Veçanërisht të dobishme u dëshmuan kompetencat interkulturore. Si një shqiptar nga Maqedonia, ai e flet shqipen, maqedonishten dhe turqishten. Nga përvoja e gjatë në Bosnjë, ai e njeh edhe serbishten dhe variantin e saj kroat dhe boshnjak. «Babai im është një afarist i lindur», pohon i biri, i cili tani ka marrë përsipër ta zhvillojë më tutje biznesin që ka trashëguar. «Kam një përgjegjësi të madhe», thot Muhamed Reshiti. «Megjithatë jam i pavarur».

Për Christof Meier, kjo deklaratë e Reshitit e tregon saktë profilin e një migranti të pavarur. «Autonomia është njëra ndër ambiciet që ndjekin migrantët me pavarësimin e tyre profesional». Një motiv tjetër për këtë është mirënjohja sociale.

«Gjithsesi: pavarësimi nuk është një zgjidhje paushale për papunësinë», është i sigurtë në deklaratën e tij Christof Meier. Për një pavarësi profesionale duhet një vizion dhe kuptim për afarizëm, talent organizimi, vendosmëri. Faktorë të tjerë, të cilët e lehtësojnë pavarësimin janë rrjeti social brenda komunitetit etnik, kërkesa për produktin që ofron, përvoja, shkollimi i mirë, njohja e gjuhëve të vendit, statusi i qëndrimit në Zvicër etj. «Nëse mungon potenciali për pavarësim profesional, rreziku i dështimit është i madh», pohon Meier.

Me batica dhe zbatica

Rruga kah pavarësimi profesional nuk është e lehtë edhe kur disponohet me një bagazh të dëshmuar. Lidhjet shoqërore me vendasit – thotë Meier – e lehtësojnë pavarësimin e migrantëve. «Babai im kishte një mik zviceran, i cili i ka ndihmuar atij shumë në fillimet e biznesit të tij. Sidomos për korrespondencat e shumta», kujtohet Muhamed Reshiti.

«Megjithatë mundi ia ka vlejtur gjithsesi», thot Rushiti. «Por, ne edhe punojmë fort.» Dhjetë deri dymbëdhjetë orë në ditë, gjashtë ditëtë të javës ai është aktiv në zyrë, në shitje, në prodhim. Nganjëherë i bie të flejë në firmë. Megjithatë ka faza kur biznesi shënon numra të kuq, pranon Muhamedi. Në fillim të vitit, për shembull, kur vijnë fakturat e tatimit dhe sigurimeve. Për më tepër, edhe konkurrenca nuk është e vogël. «Disa janë vërtetë të fortë, të tjerë mezi e mbajnë hapin», thotë Reshiti.

«Në disa biznese migrantësh sundojnë kushte shfrytëzimi», tërheq vërejtjen Christof Meier. «Ne na shqetëson edhe një farë vetshfrytëzimi». Për t’ia qitë rrethin angazhohet e gjithë familja, duke përfshirë edhe fëmijët, pa marrë në konsideratë shkollimin e tyre. Edhe Reshiti si fëmijë ka punuar në dyqan, por babai i mundësoi atij të ndjekë një shkollë private ekonomike.

Këto nuk janë vështirësitë e vetme me të cilat konfrontohen migrantët në pavarësinë e tyre profesionale. «Ata, për shembull, e kanë më të vështirë të mbërrijnë deri te kreditë», delaron Meier. Në fakt në Zürich ekziston fondacioni «Go! Ziel selbständig», i cili jep kredi të vogla, por kjo ofertë nuk po shfrytëzohet gjithaq. Migrantët e pavarur kanë nevojë për më shumë udhëzime. «Nëse nuk arrijmë ta kapitalizojmë më së miri potencialin afarist të migrantëve, ne kemi humbur një shansë për ekonominë tonë», është i bindur Christof Meier. Sipas tij, pavarësimi profesional është gjithsesi diçka pozitive. Ai e inkurajon mpleksjen me shoqërinë zvicerane. Kundruar nga perspektiva politike e integrimit, nuk ka ndonjë rrezik që biznesi etnik të çojë në një shoqëri paralele, pohon Meier. «Tregu ynë është i vogël për diçka të tillë. Ky rrezik praktikisht nuk ekziston».