Me kurbane dhe me lutje: si u prit Sulltani në Shkup, Ferizaj dhe Prishtinë në vitin 1911?

Në vitin 1911 Sulltan Mehmet Reshati i Pestë vizitoi Kosovën në përpjekje për t’u pajtuar me krerët shqiptarë pas kryengritjes antiosmane të vitit 1910. Ai ndau lira dhe pagoi dëmshpërblime, por entuziazmi për padishahun nuk ishte i madh. Megjithatë, në kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, në Shkup, ai u prit me ngazëllim, në Ferizaj për nder të tij prenë dy dele kurban, ndërsa në Prishtinë katër dele. Po këtu për nder të Sulltanit këndoi kori i Seminarit Ortodoks serb. Nga Selaniku Sulltani erdhi me tren – të cilin e drejtonte një gjerman.

Pamje nga vizita e Sulltan Mehmet Reshati i Pestë në Kosovë në vitin 1911. Foto: Arkivat e Perandorisë Osmane



Sulltani u largua nga Stambolli më 5 qershor të vitit 1911 i përcjellë nga turma njerëzish në brigjet e Bosforit. Ai udhëtoi me anijen luftarake «Barbaros Hayrettin» me një pjesë të suitës së tij, i shoqëruar nga një anije tjetër luftarake e quajtur «Turgut Reis» dhe një tjetre të quajtur «Gülcemal». Pas një pushimi të shkurtër në Çanakkale ku po mbahej një ceremoni e madhe në shenjë besnikërie ndaj Portës, flota perandorake arriti në Selanik në mëngjesin e 8 qershorit. Ishte ditë me shi të pandërprerë. Kishte dyshime nëse Reshati (bëhet fjalë për Sulltan Mehmetin, vër. e përkth.) do të mund t’i bënte ballë udhëtimit të gjatë e të mundimshëm, sidomos pasi që ai nuk ishte mësuar me udhëtime detare. Por sipas sekretarit të tij personal, sapo mori udhën në det Reshati ishte ndjerë i rinuar dhe ishte bërë një person tjetër nga ai që kish qenë në Stamboll. Madje, gjatë udhëtimit, ai edhe fliste hapur në publik, derisa kur ishte në Stamboll, ishte më i tërhequr dhe i turpshëm.

Grupi i anijeve u mirëprit në bregdet nga një grup anijesh luftarake. Kishin ardhur edhe personalitete të njohura siç ishte guvernatori i Selanikut, drejtuesit e trupave ushtarake të njësiteve katër, pesë, gjashtë dhe shtatë, si dhe sekretari i përhershëm i Komitetit për Bashkim dhe Progres, Haxhi Adil Arda. Në anijen me avull Mit’hat Pasha, ishte delegacioni i posaçëm me përfaqësues të të gjitha pjesëve të perandorisë. Marina e përshëndeti Sulltanin me të shtënat e njëzetenjë pushkëve, pas të cilave u dha edhe një shfaqje me manovra detare. Pastaj, flota vazhdoi rrugën për në brigjet e Selanikut e shoqëruar nga skuadra detare. Pas të shtënave vijuese me njëzetenjë pushkë njëherësh, «Barbaros Hayrettin» hodhi spirancën mbi një gurishtë. Ekipi zyrtar i pritjes i përbërë nga parlamentarë dhe përfaqësues qytetesh të ardhur nga Maqedonia u fut brenda.

Sulltani kaloi natën brenda anijes luftarake, por vetëm një orë pasi kishte arritur ai dërgoi sekretarin e tij Halit Zija Beu dhe inspektorin ushtarak të Rumelisë (provincave europiane) Hadi Pashain në një mision delikat. Këta të fundit u urdhëruan të shkojnë tek vila e familjes industriale Alatini të Selanikut në periferi të qytetit, ku po mbahej në arrest të rreptë ushtarak Sulltani i dikurshëm Abdylhamiti. Me sa duket Reshatit iu duk e nevojshme të interesohej për shëndetin e ish-Sulltanit, sepse kishte frikë në mos ai mund ta merrte vizitën e tij në Maqedoni për ofendim. Për Halit Zijanë takimi me njeriun i cili kishte drejtuar perandorinë për tridhjetë e tre vite të tëra, njëzet prej të cilave ishte konsideruar si armiku i përbetuar i xhonturqve, ishte një përvojë e shkëlqyer. Misioni doli të ishte më i lehtë se sa që e mendoi. Ish-Sulltani i dëshiroi me mirësjellje fat të mbarë vëllait të tij në udhëtimin e tij dhe e shfrytëzoi këtë mundësi për një kërkesë personale. Ai kërkoi që djali i tij, Abidi, të lejohej të studionte dhe të jetonte në Stamboll. Ai po ashtu kërkoi llogari për një çantë të mbushur plot me stoli e cila ishte zhdukur pa gjurmë kur ai ishte zhvendosur nga Pallati Yildiz në Selanik.

Mëngjesin e të nesërmes, nën përcjelljen e vezirit të lartë Haki Pasha, Sulltani zbarkoi. Dy dele u prenë kurban, pasuar me një lutje nga myftiu i Selanikut. Pas kësaj, Sulltani, i veshur i tëri me uniformë ushtarake, vazhdoi me një qerre drejt ndërtesës kryesore të qeverisë (konakut). Rrugët e shtruara rishtazi përgjatë shtëpive të lyera ishin mbushur me fëmijë të vegjël që këndonin këngë greke dhe turke. E gjithë kjo të linte përshtypjen se perandori po mirëpritej përzemërsisht. Megjithatë, sipas konsullit britanik, kjo mikpritje ishte «shumë më e vakët se sa në perëndim». Turma të tjera u mblodhën gjatë pasdites. Në mes turmash, Sulltani përgëzoi Evrenos Beun, zyrtar lokal dhe pinjoll i dinastisë së njohur të krishtere gazi, duke vënë në pah meritat dhe besnikërinë e paraardhësve të tij gjatë shekullit të pesëmbëdhjetë. Kjo njëkohësisht ishte edhe thirrje për besnikëri dhe mbështetje drejtuar komunitetit të atëhershëm grek në Perandorinë Osmane. Pas kësaj Reshati mirëpriti një delegacion tjetër të cilit iu drejtua me fjalët «ushtria është shpirti i kombit». Ai po ashtu mirëpriti një delegacion të shkollave të Selanikut. Gjatë gjithë ditës, Sulltani vazhdoi të takojë delegacione nga të gjitha pjesët e Perandorisë (Shkodra, Janina, Erzurumi, Trabzoni, Kreta dhe Libani), të cilët kishin ardhur enkas për këtë vizitë.

Që nga fillimi i vizitës Komiteti për Bashkim dhe Progres bëri çmos të shihej si pjesë e pandarë e vizitës perandorake. Rahmi Beu, një nga themeluesit e Komitetit për Bashkim dhe Progres në Selanik, dhe gjithashtu pasardhës i familjes gazi Evrenos, falënderoi Sulltanin për punën dhe angazhimin e tij. Ky i fundit u shpreh i ngazëllyer për takimin me njerëz të tillë. Oratori i shquar i Komitetit për Bashkim dhe Progres Ömer Naci në emër të komitetit i përshëndeti përfaqësuesit e provincës, ndërsa më vonë vetë Sulltani vizitoi Komitetin ku u mirëprit nga anëtarët si Talat Beu, Xhavit Beu, Mit’hat Shukriu, si dhe historiani Abdurrahman Sheref.

Mëngjesin e 9 qershorit, Sulltani u dekorua me titullin «luftëtar i nderuar». Dekorata u dha nga Njazi Beu, me etni shqiptare, i cili në njërën anë ishte një hero i revolucionit kushtetues dhe njëkohësisht anëtar nderi i Komitetit për Bashkim dhe Progres, ndonëse politikisht luante rol periferik. Njazi Beu ishte figurë e rëndësishme përgjatë tërë vizitës në Maqedoni. Ai kishte udhëtuar me plot 600 burra të fortë nga vendi i tij i lindjes Resnja. Pas faljes së xhumasë në xhaminë Aja Sofia të Selanikut, Sulltani shpërndau 4500 lira bamirësi për grupet në nevojë, të varfrit dhe studentët. Vonë pasdite, Xhavit Beu mbajti një fjalim në kopshtet publike të lagjes Beshqinar duke kërkuar unitet mes komuniteteve dhe njëkohësisht duke e lavdëruar punën e Komitetit për Bashkim dhe Progres. Sipas gazetave të unionistëve, të pranishëm ishin rreth 10 mijë njerëz.

Të shtunën e 10 qershorit, Sulltani fillimisht priti një delegacion nga Izmiri, duke vazhduar me pritje të tjera të delegacioneve nga e gjithë perandoria, përfshirë këtu edhe delegacione si ai i Kretës dhe ai i Libanit të cilat i kishte takuar veç e veç më parë. Pas kësaj, drejtues të lartë të Komitetit për Bashkim dhe Progress dhe politikanë të lartë u dekoruan me Mecidiye – Urdhër i Shkallës së Parë, ora floriri dhe unaza rubini. Kjo e fundit iu nda botuesit të gazetës vendase «Rumeli», Junuz Nadi (Abaliolu), i cili më vonë do të bëhej i famshëm pas themelimit të gazetës «Cumhuriyet». Programi vazhdoi me vizita në njësitet ushtarake, duke vendosur gurthemelin e një monumenti në kujtim të revolucionit kushtetues. Pas kësaj, Sulltani priti sekretarin e përhershëm të Komitetit për Bashkim dhe Progres, Haxhi Adilin, të cilit i shprehu mirënjohje për punën e Komitetit. Pasdite Sulltani u bë pjesë e një seme (rit fetar) në Mevlevihane, qendër vendase e sektit Mevlevi të Dervishëve, anëtar i devotshëm i të cilit ishte edhe Sulltani.

Ndërkohë, në kopshtet Beshqinar u hap edhe një ankand në mbështetje të Shoqatës së Flotës Osmane (Donanma Cemiyeti – e ndërtuar sipas modelit gjerman Flottenverein). Pjesë e ankandit u bën edhe disa qilima, në të cilët Sulltani shkeli disa herë për t’ua rritur vlerën. Kjo ishte gjetje e organizatorëve.

Udhëtimi i mëtutjeshëm i Sulltanit më në brendi të Perandorisë u bë me 11 qershor. Udhëtimi për në Shkup u bë me tren dhe zgjati plot shtatë orë. Në një tren tjetër ku ndodhej një pjesë e suitës së Sulltanit dhe Njazi Beu, shoqëruan trenin perandorak. Ishte lajmëruar me kohë se ushtarët do të shtinin me armë ndaj kujtdo që do të tentonte të afrohej në hapësirën mes dy trenave. Sulltani ndodhej në trenin i cili ishte nën drejtimin e drejtorit të përgjithshëm të Hekurudhës Osmane, zotit Müller. Në tren po ashtu ndodheshin edhe të dërguarit e Komitetit për Bashkim dhe Progres Haxhi Adili dhe Ömer Naci, si dhe guvernatorët e provincës së Selanikut dhe të Kosovës.

Komandanti ushtarak dhe kryetari i Shkupit ishin po ashtu pjesë e udhëtimit. Gjatë rrugëtimit u bën tre pushime të shkurtra, i pari prej tre minutash në Karasulu Kimence për të marrë ujë, i dyti prej dhjetë minutash për një ndalesë në Gjevgjeli, dhe i treti për çerek ore në Köprülü (Velez). Në ndalesën e fundit, Sulltani mori në dorë një «flamur të vjetër dhe historik» të quajtur sanxhak. Me sanxhak në dorë, Sulltani e luti «zotin që simboli osman të jetë gjithmonë i nderuar». Motoja e «Bashkimit të Elementëve» të perandorisë u risoll edhe njëherë gjatë këtij udhëtimi. Një vajzë bullgare mbajti një fjalim prekës. Një vajzë tjetër myslimane recitoi një poezi. Të dyja u nderuan për paraqitjet e tyre. Vajzës bullgare do t’i mbuloheshin shpenzimet e shkollimit nga vetë Sulltani. Katër dele u therën kurban me këtë rast. Pas kësaj guvernatori i Selanikut ia dorëzoi komandën për mbikëqyrjen e Sulltanit guvernatorit të Kosovës.

Me të arritur në kryeqytetin e provincës së Kosovës në Shkup, Sulltani udhëtoi për katër orë nga stacioni në drejtim të qeverisë (Konakut) me një karrocë kuajsh që ishte sjellë enkas nga Stambolli. Fillimisht, ai ndaloi për pushim në një shkollë arti, meqenëse ajo ishte ndërtesa më e hairit në ato anë. Me të arritur, ai takoi një numër personalitetesh të vendit dhe përsëriti për të satën herë qëllimin e vizitës së tij. Ai theksoi se qëllimi i tij ishte «forcimi i mirëkuptimit mes të gjitha grupeve etnike» dhe se Komiteti për Bashkim dhe Prosperitet meritonte gjithë falënderimet për kontributin e tij. Sulltani u prit me ngazëllim nga popullsia shqiptare të cilët luajtën disa valle tradicionale për të. Pas secilës valle ata merrnin një lirë. Rreth pesë mijë shqiptarë kishin ardhur nga një numër fshatrash deri edhe njëzet kilometra larg. Ajo që vihej re ishte, në fakt, «organizimi» i ngazëllimit shqiptar. Sipas një raporti, guvernatori i Prizrenit u kishte dhënë banorëve ushqim për pesë ditë, në mënyrë që ata të kishin mundësi të vinin.

Përpjekjet për pajtim me shqiptarët tanimë morën një rol qendror marrë parasysh afërsinë e Sulltanit me hapësirat që ishin të banuara me shumicë shqiptare. Dy komandantë shqiptarë të cilët kishin marrë pjesë në kryengritjet e pranverës së vitit 1910, Sylejman Batusha dhe Hasan Aga i Plevlës, erdhën për t’ju betuar fronit osman. Të dy këta u falën nga Sulltani, por ai më problematiku prej tyre, Isa Boletini, nuk kishte ardhur fare. Falja u bë edhe njëherë si mënyrë për të fituar mbështetje për fronin, këtë radhë jo vetëm me donacione ndaj shoqatave bamirëse siç ishte premtimi për ndërtimin e një medreseje në Prishtinë dhe 300 lira për të ndërtuar një shkollë ne Ferizaj, por gjithashtu edhe për pajtim gjaqesh. Mësohet se mbi tridhjetë mijë lira ishin shpenzuar për këtë qëllim.

Një tjetër formë për pajtim ishte shpallja e amnistive. Komuniteti i krishterë kishte shpresa të mëdha për një amnisti gjithëpërfshirëse nga Sulltani, por gjatë vizitës në Selanik asgjë nuk u konkretizua. Një amnisti u shpall për të gjithë – përpos atyre që ishin të dënuar për vrasje. Kështu 107 shqiptarë dhe 134 bullgarë u liruan nga burgu i Shkupit. Pas vizitës në Shkup, kishte ardhur koha për ngjarjen kryesore të vizitës: pelegrinazhi i Sulltanit në varrin e Sulltan Muratit të Dytë në një fushëbetejë të vjetër në Fushë Kosovë, afër Prishtinës. Vizita ishte paralajmëruar kohë më parë. Ditën që Sulltani u nis për në Selanik, sekretari i përhershëm i Komitetit për Bashkim dhe Prosperitet, Haxhi Adili, lëshoi një deklaratë për t’i rikujtuar popullatës se në Betejën e Fushë Kosovës në vitin 1389, luftëtarët e krishterë «në numër të madh» kërkonin dëbimin e osmanëve jashtë Europës, por duke ju falënderuar sakrificës së Sulltan Muratit dhe luftëtarëve të tij, ata dështuan në qëllimet e tyre. Myslimanë nga të katër anët u ftuan që të vijnë në Kosovë për të treguar vendosmërinë e tyre në ndjekjen e rrugës së Muratit. Pritjet ishin të mëdha për pjesëmarrje të konsiderueshme të njerëzve. Gazetat raportuan për 150 deri në 200 mijë shqiptarë të mbledhur në shesh. Konsulli britanik kishte pritur që do të dalin vetëm 100 mijë sosh.

Më 15 qershor Sulltani u largua nga Shkupi në Prishtinë me tren. Gjatë një ndalese të shkurtër në Ferizaj, atij ju ofruan dy dele. Pas tre orë e gjysmë, sulltani arriti në Prishtinë, ku, sipas shtypit të unionistëve, po e prisnin rreth 300 mijë njerëz. Katër dele u therën kurban për nder të tij. Sulltani i fali të gjithë ata që kishin marrë pjesë në kryengritjet e vitit 1910 dhe 1911. Në Prishtinë, komuniteti serb luajti një rol të veçantë atë ditë. Mund të paramendohet se vizita e një pasardhësi të Sulltan Muratit të Parë në fushëbetejën e Fushë-Kosovës, e cila vazhdonte (dhe vazhdoi) të jetë një pjesë aq e rëndësishme për identitetin kombëtar serb, do të pritej me rezistencë. Në të njëjtën kohë, për serbët, osmanët përfaqësonin një rrezik më të ulët në krahasim me nacionalistët shqiptarë dhe ata maqedono-bullgarë. Për këtë arsye, deri në njëfarë mase, serbët mbështetën politikat e xhonturqve. Princi serb ishte paraparë të vinte fillimisht në Shkup, por kjo vizitë nuk u realizua kurrë, pasi ai duhej të ishte i pranishëm në shpalljen e Mbretit George i V-të në Londër. Në Prishtinë në anën tjetër, për Sulltanin performoi kori i Seminarit Ortodoks serb dhe nën-konsulli serb Rakiq kishte mbledhur me këtë rast një turmë të madhe serbësh.

Të nesërmen suita e Sulltanit vazhdoi për në Fushë-Kosovë për të mbërritur rreth orës dhjetë të mëngjesit. Dëshmitë mbi atë se çfarë ndodhi atje janë të ndryshme. Shtypi prounionist e përshkroi vizitën si një sukses të jashtëzakonshëm duke raportuar për pjesëmarrjen e rreth treqind mijë shqiptarëve. Sir Edwin Pears, ndërkaq, raporton në shënimet e tij për jo më shumë se 80 mijë sosh, ndërsa Halit Zija, i cili ishte i pranishëm në Fushë-Kosovë, raportonte për rreth pesëdhjetë mijë të pranishëm. Ai pohoi se shumë më tepër njerëz kishin kërkuar të vinin, por që ishin penguar nga frika e ndonjë tollovie. Sipas shënimeve të shërbimit konsullor britanik, osmanët e patën mjaft të vështirë të mbledhin një numër të madh njerëzish.

Veziri i lartë u kishte dërguar një kërkesë personale autoriteteve vendase siç ishte Hasan Beu, një përfaqësues nga Prishtina, dhe Bejtullah Beu nga Gjilani. Shumica e fshatarëve të tjerë erdhën nga këto hapësira. Ndërkaq shumë pak përfaqësues erdhën nga vende si Peja, Gjakova dhe Prizreni, të cilat ruanin një kundërshtim të madh ndaj shtypjes së ushtrisë osmane. Ç’është e vërteta, në fotografitë e bëra gjatë ceremonisë dhe të publikuara në revistën shkencore Resimli Kitab (Libri i fotografive), nuk duken të kenë qenë më shumë se njëzet mijë njerëz.

Përballë Tyrbes së Muratit të Parë ishte vendosur një çadër historike e cila i dikur i takonte Sulltan Selimit të Parë (1512-1520) për nevojat e Sulltanit. Në anën e djathtë të çadrës ishte vendosur mihrabi dhe kleri. Pas faljes së përbashkët në të cilën Sulltani po ashtu mori pjesë, falja tradicionale e xhumasë u bë nga një zyrtar lokal, i cili në atë kohë ishte doktor i mirënjohur i ligjeve islamike dhe senator i quajtur Ismail Haki Efendiu i Manastirit. Sipas një shënimi, imami Reshit Efendi Ibrahimi «kaloi përgjatë radhëve të besimtarëve duke ju bërë thirrje të jenë vëllezër dhe duke kujtuar se në testamentin e tij të fundit Sulltan Murati i Parë u bënte apel myslimanëve t’i donin të krishterët dhe hebrenjtë si vëllezërit e tyre». Pas kësaj u lexua edhe një deklaratë e Vezirit të Lartë. Sipas Halit Zijasë, kjo deklaratë ishte paraparë të përkthehej në shqip nga Ismail Haki Efendiu i Manastirit, i cili, megjithatë, nuk dinte asnjë fjalë shqip. Ceremonitë u mbyllën me një paradë ushtarake dhe vendosjen e një gur themeli për themelimin e një universiteti.

Pas kësaj pike vizite, Sulltani u kthye në Selanik nëpërmjet Prishtinës dhe Shkupit. Ai ndërroi trenin në Manastir, i cili ishte baza kryesore e Armatës së Tretë. Vizita e Sulltanit për tre ditë e gjysmë në qytet përsëri u raportua si një sukses i madh nga shtypi i unionistëve. Por, sipas konsullit britanik, Sulltani «u prit vakët». Mahmut Shefket Pashai, i cili ishte komandant i Armatës së Parë, të Dytë e të Tretë dhe autoriteti suprem i armatës në Perandorinë Osmane iu bashkua suitës të Sulltanit më 15 qershor. Ai e përdori vizitën në këtë qendër ushtarake për të mbajtur një fjalim në të cilin u kërkoi oficerëve të mos përziheshin në politikë. Organizimi në grupe partiake i oficerëve tanimë ishte bërë problem serioz duke përkeqësuar disiplinën në ushtrinë osmane. Në Manastir u shpallën gjithashtu amnisti, të cilat megjithatë nuk ishin të mjaftueshme për krishterët vendas. U falën 108 të burgosur, por 12 të tjerëve, mes tyre edhe drejtues të lartë të nacionalizmit bullgar, ju ndalua hyrja në Anadoll dhe statusi i tyre mbeti i paqartë.

Një tjetër ngjarje me rëndësi në Manastir ishte rivendosja e revolucionit kushtetues dhe sidomos hyrja në qytet e forcave kushtetuese më 10 dhe 24 korrik të vitit 1908 nën komandën e Njazi Beut. Pas vizitës së tij në Manastir, Sulltani u kthye në Selanik, dhe pas një ndalese të shkurtër, ai udhëtoi në drejtim të Stambollit. Siç dëshmohet nëpër fotografi të kohës, në Stamboll ai u prit nga turma të mëdha dhe të ngazëllyera njerëzish.

I tërë qyteti ishte ndriçuar për të festuar kthimin e monarkut. Një paradë me ndriçim u mbajt nga Sirkeçi në Pallatin në Dollmabahçe. Gazetat shkruanin se shumë Sulltanë të tjerë ishin kthyer në Stamboll me çelësat e qyteteve të okupuara rishtazi, por ky i tanishmi ishte kthyer me çelësat e zemrës së njerëzve të Rumelisë.

Cili ishte qëllimi i vizitës së Sulltanit në Maqedoni dhe çfarë u arrit me këtë vizitë? Mund të themi se vizita e Sulltan Reshatit në Maqedoni i shërbeu katër qëllimeve të ndryshme politike, të cilat sidoqoftë ishin të ndërlidhura. Së pari, qëllimi ishte për të forcuar lidhjet me shqiptarët myslimanë, të cilat, sipas shtypit të unionistëve, ishin pika kyçe për të mbajtur rajonin nën kontroll. Pas kryengritjeve të vitit të kaluar, pajtimi me shqiptarët ishte bërë detyrë urgjente. Vizita e Sulltanit në Kosovë dhe roli i qenësishëm që luajti Njazi Beu gjatë vizitës i shërbeu këtij qëllimi, ashtu siç ishin të rëndësishme edhe amnistitë dhe dëmshpërblimet për rastet e vrasjeve. Qëllimi i dytë ishte forcimi i Ittihad-i Anasir (Bashkimi i Elementëve ose «Otomomanizmi») nëpërmjet organizimit të paradave për solidaritet ndëretnik në hapësirat etnikisht më të përziera të Perandorisë. Pikërisht për këtë qëllim ishin organizuar manifestimet për besnikëri nga bullgarët dhe grekët. Së treti, udhëtimi shërbeu për të forcuar pozitën politike të unionistëve, të cilit kishin humbur mbështetjen në popull dhe po ashtu kishin humbur pushtet politik gjatë vitit të kaluar. Njerëzit më të dalluar të komitetit të unionistëve, siç ishin oratori Omer Naci dhe sekretari i përgjithshëm Haxhi Adili, vazhdimisht ishin në përcjellje të monarkut. Në të gjitha vizitat në të katër qytetet, ky i fundit vazhdimisht shprehu mirënjohjen e tij ndaj unionistëve. Së katërti, vizita e sidomos ceremonia e mbajtur në fushëbetejën e Fushë-Kosovës duke ju referuar simboleve të rëndësishme historike, shërbeu për të forcuar vetëdijen kombëtare osmane, e sidomos atë myslimane-osmane. Në këtë kuptim, vizita në Fushë-Kosovë ishte rrjedhë logjike e vizitës së mëparshme perandorake të Sulltanit në Bursa dhe Edrenë, kryeqyteti i parë dhe i dyte i osmanëve.

Përpos këndit politik dhe ideologjik, udhëtimi i Sulltanit ishte një fenomen interesant në formën e tij. Është një shembull mjaft i gjetur: përpjekjet e regjimit për të lartësuar fytyrën e udhëheqësit, i cili ishte i qasshëm dhe i afërt me njerëzit. Për këtë, u theksua në mënyrë të vazhdueshme se si Sulltani provoi të ishte i afërt me njerëzit. Reshati u prezantua si «baba i kombit», një rol që i shkonte për shtat jo vetëm fizikisht, por edhe mendërisht.

Nuk është e tepërt të thuhet se, megjithatë, udhëtimi dështoi në arritjen e shumicës së këtyre qëllimeve. Në Luftërat Ballkanike të vitit 1912, rezultati i menjëhershëm ishte refuzimi nga Porta e Lartë i kërkesave të grekëve, serbëve, malazezëve dhe bullgarëve për reforma të thella në Maqedoni. Kjo gjë shoi shpresat për një «Bashkim të Elementëve ose Osmanizmit». Pas disfatës së mbrojtjes osmane, shqiptarët deklaruan pavarësinë e plotë dhe i përkeqësuan marrëdhëniet me fronin osman. Sa i përket unionistëve, ata dështuan për të rritur popullaritetin e tyre, duke humbur pushtetin politik në vitin 1912, të cilin arritën ta rikthejnë nëpërmjet një grushti të shtetit në janar të vitit 1913.

Mund të thuhet se përpjekjet për të forcuar vetëdijen myslimano-osmane ishin të suksesshme. Padyshim se përgjatë dhjetë viteve pasuese, ndërmjet 1912 dhe 1922, nacionalizmi myslimano-osman u bë ideologjia më e fortë në vend. Ndonëse u përjashtua, të paktën në nivel zyrtar, në favor të nacionalizmit turk pas themelimit të Republikës së Turqisë në vitin 1923, në vitet vendimtare kur mbijetesa e perandorisë osmane varej nga luftërat ballkanike, Lufta e Parë Botërore dhe Lufta për Pavarësi, ajo shërbeu si mjet kryesor për mobilizim.

(Nga libri: «The The Young Turk Legacy and Nation Building: From the Ottoman Empire to Atatürk’s Turkey» të profesorit Erik J. Zürcher, Universiteti i Leiden në Holandë)