Me fat të mirë në Curraj të Epërm

Kush niset për në fshatin Curraj i Epërm duhet të ketë durim, sidomos në ditët me vapë. Por, atje lart, në kodrat shqiptare, udhëtarin e pret një shpërblim i madh: natyra mahnitëse, mikpritja, ushqimi pa helme industriale – dhe disa çekë që e kanë zbuluar Shqipërinë e paprekur nga betoni.

Curraj i Epërm. Foto: E.R.



Udhëtimi drejt Currajt të Epërm fillon me një leksion. Pasi një punëtor i hidrocentralit në Curraj të Poshtëm me përzemërsi na tha se mund të parkojmë veturën pranë objektit, filluam ta bezdisim me pyetjet e famshme sa zgjat ecja, kësaj radhe deri në Curraj të Epërm, a ka burime uji pranë shtegut, ndonjë rrezik? Punëtori na shikoi pak vëngër, pastaj filloi leksionin për burrin shqiptar që nuk iu ka dorëzuar as vapës, as acarit, për nënat shqiptare që i kanë lindur fëmijët në arë, i kanë mbështjellë me «pshtjellak» dhe i janë kthyer punës. «Sot, o vëlla, të gjitha vrap e në maternitet. A i ke pa burrat tanë që lindnin dikur në këto male? Dy metra të gjatë. Si lisa».

Me gjasë nuk ia mbushëm syrin.

Pas gati tetë orë ecje nëpër një natyre mahnitëse, mes një bote bimore të pasur, kodrave e gurëve që dukej se vlonin nga vapa, burimeve me ujë kristal dhe të ftohtë si akulli dhe me shijen e manaferrave në gjuhë arritëm në Curraj të Epërm, një fshat në trevën pothuaj mitike Nikaj-Mërtur. Në hyrje të fshatit takuam Edisonin, një djalë 18-vjeçar, i cili, pasi i treguam për kohëzgjatjen e ecjes sonë, me humor na pyeti: «A prej Shkodre po vini a?»

Natën do ta kalonim në familjen Prebibaj, e cila e ka vënë shtëpinë në shërbim të turistëve, të cilët më shumë pëlqejnë zonat alpine të Shqipërisë se sa plazhin. Gjatë rrugës takuam dhjetëra turistë çekë, kryesisht studentë, mes tyre edhe Jan Balákun, i cili në grupin tonë të vogël menjëherë e dalloi Nëntor Osekun, gjakovarin që e ka ecur cep më cep Shqipërinë dhe ka bërë aq shumë për promovimin e turizmit malor. Jan Baláku është njëri nga organizatorët e ardhjes së çekëve në Curraj të Epërm.

 Çekët po largoheshin nga fshati pasi kishin kaluar një muaj në kampin e tyre pranë Pusit të Kishës, i krijuar nga lumi që kalon nëpër Curraj të Epërm. Ka disa vite që çekët e kanë zbuluar këtë pjesë të mrekullueshme të Shqipërisë. Vijnë, vendosin tendat e tyre, rrinë herë një muaj, herë shtatë javë. Blejnë djathë, mish, qumësht, bukë, perime e pemë nga familjet e fshatit. Ditët i kalojnë duke u hedhur në lumë ose duke u ngjitur në kodrat përreth. Njëri prej tyre me krenari tregoi se, mes tjerash, ishte ngjitur edhe në Majën e Hekurave (2561 metra mbi det).

Shtigjet janë të shënuara gati si në Zvicër. Nga Curraj i Epërm mund të ndërmerren disa ecje, madje deri në Thethin e famshëm, por, fatkeqësisht, dita ditës të mbuluar me beton. Në Curraj s’ka arritur ende betoni. Nuk ka as lidhje interneti. Vetëm në hyrje të fshatit kush ka fat mund të kap valët e ndonjë kompanie telefonike shqiptare. Në katin e dytë të shtëpisë së saj Fatmira Prebibaj ka zbuluar një skutë, ku mund të lidhet me botën. Përmes profilit të saj në Facebook ajo mban kontakte me njerëzit e interesuar të shkojnë në Curraj të Epërm.

Ardhacakët e lodhur nga helmi digjital dhe nga fiksimi në telefonin mobil në familjen Prebibaj i pret një botë tjetër, një botë që duket e harruar. Fatmira është një vajzë që sapo ka mbaruar studimet për Gjuhë e Letërsi Shqipe në Shkodër dhe tani i mirëpret mysafirët me të mirat e tokës së fshatit dhe të kuzhinës tradicionale. Djathë, qumësht, mazë, domate, tranguj, mish, bukë gruri e misri të pjekur në vatrën e familjes Prebibaj.

«Këtu njerëzit mund të vijnë vetëm në këmbë», thotë Fatmira. «Ose me mushkë. Mushka është <benzi> ynë».

Çekët janë grupi më i madh i turistëve që vizitojnë Currajn e Epërm. Ata kanë bërë shumë për turizmin malor: kanë shënuar shtigjet, kanë hapur një faqe në internet, ku ofrohen informata për ata që duan të vijnë në këtë fshat, madje edhe në kishën e fshatit kanë vendosur disa banka, mbi të cilat vizitorët mund të zënë vend për një çast të prehjes (jo)religjioze. Në hyrje të kishës është vendosur një pllakë me këtë shënim: «Këtu në Korrik 1915 pas luftimesh të ashpra populli i Curraj Epër mundi ushtrinë Serbo-Malazeze. Për këtë popull ky është vend simbol i Besimit ne Zot, Atdhe – dashurisë, Besës, Urtesisë e Unitetit». Në oborr të kishës një pllakë e kujton Gjelosh Ram Mrishajn, «prijës famëmadh i Djelmënisë së Currajve. Ndër drejtuesit e Malsisë së Gjakovës në luftën anti Turke 1910-1912 e asaj anti Malazeze 1915. <Dëshmor i atdheut>».

Burrat e Currajt të Epërm duket se nuk janë vetëm trima. Ndoshta për shkak të klimës së mirë dhe ushqimit pa pesticide në këtë rajon njerëzit jetojnë gjatë. Në varrezat e fshatit bie në sy varri i Mhill Demës. I lindur më 1880 (dy vjet pas Lidhjes së Prizrenit) dhe i vdekur më 1986 (një vit pas vdekjes së diktatorit shqiptar Enver Hoxha).

Pas shëtitjes nëpër fshat, mes lopëve të majme, mushkave, kuajve dhe këngëve të një grupi burrash që dukej se gjatë ditës kishin zbrazur disa shishe raki, na pret darka e përgatitur nga duart e vyera të Fatmira Prebibajt, të cilën e ndihmojnë motra dhe nëna saj. Një panel, dhuratë e Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), siguron energji solare. Janë të huajt, çekët dhe gjermanët, që kanë bërë më shumë se institucionet e shtetit shqiptar për ta bërë të njohur në botë natyrën e paprekur shqiptare. Disa çekë në ditën e largimit nga Curraj i Epërm kishin veshur bluza me shqiponja. Një shenjë respekti për vendin dhe një premtim se vitin tjetër ata do të kthehen sërish në Curraj. Atje, në ato kreshta të bukura, do të duhej të vinin më shumë shqiptarë. Kush niset për në fshatin Curraj i Epërm duhet të ketë durim, sidomos në ditët me vapë. Por, atje lart, në kodrat shqiptare, udhëtarin e pret një shpërblim i madh: natyra mahnitëse, mikpritja, ushqimi pa helme industriale – dhe disa çekë që e kanë zbuluar Shqipërinë e paprekur nga betoni.

Kur vizitori ka fat, atëherë në Curraj gjatë natës mund të bie edhe shi dhe të sjellë një freski që ndihet me çdo frymëmarrje. Në mëngjes u bëmë dëshmitarë të një spektakli natyror me rreze dielli që çanin dalëngadalë mjegullën që kishte përqafuar majat përreth fshatit. Në kthim e sipër u gjendëm mes një grupi banorësh të zonës Nikaj-Mërtur, të cilët që nga rënia e komunizmit kanë braktisur fshatin dhe gjatë fundjavës ishin ngjitur në Curraj të Epërm, në vendlindjen e tyre dhe të parëve të tyre. Ecja nuk zgjati as pesë orë. Dhe për këtë merita u takon djemve të Nikaj-Mërturit, të cilën ia morën këngës, duke lartësuar Avni Rrustemin dhe lirinë e Kosovës. Dhe ky udhëtim nuk kishte si të përfundonte ndryshe pos me një valle nën tingujt e këngës «Kce moj çikë Tropoje». Kështu është Shqipëria. E ashpër në shikim të parë dhe pafund e dashur, kur njeriu merr kohë dhe ka vullnet të shkojë atje ku të çojnë vetëm këmbët. Në Curraj të Epërm.