Me gjakftohtësi përballë furtunës

Së shpejti Gjykata Speciale mund të publikojë aktakuzat e para kundër disa figurave publike në Kosovë. Kush do të shkojë në Hagë? Këtë nuk e di askush tjetër përveç prokurorëve të Gjykatës Speciale. Por, kushdo që akuzohet, qytetarët e Kosovës duhet të sillen me përgjegjësi e qetësi, sepse faji është individual dhe jo kolektiv.



Procedurat juridike duket se tashmë janë sqaruar dhe Gjykata Speciale mund të publikojë akuzat e para kundër ish-krerëve të UÇK-së, të cilët dyshohet se kanë kryer krime të luftës kundër pjesëtarëve të pakicave në Kosovë, por edhe kundër rivalëve politikë shqiptarë. Gati 20 vjet pas luftës Kosova do të përballet me një kapitull të pakëndshëm të historisë së saj më të re. Në vend se në vitin 2017 kosovarët të merreshin me rrumbullakimin e shtetësisë, ata në muajt në vijim do të qëndrojnë para ekraneve televizive, s’do të heqin nga dora telefonat e mençur dhe nuk do të largohen nga faqet e mediave digjitale dhe të shtypura për të parë se kë do ta përlajë furtuna e Gjykatës Speciale.

Kush do të shkojë në Hagë? Këtë nuk e di askush tjetër përveç prokurorëve të Gjykatës Speciale. Por, kushdo që akuzohet, qytetarët e Kosovës duhet të sillen me përgjegjësi e qetësi, sepse faji është individual dhe jo kolektiv. Çdo individ që ka keqpërdorur uniformën e UÇK-së për të kryer krime duhet vetë të ballafaqohet me drejtësinë, pa tentuar ta përlyejë shoqërinë. Sepse shoqëria kosovare nuk i ka borxh askujt për marrëzitë, poshtërsitë dhe krimet eventuale që mund të ketë kryer gjatë apo pas luftës.

Shoqëria kosovare pas luftës nuk pati guxim të ballafaqohet me keqbërësit në radhët e saj. Ajo u dorëzua përballë kërcënuesve që nuk u sollën si çlirimtarë, por si grabitës e mujsharë. Tani një çmim duhet të paguhet – për shkak të dështimeve të shoqërisë kosovare për t’ua ndaluar të merren me politikë ata që vendin e kishin në burg. Kështu bëri vaki që figura të larta të ish-UÇK-së të krijojnë ndikim dhe sot të presin ballafaqimin me drejtësinë për shkak të dyshimeve për biznese milionëshe me patundshmëri, së paku. Me këtë profil politikanësh mund të merret edhe Gjykata Speciale. Mullinjtë e drejtësisë punojnë ngadalë, por s’ndalen.

Po të ishte pjekuria politike dhe shtetformuese në nivel, sot Kosova nuk do të ballafaqohej me këtë taksirat juridik. Prej vitesh është ditur se dëshmitarët po frikësohen, këtë e kanë nënvizuar shumë raporte të besueshme ndërkombëtare. Ndërkohë kërcënuesit e dëshmitarëve dhe vrasësit e dënuar nga gjykatat e UNMIK-ut në Kosovë janë bërë së paku deputetë. Është nënçmuar rreziku, kur Këshilli i Europës filloi të hetojë krimet e luftës në Kosovë. Është besuar jo vetëm nga të dyshuarit për krime, por edhe nga një pjesë e shoqërisë se kapitujt e errët të së kaluarës janë mbyllur njëherë e përgjithmonë dhe se nuk do të ketë dëshmitarë që do të flasin një ditë. Por, gjaku, siç dihet, s’bëhet kurrë ujë dhe nuk mund të fshihen gjurmët e çdo krimi, pa marrë parasysh fuqinë politike dhe nëntokësore që mund të kenë të dyshuarit.

Ndonëse faji është individual dhe secili i akuzuar do të ketë shansin të dëshmojë pafajësinë e vet, aktakuzat e Gjykatës Speciale do ta katapultojnë Kosovën në mediat ndërkombëtare dhe kjo sigurisht do të dëmtojë imazhin e vendit. Dëmi mund të kufizohet vetëm nëse Kosova nuk vazhdon të qeveriset nga ata që e futën shtetin në këtë qorrsokak. Një qeveri e prirë nga gjenerata e post-pavarësisë, me politikanë të pakorruptuar, mund të jetë shembulldhënëse se Kosova ka potencial të rrumbullakojë pavarësinë e saj, duke e bërë shtetin funksional. Mesazhi i zgjedhjeve të 11 qershorit ishte i qartë: kështu si deri më tani s’mund të vazhdojë më dhe assesi me politikanë që hallet e tyre personale duan t’i prezantojnë si halle të popullit. Përse të jenë halle të kosovarëve krimet e atyre që edhe pas luftës hapën garazhe spitalore për të hequr e vënë veshka dhe për të ndërtuar një rrjet ndërkombëtar të trafikantëve të organeve?