«Me jetë»- në mbrojtje të objektit që Komuna e Skënderajt do ta rrënojë

Pak hapa i ndajnë objektin e ri të Komunës dhe një objekt banesor e afarist në rrugën kryesore të qytetit «28 Nëntori» në Skënderaj.




Por këta «fqinjë» shumë shpejt mund të shihen në gjykatë kundër njëri-tjetrit, shkruan sot Koha Ditore.

Të parët kanë marrë vendim ta rrënojnë objektin e ndërtuar para 60 vjetësh, ndërsa të dytët janë kundër këtij vendimi.

Çështja ka shkuar aq thellë, saqë pronarët janë të gatshëm të sakrifikohen në mbrojtje të pronave.

Sami Tahiraj është njëri prej tyre. Ai nuk e ka ndërmend të dorëzohet. Thotë se do ta mbrojë edhe me jetë objektin që Komuna e Skënderajt ka marrë vendim për ta rrënuar.

Është lindur dhe rritur në banesën e tipit shtëpi në qendër të qytetit, ku ka jetuar edhe babai i tij. Por tash thotë se Komuna e Skënderajt po ia shkatërron jetën me një vendim, siç po e quan ai «arbitrar».