Me kokën ulur duke thënë «dobar dan»

Këto ditë do të fillojë vala e ardhjes së diasporës në Kosovë. Dhe sërish në çdo kufi serb shqiptarët do të trajtohen si qytetarë të rendit të dytë dhe s’do të guxojnë të tregojnë se po shkojnë në Republikën e Kosovës.

Serbia ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën, pardon me Prishtinën, siç thuhet në zhargonin e Bashkimit Europian. Kjo marrëveshje është quajtur historike nga burokratët e BE-së. Më në fund armiqtë e djeshëm po flasin. Më në fund armiqtë e përjetshëm – serbët dhe shqiptarët – po ulen në një tavolinë, po diskutojnë në mënyrë të civilizuar dhe po i zgjidhin problemet e tyre. Pranë fiseve ballkanike kanë qëndruar zonja Catherine Ashton dhe zoti Robert Cooper, të dy nga Mbretëria e Bashkuar, e cila sapo i tha lamtumirë Bashkimit Europian. A vlen tani e shumëlavdëruara Marrëveshje e Brukselit? Gjithsesi. Bashkimi Europian do të vazhdojë të ekzistojë, nga 28 numri i shteteve anëtare ka rënë në 27. Kështu e shohin situatën ata që me profesion janë optimistë. Të papërmirësueshëm.

Realistët kanë arsye të jenë të shqetësuar. Prej se është nënshkruar Marrëveshja mes zëdhënësit të Slobodan Millosheviqit dhe komisarit politik të UÇK-së shumë ujë ka rrjedhë Danubit dhe Ibrit tatëpjetë. Dhe marrëveshja ende nuk zbatohet plotësisht nga Beogradi, ende kosovarët duhet t’i nënshtrohen procedurave poshtëruese nëpër kufijtë serbë, ende duhet të çmontojnë targat e veturave me shenjën RKS, ende duhet të paguajnë sigurim ekstra për territorin e Serbisë, ende nuk guxojnë t’ia tregojnë policit dhe doganierit serb pasaportën e Republikës së Kosovës, ende duhet të regjistrohen në kufi dhe të pajisen me një dokument në mënyrë që kur të dalin në Kroaci apo Hungari të mos kenë ndonjë problem me autoritetet serbe.

Kjo procedurë do të përsëritet në javët në vijim, kur mijëra shqiptarë mërgimtarë do të kthehen në atdhe për të vizituar familjet e tyre, për të kaluar disa ditë në detin e Shqipërisë apo në Ulqin, për të harxhuar para nëpër ahengje e dasma. Shqiptarët me frikë do t’i afrohen kufirit serb, do të përvëlohen nga dielli, do të durojnë me orë të tëra në pikat kufitare, do të bëjnë gati disa para të imëta për të korruptuar ndonjë polic a doganier. Për çdo vit përsëritet ky ritual – përkundër zhurmës së politikanëve të Prishtinës se falë pragmatizmit kosovar dhe këshillave të miqve ndërkombëtarë Marrëveshja e 19 prillit 2013 mundëson mrekulli: lëvizje pa pengesa nëpër Serbi. Sa larg jemi nga kjo situatë politikanët e Prishtinës s’mund ta marrin me mend, as që duan. Shqiptarët do të nisen nga Hamburgu dhe Gjeneva me veturat e tyre shpeshherë të shtrenjta dhe kur të arrijnë te kufiri serb me kokën ulur do të thonë «dobar dan», porse pa guxuar të tregojnë se po shkojnë në Republikën e Kosovës. Do të përmendin emra qytetesh. Peć. Gnjilane. Đakovica. Dhe do të shpresojnë se polici serb nuk do t’i terrorizojë. Terror është edhe kur polici serb të thotë se ka shërbyer në Pejë dhe ti e di se para teje ke një vrasës potencial, i cili në qetësinë e arave të Vojvodinës kryen detyrën e tij në shërbim të shtetit, i cili ndoshta edhe e trajton si hero për «kontributin atdhetar në krahinën tonë jugore të Kosovës e Metohisë».

Një këshillë për ata që shkojnë me avion në aeroportin e Prishtinës dhe e kanë ndërmend të kthehen me veturë me ndonjë dajë apo kushëri. Kur të arrini te sporteli i policit kufitar serb në Merdar dhe kur ai të shoh në dokumentin tuaj vulën e Republikës së Kosovës me shënimin e aeroportit të Prishtinës, atëherë rruga juaj do të marrë fund. Polici do t’ju thotë: «Keni hyrë në Republikën e Serbisë përmes një pikëkalimi kufitar, të cilin nuk e kontrollojnë organet e punëve të brendshme të Serbisë». Për policin serb pikë kufitare e Serbisë është edhe aeroporti i Prishtinës. Çfarë duhet të bëni në një situatë të tillë? Duhet të ruani nervat dhe të shkoni në Maqedoni, të kaloni nga Kumanova dhe të hyni në Serbi në pikën kufitare të Tabanovcit afër Preshevës. Kjo pikë kufitare konsiderohet «pikëkalim ndërkombëtar». Pika në Merdar për Qeverinë serbe është vetëm një sportel kontrolli në vijën administrative mes Serbisë si «shtet amë» dhe «krahinës» së Kosovës.

Kur të hyni në Kosovë, mërgimtarë të dashur, edhe sivjet bëni gati paratë për të paguar sigurimin për veturë. Kjo është një plaçkitje e legalizuar nga autoritetet e Kosovës dhe shef i organizatës së kusarëve për plaçkitje të popullit është vëllai i një sundimtari të Kosovës. Kartoni i Gjelbër nuk të bën punë në kufi me Kosovën – këtë e dinë tashmë të gjithë shqiptarët që punojnë në botën perëndimore. Pa marrë parasysh nëse i keni veturat e siguruara në kompaninë gjigante si «Zurich» apo në «Allianz Versicheurngen», kjo nuk u bën përshtypje plaçkitësve të Kosovës.

Sidoqoftë, atdheu të tërheq si magneti. Rrugë të mbarë dhe pushime të mira. Në krahasim me ata që kanë vetura me targa të Republikës së Kosovës, ju që keni vetura me targa perëndimore keni një përparësi: nuk duhet t’i hiqni tabelat kur të kaloni nëpër Serbi.