Mbrojtja: Akuza ndaj Besnik Mustafës e ngritur vetëm pse ai është djali i kryeministrit




Besnik Mustafa dhe 6 personat tjerë po vazhdojnë ballafaqimin me Gjykatën.

Djali i kryeministrit dhe të tjerët, në mesin e tyre 2 ish-zyrtarë të MTPT-së akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me një fluturim të anuluar të vitit 2009 në Aeroportin e Prishtinës.

Besnik Mustafa, si menaxher i Bankës për Biznes, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, të një garancie bankare që ishte e dedikuar për pasagjerë, raporton KTV.

Por, avokati i tij që është edhe këshilltar i Isa Mustafës, po e quan këtë drejtësi selektive.

«Në bazë të fakteve, del se Prokurori e ka akuzuar Besnik Mustafën sepse ka qenë djali i Isa Mustafës e jo se ka kryer ndonjë vepër penale», ka thënë Besnik Berisha, Avokat i Besnik Mustafës.

Por, prokurori special, Ali Rexha, e ka mohuar këtë, duke thënë se në këtë rast ka edhe të akuzuar tjerë dhe se në kohën e hetimeve nuk ka qenë Isa Mustafa fare kryeministër.

Në seancën e së hënës, dëshminë e tij e ka dhënë Ali Aliu, ish-drejtor i departamentit të aviacionit civil.

Ai ka thënë se në këtë rast nuk është respektuar hierarkia dhe vartësi i tij, Ismajl Berisha, ka komunikuar direkt me kabinetin e ish-ministrit, Fatmir Limaj.

Ish-shefi i kabinetit, Endrit Shala, nuk është paraqitur si dëshmitar me arsyetimin se ka pasur një familjar të sëmurë.

Në seancat e ardhshme, pritet të dëshmojë edhe Agron Mustafa, ish-drejtor i Aeroportit të Prishtinës.