Me kokë për muri

Kështu, pra, ecin e zhduken ditët tona të çmueshme. Taksi, mure, biseda telefonike, «dorëheqje» shefash të shërbimeve sekrete, «konferenca për shtyp» në Facebook. Por ajri ende ta zë frymën, mungesa e vendeve të punës ndikon që qindra të rinj çdo muaj të braktisin vendin, nepotizmi zgjerohet, arroganca po se po, zhvlerësimi dhe shkatërrimi ecin dorë më dorë. Çfarë bilanci do të nxjerrë kjo gjeneratë e rritur pas luftës? «Ne jemi brez pa fat, pa atdhe dhe pa lamtumirë. Dielli ynë është i zbehtë, dashuria jonë është e tmerrshme dhe rinia jonë është pa rini».



Kështu bëhet politikë. Ndalet një taksi afër Hotelit Grand, simbol i privatizimit mafioz dhe i dështimit ekonomik, që ia hëngër kokën një shefi të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Bëhet potere e madhe, bujë e hatashme, sepse taksi bart targa të Beogradit. Një sulm terrorist? Në qendër të Prishtinës? Përballë përmendores së Zahir Pajazitit në ditën e rrivarrimit të tij? Një shpërthim nën posterin e madh të Ibrahim Rugovës? Nën posterin me klithmën «Drejtësi për Astrit Deharin»? Argëtimi për sonte mori fund. Por jo edhe loja me nervat e këtij populli të lodhur nga politika e nëntokës.

Vazhdojmë tani të merremi me murin. Murin e Mitrovicës. Të ndërtuar nga komuna serbe. Zyrtarët e saj thonë se ndërtimi i murit është kompetencë komunale. Zyrtarët e Prishtinës thonë se nuk është e vërtetë. Zyrtarët serbë kundërpërgjigjen: kompetencën për të ngritur mure na e garantojnë marrëveshjet e Brukselit. Nuk është e vërtetë, këmbëngulë pala kosovare.

Do ta rrëzojmë murin brenda 30 ditësh, përbetohet Kuvendi i Kosovës. Do ta rrëzojmë murin më 1 shkurt ose më 17 shkurt, bërtet kreu i Kuvendit të Kosovës. Muri nuk do të ekzistojë, bërtet kryetari i Kosovës. Muri do të largohet, thotë me bindje kryeministri. 1 shkurti erdhi, do të vijë edhe 17 shkurti – dhe gjasat që muri të rrëzohet duken të vogla. Ndoshta deri atëherë do ta rrëzojnë vetë serbët. Siç paskan premtuar në një takim me EULEX-in. Ngado që shikon: mur, mure, mur, mure. «Kur e rrëzuam nuk e paramenduam / sa i lartë është ai / brenda nesh», shkruan poeti gjerman Reiner Kunze. Kështu qëndron puna edhe në Kosovë. Më i lartë se muri i Mitrovicës është muri që i ndan qytetarët me «elitën» politike të zhytur në korrupsion e keqpërdorim pushteti.

Muri i Mitrovicës është vetëm një simbol për manipulime politike – të ndërtuesve të murit dhe të atyre që duan ta rrëzojnë. Të dy palët e ushqejnë njëra-tjetrën. Mileti duhet të argëtohet me doza të caktuara nacionaliste apo pseudopatriotike, sidomos kur mungojnë rezultatet e prekshme të punës.

Taksi, muri, treni. Të gjitha këto të kujtojnë vjeshtën e vitit 2008. Atëherë «persona të panjohur» (sipas zhargonit policor) hodhën një mjet shpërthyes në oborrin e Zyrës Civile Ndërkombëtare (ICO). Shpejt e shpejt u kapën tre agjentë gjermanë, u nxorën para kamerave e fotografëve të mediave, Kosova ia tregoi muskujt gjermanit, vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë. S’bëhet shaka me neve. Gjermanët që «i kemi kapur» (sic!) janë të përzier në vrasjen e Komandant Drinit, thoshte kreu i kamarillës së pushtetit atëbotë. Ishte një përpjekje për të mjegulluar gjurmët e krimit. Të gjithë e dimë si mori fund afera me gjermanë: u shtrinë e ranë në gjunjë ministrat e republikës para një gjykatësi afrikan të UNMIK-ut, i cili mori vendim për lirimin e agjentëve gjermanë. Avioni i qeverisë gjermane priste në Sllatinë. Kosova nuk fitoi asgjë nga kjo aferë e shpifur, por me rëndësi mileti u argëtua pak.

Kështu ecin e zhduken ditët tona të çmueshme. Me lojëra të ndyra politike, ku nuk dihet çka është e vërtetë dhe çka është e inskenuar. Ku nuk dihet nëse treni ishte nisur me marrëveshje për të acaruar pak situatën në të dy anët, në mënyrë që gjithçka të përfundojë me një telefonatë mes dy bajraktarëve ballkanikë, të cilët natën hedhin benzinë në zjarr dhe ditën marshojnë si zjarrfikës.

Kështu, pra, ecin e zhduken ditët tona të çmueshme. Taksi, mure, biseda telefonike, «dorëheqje» shefash të shërbimeve sekrete, «konferenca për shtyp» në Facebook. Por ajri ende ta zë frymën, mungesa e vendeve të punës ndikon që qindra të rinj çdo muaj të braktisin vendin, nepotizmi zgjerohet, arroganca po se po, zhvlerësimi dhe shkatërrimi ecin dorë më dorë.

Çfarë bilanci do të nxjerrë kjo gjeneratë e rritur pas luftës? «Ne jemi brez pa fat, pa atdhe dhe pa lamtumirë. Dielli ynë është i zbehtë, dashuria jonë është e tmerrshme dhe rinia jonë është pa rini. Ne po ashtu jemi brez pa kufi, pa vetëpërmbajtje dhe pa përkujdesje – brez i shtyrë nga karrigia e fëmijërisë në një botë të bërë prej atyre që tani na përçmojnë për shkak të saj. Mirëpo, ata s’na dhanë një zot me vete, i cili do të na e mbante zemrën kur të na përlajnë erërat e kësaj bote. Kështu ne jemi brez pa zot, sepse jemi brez pa ndonjë lidhje, pa të kaluar, pa mirënjohje. Erërat e botës (…) na kanë bërë gjeneratë pa lamtumirë. (…) Por, ne jemi brez i arritjeve. Ndoshta jemi brez plot arritje nën një yll të ri, në një jetë të re. Plot arritje nën një diell të ri, në zemrat e reja. Ndoshta jemi brez plot arritje në një dashuri të re, në një buzëqeshje të re, në një zot të ri. Ne jemi brez pa lamtumirë, por e dimë se të gjitha arritjet na takojnë neve». Shkruante kështu autori gjerman Wolfgang Borchert në një tregim. A tingëllon sot kështu edhe tregimi për gjeneratën e kosovarëve të rritur në liri?