Mbrojtja e arkeologjisë, Durrësi ia kushton ditën e monumenteve Vangjel Toçit

Në valën e diskutimit për gërmimet e projektit «Veliera» në Durrës, dita e monumenteve merr emrin e arkeologut të njohur, Vangjel Toçi.

Amfiteatri i Durrësit. Foto: Shutterstock



Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Durrës vendosi t’ia kushtojë 18 prillin- ditën ndërkombëtare të monumenteve, arkeologut të njohur Vangjel Toçi (1920-1999). Nisma vjen në kohën e diskutimeve të ethshme në qytet, lidhur me të ardhmen e zbulimeve arkeologjike në zonën ku po realizohet projekti «Veliera».

Sondazhet e ditëve të fundit kanë qartësuar edhe më tej raportet mes objekteve dhe monumenteve që i përkasin periudhave të ndryshme të jetës së qytetit. Tashmë pritet raporti përfundimtar i specialistëve të arkeologjisë, që do të mundësojë vendime të përcaktuara nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe Ministria e Kulturës për projektin «Veliera».

Rikthimi i emrit simbol të Vangjel Toçit në këtë situatë i afron më shumë shanset për një zgjidhje, ku bashkohet lashtësia me modernen.

Veprimtaria ka gjetur mbështetjen e Bashkisë së Durrësit, e cila ka parashikuar edhe ceremoninë e emërtimit me emrin e tij të rrugës pranë monumentit antik.

Disa veprimtari të rëndësishme do të zhvillohen të martën e ardhshme në mjediset e Amfiteatrit të lashtë, ku janë ftuar edhe qytetaria durrsake si dhe arkeologët që kanë bashkëpunuar në vite me bashkëpunëtorin e vjetër shkencor, Vangjel Toçi.

Nisma është mirëpritur nga qytetarët durrsakë, të cilët e kujtojnë periudhën e veprimtarisë zbuluese dhe shkencore të Vangjel Toçit dhe kolegëve të tij si kohën më të mirë në evidentimin e monumenteve të klasit të parë në qytetin 3000-vjeçar. Amfiteatri, mozaiku i njohur me emrin «Bukuroshja e Durrësit», termat e periudhës romake, Rotonda bizantine, etj; që të gjithë të zbuluara në vitet 1960-1980 janë meritë e drejtuesit të talentuar të Muzeut Arkelogjik, Vangjel Toçi, i cili më parë kishte themeluar edhe Bibliotekën e qytetit, muzeun arkeologjik dhe atë të Luftës.

Kohët e fundit emri i arkeologut të mirënjohur u përmend shpesh gjatë debateve që pasuan zbulimet e fortifikimeve të periudhës otomane dhe bizantine në afërsi të portit të Durrësit. Në prononcimet mediatike, personalitete të arkeologjisë në shkallë vendi e konsideruan Vangjel Toçin, si një pikë referimi jo vetëm për specialistët e rinj të fushës, por edhe si simbol të qytetarisë.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare synon të kthejë vemendjen e qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve drejt të kaluarës së Durrësit, si dhe vlerave të tij. Njohja dhe ruajtja e objekteve arkeologjike të qytetit është një nga synimet e tjera të organizatorëve të veprimtarisë së 18 prillit të këtij viti.

Mozaiku i shekullit IV para erës sonë, i njohur si "Bukuroshja e Durrësit". Mozaiku i shekullit IV para erës sonë, i njohur si «Bukuroshja e Durrësit».

(https://www.reporter.al/mbrojtja-e-arkeologjise-durresi-ia-kushton-diten-e-monumenteve-vangjel-tocit/)