«Me fjalë dhe me vepra kundër klimës së fanatizmit në Europë»

Publicistja gjermane Carolin Emcke, e cila ka raportuar edhe nga Kosova, është nderuar me Çmimin e Lirisë, mirënjohjen më të lartë të librarëve gjermanë. Në ceremoninë e mbajtur të dielën në Frankfurt morën pjesë 1000 personalitete të jetës publike gjermane, përfshirë edhe presidentin Joachim Gauck.

Carolin Emcke në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Lirisë në Frankfurt. Në anën e djathtë presidenti i Gjermanisë Joachim Gauck.

Në fjalimin e saj mbresëlënës me rastin e pranimit të Çmimit të Lirisë të librarëve gjermanë filozofja dhe gazetarja gjermane Carolin Emcke bëri apel për angazhim qytetar kundër «klimës së fanatizmit dhe dhunës në Europë». Ajo tha se ekstremistët politikë dhe popullistët nuk duhet të lejohen «të na bëjnë të paaftë për të kundërshtuar dhe të pagojë. Ne mund të flasin dhe të veprojmë. Ne mund të marrim përgjegjësi. Kjo domethënë: ne duke folur dhe vepruar mund të ndërhyjmë në këtë botë që po prishet gjithnjë e më shumë». 49-vjeçarja Emcke tha se është detyrë e shoqërisë të kundërshtojë urrejtjen aktuale që po lëshon rrënjë në shumë shoqëri europiane.

Laureatë të Çmimit të Lirisë janë, mes të tjerëve, edhe Vaclav Havel, Jürgen Habermas (profesor i Emcke) dhe Susan Sontag. Carolin Emcke u nderua me këtë çmim për kontributin e saj për dialogun shoqëror. Ndarja e çmimit u bë në praninë e 1000 personaliteteve të jetës publike gjermane në Kishën e Shën Palit në Frankfurt. Mes të pranishmëve ishte edhe presidenti gjerman Joachim Gauck.

Emcke është autore e disa librave mbi domosdoshmërinë e raportimit nga vatrat e krizës dhe publikimin e fateve të njerëzve të goditur nga dhuna.

Në qershor të vitit 1999 Emcke ishte ndër gazetaret e para që hyri në fshatrat dhe qytetet e shkatërruara të Kosovës dhe raportoi për revistën «Der Spiegel». Përveç nga Kosova Emcke ka shkruar edhe nga Haiti, Afganistani, Iraku, por edhe nga New Yorku, pas rrëzimit të kullave binjake. Tekstet e saj janë botuar në «Der Spiegel», «Die Zeit», «Süddeutsche Zeitung».

Filozofja Seyla Benhabib e quajti Carolin Emcke një «tregimtare vërtet të madhe». Ajo «ka krijuar një miks unik nga reportazhi, reflektimi filozofik dhe kompozicioni letrar, përmes të cilave jep llogari morale për vuajtjen njerëzore në konfliktet e dhunshme».

Në fjalimin e saj Emcke tha se lufta kundër dogmatikëve nacionalistë në Europë nuk duhet të zhvillohet vetëm nga politikanët, por nga mbarë shoqëria. «Aktualisht në Europë po gufon një klimë e fanatizmit dhe dhunës. Dogmatikët pseudoreligjiozë dhe nacionalistë po propagandojnë maksimën e <popullit homogjen>, të fesë <së vërtetë>, të traditës <zanafillore>, të familjes së <natyrshme> dhe të kombit <autentik>. Ata po përvetësojnë kode dhe nocione me të cilat disa duhet të përjashtohen dhe të tjerët të përfshihen. Ata arbitrarisht po ndajnë dhe përçajnë, po duan të na tregojnë se kush na përket neve dhe kush jo».

Fjalimin e saj Emcke e përfundoi me këto porosi: «Ne nuk duhet vetëm të themi se jemi shoqëri e lirë, sekulare, demokratike, por edhe duhet të jemi. Liria nuk është diçka që e posedojmë, por diçka që e bëjmë. Sekularizmi nuk është gjë e përfunduar, por projekt i papërfunduar. Demokracia nuk është një gjë e sigurt statike, por një provë dinamike gjatë ballafaqimit me pasiguritë dhe kritikën. Një shoqëri e lirë, sekulare, demokratike është diçka me të cilën duhet të mësohemi. Vazhdimisht. Duke dëgjuar njëri-tjetrin. Duke menduar për njëri-tjetrin. Duke folur dhe vepruar së bashku. Me respekt të ndërsjellë para shumëllojshmërisë së përkatësive dhe veçantive individuale. Dhe gjithsesi në pranimin e ndërsjellë të dobësive tona dhe të faljes. A është kjo e zorshme? Po, pafundësisht. A do të ketë konflikte mes praktikave të ndryshme dhe bindjeve? Po, sigurisht. A do të jetë nganjëherë vështirë që referencat religjioze dhe rendi sekular të vihen në balancë të duhur? Absolutisht. Përse të jetë lehtë? Ne vazhdimisht duhet t’ia nisim nga fillimi. Çfarë duhet për këtë? Jo shumë: pak qëndrim, pak guxim me buzagaz dhe gjithsesi gatishmëri për të ndërruar këndvështrimin, në mënyrë që më shpesh të bëjë vaki të themi: hopa, domethënë kështu po u dukka nga kjo perspektivë».