«Me këtë nivel korrupsioni vendet e Ballkanit nuk e kanë vendin në BE»

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ), e cila është e afërt me kabinetin e kancelares Angela Merkel, kritikon ashpër politikanët e Ballkanit për plaçkitjen e vendeve të tyre. Në krye të listës së shteteve më të korruptuara është Shqipëria. Kosova po ashtu zë një vend të turpshëm, sepse një raport konstaton se korrupsioni po rritet.

Foto: Shutterstock

Gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» (FAZ) sjell në numrin e së hënës një raport dhe një koment mbi korrupsionin në Ballkan; në të dy tekstet toni është dramatik, kritika tepër e ashpër dhe kërkesa drejtuar qeverisë gjermane e qartë: «Me këtë nivel korrupsioni vendet e Ballkanit nuk e kanë vendin në BE», shkruan FAZ, e cila është e afërt me kabinetin e kancelares Angela Merkel.

«Organizatat serioze që denoncojnë korrupsionin tërheqin vërejtjen nga <përvetësimi i shtetit> në Ballkan. Kjo domethënë jo më pak se oligarkët me paratë e tyre i mbajnë fort në grusht drejtësinë, administratën dhe qeverinë. Në vendet kandidate për hyrje në BE këtë vit çdo të katërtit qytetar i është kërkuar të kryejë pagesa ilegale, çdo i pesti e ka bërë këtë. Në Shqipëri këto të dhëna janë dyfish më të larta. Ndërsa është kështu këto shtete nuk e kanë vendin në BE», komenton FAZ.

Gazeta shprehet e zhgënjyer që niveli i korrupsionit nuk ka rënë as në vendet që kanë hyrë në BE, siç janë Bullgaria dhe Kroacia. Sipas FAZ ka qenë gabim të mendohet se anëtarësimi në BE do ta ulë nivelin e korrupsionit.

Në raportin e tij mbi lulëzimin e korrupsionit korrespondenti i çështjeve ekonomike për Europën Juglindore, Christian Geinitz, tregon se si një ndërtimtar në bregdetin malazez i tregon se ka ndërtuar shtëpi dhe blloqe me banesa – natyrisht pa leje ndërtimi. «Këtë ne e rregullojmë nën dorë», tregon ndërtimtari malazez dhe i bën këtë ofertë gazetarit gjerman: «Nëse shkruani sa bukur është këtu dhe unë pastaj mund të ndërtoj këtu 20 godina të reja, atëherë do t’ua dhuroj një banesë për pushime».

Sipas FAZ përpjekjet për korruptim janë gjithkund të pranishme në Europën Juglindore. «Politikanët marrin dhe japin ryshfet, biznesmenët dhe gazetarët po ashtu. Për shumë shërbime klientët duhet të kryejnë pagesa ilegale. Kush dëshiron të fitojë një tender, të marrë një leje, një dokument zyrtar, ai duhet të fusë dorën në kuletë, edhe para gjyqit ai fiton vetëm nëse tregohet dorëhapur. Në trafik një dhuratë e vogël eviton gjobën, në spital ajo garanton trajtim më të mirë».

Gazeta gjermane i referohet një raporti të platformës antikorrupsion Seldi, një aleancë prej 17 organizatave joqeveritare nga Europa Juglindore, e cila ka konstatuar se në vendet e Ballkanit ryshfetdhënia ka marrë përmesa endemike.

Sipas Seldi gjendja më e keqe është në Shqipëri, e cila po ashtu synon të hyjë në BE. Atje gjysma e të anketuarve në vitin vijues janë ballafaquar me kërkesën për të dhënë ryshfet. 40 për qind e kanë bërë këtë. Në Maqedoni dhe Bosnjë kanë paguar ryshfet 28 për qind e të rriturve, në Kosovë 22 për qind, në Serbi dhe Mal të Zi 20 për qind.

Si vatër të korrupsionit aktivistët për qeverisje të mirë përmendin sektorin energjetik në Ballkan, i cili varet nga furnizimet me naftë dhe gaz nga bota e jashtme: «Kanalet për përvetësimin e shtetit në sektorin energjetik shfrytëzohen nga grupet lokale të oligarkëve dhe në shumë raste nga qeveria ruse për t’iu krijuar favore ndërmarrjeve të caktuara».

Sipas aleancës Seldi nga viti 2014 deri në vitin 2016 presioni i korrupsionit ka rënë shumë pak. Në pesë prej nëntë shteteve ai madje është rritur: në Shqipëri, në Bosnjë-Hercegovinë, në Kosovë, në Maqedoni, por edhe në Kroaci, shtet anëtar i BE-së. Edhe në Bullgari, një vend që prej vitesh është anëtar i BE-së, korrupsioni po rritet, ka konstatuar Qendra për Hulumtim të Demokracisë (CSD) në Sofje. Më 2007, shkruan kjo qendër, 17 për qind e popullsisë së rritur ka paguar ryshfet, më 2016 kjo shifër arriti në 22 për qind. Sipas ekspertëve qeveritë prej vitesh thonë se duan ta luftojnë këtë të keqe, por në fakt përpjekjet për luftimin e korrupsionit janë minuar. (-lli)