Mbreti i Zvicrës

Themelues banke, themelues i shkollës më të famshme teknike në Europë, politikan, «baba» i tunelit më të rëndësishëm të Zvicrës, Gotthardit, vizionar: Zvicra feston 200-vjetorin e lindjes të Alfred Escherit.

Alfred Escher.



Pa Alfred Escherin Zvicra nuk do të ishte e tillë siç është sot. Për këtë ndoshta nuk janë të vetëdijshëm shumica e njerëzve që kalojnë pranë përmendores së tij përballë stacionit kryesor të trenit në Zürich. Dje, më 20 shkurt, personalitete nga politika, ekonomia dhe kultura shënuan në Zürich 200-vjetorin e lindjes së Alfred Escherit. Para veprës së tij u përkul edhe presidenti i radhës i Zvicrës, Ueli Maurer. Për veprat e Escherit pak më vonë në këtë tekst, tani disa fjalë mbi familjen e tij.

Gjyshi i tij Hans Caspar Escher, ndonëse rridhte nga një familje e psaur, e dogji gati tërë pasurinë dhe iku në Rusi. Nga pasojat e spekulimeve të tij financiare për pak falimentoi edhe Zürichu i asaj kohe. I biri i tij Heinrich Escher (babai i mëvonshëm i Alfred Escherit) arriti të krijojë sërish pasuri. Si i ri ai mësoi zanatin e bankierit te një bankier zviceran në Paris. Më 1794 Heinrich Escher hipi në një anije dhe shkoi në kontinentin e ëndrrave – në Amerikë. Atje vuri themelet e tregtisë së tij me kafe, çaj e pambuk. Pak para moshës 40-vjeçare u kthye në Zürich, ku ndërtoi pallatin Belvoir. Këtu u rrit Alfred Escheri, këtu mori mësimet e para – nga mësues privatë. Pastaj kreu gjimnazin dhe studoi drejtësinë, ku u shqua si njëri prej studentëve më të mirë. Si docent i drejtësisë ai filloi të merrej me politikë duke u inkuadruar në partinë liberalo-radikale, e cila sot njihet si FDP, partia liberale. Meqë ishte me origjinë nga një klan i pasur e me ndikim në Zürich, Alfred Escher pati shumë lidhje me plot njerëz me ndikim në Zürich dhe gjetiu në Zvicër.

Në kantonin e Zürichut Escher ishte parlamentar dhe ministër, në Bern, pas themelimit të Zvicrës moderne më 1848, ai qe kryetar i legjislaturës së parë të parlamentit. Në shekullin e ’19 Zvicra ishte një vend i izoluar për shkak të mungesës së rrugëve. Nëse sot gjithkund flitet për domosdoshmërinë e pajisjes së shoqërive me internet, në shekullin e ’19 vendimtar ishte rrjeti i hekurudhave. Dhe Escher i priu projektit të lidhjes së Zvicrës me hekurudha. Ai ishte pionier i kësaj fushe. Më 1854 themeloi Nordostbahn, e cila lidhte Romanshornin buzë Liqenit të Konstancës me Zürichun. Më 1854 Escher themeloi Politeknikumin Federal, sot i njohur si ETH, universiteti më i famshëm teknik në Europë dhe ndër të parët në botë. Në ETH ka studiuar edhe Albert Einsteini i famshëm; kjo shkollë numëron 21 nobelistë, mes tyre dy nga Ballkani, kroatët: Lavoslav Ruzhiçka dhe Vladimir Prellog. Në ETH ka studiuar edhe politikani famëkeq serb Nikolla Pashiq. Shqiptari i parë që ka studiuar (në vitet ’70) në këtë shkollë – sipas të gjitha gjasave – është Vllaznim Xhiha, sipërmarrës dhe filantrop, i njohur në Zvicër si themelues i Newave Energy Holding SA dhe në Kosovë si themelues i projektit Bonevet.

Pas themelimit të Politeknikumit Federal, Alfred Escher themeloi më 1856 bankën Kreditanstalt, sot e njohur si Credit Suisse. Një vit më vonë themeloi kompaninë për sigurimin e jetës dhe pensioneve (Schweizerische Lebensversicherungs- und Rentenanstalt), tani e njohur si Swiss Life. Emri i Alfred Escherit është përjetësisht i pandashëm edhe me tunelin e Gotthardit, i cili lidhë Zvicrën gjermane me atë italiane – ose në kuptim më të gjerë: Europën veriore me atë jugore, Mesdheun me Skandinavinë. Si politikan me ndikim Escher siguroi mbështetjen politike dhe financiare për tunelin atëherë më të gjatë hekurudhor në botë. Më 1872 filluan punimet në Erstfeld (fshat në Zvicrën gjermane) dhe në Airolo në kantonin italishtfolës të Tiçinos. Ndërtimi kushtoi shumë më tepër se ç’kishte parashikuar Escher, por ai nuk u dorëzua, mori një kredi. Edhe shteti ndau 4,5 milionë franga, por me kusht që Escher të largohet nga posti i drejtorit të vijës hekurudhore të Gotthardit (Gotthardbahn). Kur në mars 1880 u organizua ceremonia e hapjes së tunelit të Gotthardit, Escher nuk u ftua fare. Një ndër poshtërimet më të mëdha që Zvicra zyrtare i ka bërë një personaliteti. Alfred Escher vdiq më 6 dhjetor 1882.

Si çdo personalitet i madh edhe Alfred Escher kontestohet. Nga qarqet e majta kërkohet të hulumtohet nëse një pjesë e pasurisë së tij buron nga tregtia me skllevër. Historiani Joseph Jung, i cili ka shkruar një biografi të Alfred Escherit, i mohon akuzat ndaj vizionarit zviceran. Para lindjes së Alfredit xhaxhai i tij Fritzi bleu një plantacion të kafesë në Kubë. Në këtë plantacion punonin skllevër. Pas vdekjes së Fritzit plantacionin e trashëgoi më 1845 babai i Alfredit, Heinrichu, i cili e shiti atë. Rrjedhimisht, thotë biografi, Alfred Escher s’kishte të bënte me këtë plantacion.

E pamohueshme është se falë Alfred Escherit Zvicra e shekullit ’19 u bë qendër e bankave, e sigurimeve, e infrastrukturës hekurudhore dhe e arsimit të nivelit të lartë teknik. Alfred Escher i vuri themelet e Zvicrës përparimtare.