Mbreti i pyllit




Kush sulet me kalë nëpër terr e stuhi?
Është babai me djalin e tij.
Foshnjën ndër krahë fort e shtrëngon,
E mban me kujdes, nga era e mbron.
- O bir, fytyrën me frikë pse e fsheh?
- Mbretin e pyllit, babush, a s’e sheh,
Me kurorën mbi kokë e bishtin e gjatë?
- Është mjegull ajo, o bir, është natë!
«Fëmijë e dashur, eja me mua,
Kam lodra të bukura, si thua?
Do të të çoj mes lulesh përrallore,
Do të të vesh me rroba princërore!»
- Babush, babush, a nuk po e dëgjon
Mbreti i pyllit çfarë më premton? -
- Qetësohu, o bir, askush nuk të flet,
Është era në pyll, që klith e bërtet. -
«Fëmijë e dashur, a s’po vjen me mua?
Çupat e mia do jenë shoqet e tua;
Vallen do heqin e do të këndojnë,
Me ty gjithë ditën do të lodrojnë.» -
- Babush, babush, a s’të ngjan se janë
Çupat e mbretit atje matanë?-
- O bir, o bir, unë dalloj fort mirë,
Janë vetëm livadhet në errësirë. -
«Të dua shumë, pamja jote më tërheq!
Dhe në mos ardhsh me dashje, do vish me të keq!»
- Babush, babush, ai po me kap e po më merr,
Mbreti i pyllit më kall frikë e tmerr!
Babai rrënqethet, me vrap kalin e nget,
Fort djalin shtrëngon, që regëtin e s’flet,
Me ankth e llahtar arrin në shtëpi,
Por i vdekur ish djali në krahët e tij.


E përktheu: R. Shvarc