MCC është duke analizuar se pse Kosova nuk nxit investime të huaja

Alban Zogaj, përfaqësues i Millenium Challenge Corporation (MCC), mbrëmë në emisionin «Ekonomia me Erëzën» në KTV, pohoi se kjo organizatë është duke analizuar pengesat kryesore të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

«Qëllimi kryesor i krejt analizave është që ta shohim se çka po i pengon investimet e reja në Kosovë. Një prej hipotezave kryesore të MCC-së është se rritja ekonomike vjen si rezultat i rritjes së investimeve dhe në qoftë se ne i gjejmë pengesat kryesore të investimeve në Kosovë dhe në qoftë se i ndihmojmë investimet private, atëherë do të arrijmë edhe rritjen ekonomike», pohoi Zogaj.

Ai shtoi se një analizë e tillë ekonomike ende nuk është bërë në Kosovë.

«Në të gjitha takimet që i kemi pasur deri tash, edhe me palët tjera me interes edhe me sektorin privat, zbatimi i ligjit del të jetë një ndër pengesat kryesore», ka shtuar Zogaj.