Me frikë të madhe drejt katastrofës historike

Britanikët kanë vendosur të tërhiqen në vend se të angazhohen për ndryshim ofensiv. Kjo është një përgjigje nga shekulli i gabuar – Brexiti do ta lëkund balancën e brendshme të BE-së.

Foto: Shutterstock

Në shkallën imagjinare të rëndësisë së kombeve me peshë të kësaj toke Britania e Madhe sapo e ka katapultuar veten larg diku prapa. E çuditshme: këtij vendi, për të cilin kurrë s’ka qenë e panjohur madhësia e vetvetes dhe relevanca historike, duket se i ka shpëtuar nga dora çdo instinkt. E nxitur nga një luftë e thjeshtë, brendapartiake për pushtet, e shtyrë nga shqetësimet dobët të argumentuara, e ndezur nga gënjeshtrat dhe resentimentet populliste Britania e Madhe është larguar nga koncerti i fuqive të mëdha dhe i është nënshtruar një eksperimenti: si të bëhem xhuxh i parëndësishëm, si duhet ta rrënoj ekonominë popullore, si të bëhem gaz i botës?

Të gjitha këto britanikët i kanë arritur me një referendum të vetëm, me një votë të thjeshtë in-out, e cila, dorën në zemër, është tepër e thjeshtë për të dhënë përgjigje ndaj një teme aq të madhe dhe aq kompelkse. Sërish u pa se kur është fjala për Europën, mjafton një shkëndijë për të shkaktuar një inferno plot zjarr. Jo, britanikët nuk kanë vendosur për ndonjë direktivë apo për kompetencat e Komisionit të BE-së, porse ata kanë votuar për frikën e tyre të thellë në një botë të globalizuar dhe kanë vendosur që me këtë frikë t’ia dalin mbanë vetë. Tërheqje në vend të ndryshimit ofensiv – kjo është një përgjigje nga shekulli i rrejshëm.

Tani mund të derdhim shpoti me kusi kundër britanikëve dhe t’i mallkojmë – por vota qëndron dhe ajo do t’i nxjerr mjaft punë Britanisë dhe Europës në vitet e ardhshme. Në vend se të merren me këtë botë të globalizuar dhe me rreziqet e saj – me tregtinë e lirë, terrorin, migracionin dhe para së gjithash me tendencat e fuqishme antidemokratike gjithandej – britanikët kanë vendosur për varianetin shtëpiak.

Nuk duhet të mendosh gjatë për të parë provincializmin e këtij vendimi. Më së largu atje, ku njerëzit ballafaqohen me probleme vërtet ekzistenciale, për shembull në Siri, mbretëron tmerri mbi këtë përbuzje ndaj botës. Si mund ta braktisësh Europën forca dhe atraktiviteti i së cilës burojnë nga bashkimi, ngjitësi demokratik dhe rendi i saj i bazuar në drejtësi. Britania e Madhe po e braktis një sistem, të cilin e duan shumë.

Për BE-në ky vendim i britanikëve është katastrofë historike. Bashkimi Europian po pëson distaftën e parë vërtet të dhimbshme dhe tani në ballë bart një nishan të dobësisë. Balanca e brendshme e BE-së po lëkundet, sinjali ndaj shteteve anëtare të pasigurta s’ka mundur të jetë më i qartë. Sidomos në Gjermani ko dëshirë për largim nga BE duhet t’i zgjojë të gjitha mendjet e mprehta. Një Bashkim Europian pa Britaninë e Madhe te shumë fqinj zgjon frikën e vjetër mbi dominimin gjerman, kjo do të çojë në alenaca të çuditshme pengimi dhe nuk do ta lehtësojë biznesin «merr e jep» në aleancën prej 27 shteteve.

Nëse dikush tani ëndërron për vizionin e madh europian dhe sheh shansin për një përparim shumë të ëndërruar në forcimin e BE-së, ai le të vazhdojë gjumin. Europa është tronditur, ajo s’do të ketë tani për tani fuqi për t’u rritur më shumë. Është me rëndësi që Gjermania dhe Franca të bashkohen në një sinjal të kontinuitetit. Europa Lindore dëshiron mbështetje në fushën e sigurisë, jugut të Europës i duhet ndihmë ekonomike. Gjermania tani duhet të jap nëse nuk dëshiron të humb gjithçka. Ndryshe se me gjasë për Britaninë e Madhe BE për Gjermaninë ka qenë përherë domosdoshmëri historike. Sado i madh të jetë zhgënjimi për vendimin ahistorik britanik, ai nuk duhet të mbulojë faktin se BE e ka bërë të fuqishme dhe të sigurt bashkësinë e shteteve të Europës.

(Autori është shef i politikës së jashtme në gazetën gjermane «Süddeutsche Zeitung» dhe i librit: «Angela Merkel: Kancelarja dhe bota e saj», i cili është botuar edhe në gjuhën shqipe, botimet Koha).