Mbretëresha në fron

Prishtina, kryeqyteti më i ri i Europës, është një tinejxher mes metropoleve: e mërzitshme, tekanjoze - dhe e mrekullueshme.

Prishtina. Foto: Arben Llapashtica



Kaloi një kohë derisa e vërejta se çfarë nuk ishte normale. Po qëndroja në tarracën e një kafeneje në Bulevardin Nëna Terezë, ajri lëshonte aromën e gështenjave të pjekura dhe qindra njerëz po shëtisnin atypari. Nuk po shihja një njeri që nuk mund të ishte fëmija im.

Gjysma e banorëve të Prishtinës është nën moshën 25-vjeçare, vetë qyteti është i papjekur si një tinejxher. Në hartën që kisha me vete mungonin rrugët, të cilat ekzistojnë, dhe ato që janë të shënuara aty quhen ndryshe. Asgjë nuk është e përcaktuar në kryeqytetin e Kosovës, himni i së cilës është një melodi, por çuditërisht nuk ka tekst.

Kush ka qejf të eksplorojë diçka të pritshme nuk e ka vendin këtu. Tipike socialiste, mendova vetë më vete në shkallët e errëta të një ndërtese banimi, ku vinte erë qymyri dhe mjetesh dezinfektimi; lifti ishte i prishur, zyra e Fatlum Halitit në katin e pestë. Pastaj u gjenda në studion e arkitektit 34-vjeçar, e rregulluar si në një foto që shkëlqen në ndonjë revistë për të banuar më bukur; me karrige të Charles Eames, me iMac dhe me punëtore të zbukuruara me stil – një imazh i modernizmit të freskët.

«Nuk është gjithçka terr në Kosovë», thotë Fatlumi dhe tregon projektet e tij në iPad; dritë dhe akcente ngjyre të vendosura në mënyrë decente, një kontrapunkt ndaj stilit pompoz të Ballkanit.

Shefi, me mjekër të zezë dhe toja të këpucëve ngjyrë portokalli, e ka bërë realitet ëndrrën e tij me një shpejtësi, e cila është e mundshme vetëm në Prishtinë. Pa arritur sukseset e para në një studio arkitekture, ai menjëherë pas studimeve themeloi vetë një studio. Kontrata e parë, të cilën ia ndërmjetësoi një mik: një bar në Kristiansand të Norvegjisë. Pastaj në Kosovë një dizajn i ri për Kentucky Fried Chicken, për rrjetin e dyqaneve Meridian, për butikun e dizajneres së modës Venera Mustafa, ambasada e vendit në Budapest – dhe perspektiva të shkëlqyeshme biznesi në mbarë Europën.

«Nuk është gjithçka terr në Kosovë», thotë Fatlumi dhe tregon projektet e tij në iPad; dritë dhe akcente ngjyre të vendosura në mënyrë decente, një kontrapunkt ndaj stilit pompoz të Ballkanit. Vetëm kontrata me KFC-në u solli punë për një vit rreth 100 kosovarëve, dhe kur ka porosi nga bota e jashtme Fatlumi eksporton dyer e dritare të fabrikuara në Kosovë – bashkë me punëtorët që i instalojnë.

«Jetoj mirë», thotë ai. Me gruan e tij ai shkon për skijim në Zvicër, koleksionon vepra të artistëve të rinj kosovarë. Një pikturë e madhe qëndron e mbështetur për muri, me ngjyrë hiri si të ishte një shtresë e reve të dimrit, në mes një njollë e trashë me energji shpërthyese. «Ky është një portret i Prishtinës», shpjegon ai.

Nuk është lehtë t’i biesh në fije këtij qyteti. Varësisht nga burimi papunësia sillet mes 33 dhe 60 për qind, më shumë se gjysma e të rinjve janë pa punë. Një espresso me një shishe të vogël San Pellegrino në kafeteri kushton 1.70 euro, kur e krahason me rrogat mesatare prej rreth 300 euro i bie se kushton 28 franga. Por kefeteritë janë plot, qyteti rrezikon t’i zihet fryma nga qarkullimi i veturave të reja, dhe lypësit pothuaj se nuk shihen me përjashtim të disa pleqve në zonën e këmbësorëve dhe grave me shumë rrudha në fytyrë, të cilat rrinë të palëvizshme para xhamive.

Qyteti i vjetër me rrugicat e ngushta dhe perspektivat befasuese ka diçka mesdhetare, edhe pse nuk ka det.

Më kanë siguruar se nuk duhet të kem frikë nga sulmet me qëllim të grabitjes. Për shqiptarët mikpritja është aq e shenjtë, saqë sipas të drejtës zakonore të kodifikuar në Kanun një mikpritës është i obliguar të marrë gjak nëse dikush i bën diçka mysafirit që është nën mbrojtjen e tij. Mirë ta dish këtë, mendova vetë me vete, kur natën nëpër rrugicat e errëta shkoja te hoteli im. Pa rreziqe nuk ishte. Aty-këtu mungojnë kapakët e kanalizimit, shufrat e hekurit ngrenë kokë nga kalldrëmi me bira dhe një zënie në thua mund të të bëjë rast urgjent.

Qyteti i vjetër me rrugicat e ngushta dhe perspektivat befasuese ka diçka mesdhetare, edhe pse nuk ka det. Qoshe idilike, të paprekura nga «turbo-arkitektura» më e re, fshihen pas pazareve me kolorit dhe me plot njerëz e vetura, të cilat shtyhen për të kaluar njëri-tjetrin. Si i huaj këtu bie në sy, të përshëndesin përzemërsisht dhe e ndien veten aq të mirëseardhur, saqë mund të të vijë turp. Kur e refuzova paksa vrazhdë një taksist, i cili doli nga vetura dhe m’u drejtua mua, ai pa sherr më tha se nuk po kërkonte klientë, por më kishte parë se po kërkoja diçka, ndoshta, tha ai, mund t’ju ndihmoj? Këtë edhe e bëri, duke u përshëndetur me mua me një «Welcome to Kosovo!» të përzemërt.

Përse atëherë të habiteni që kryeqyteti më i ri, më i varfër dhe – siç thonë disa gojëkëqinj – më i shëmtuar i Europës e ka kryetar një të diplomuar në Harvard University? Shpend Ahmeti më priti në selinë e komunës; 39-vjeçar, njohës i pesë gjuhëve, i drejtpërdrejtë si një amerikan dhe ironik si një europianolindor. I rritur në Prishtinë, ai para katër vitesh mori detyrën me shumë kumbim: ndaloi menjëherë ndërtimet, mjaft më me dhjetëra-mijëra shkelje kundër ligjeve të urbanizimit si ballkonet pa leje, më shumë kate se ç’është e lejuar dhe qiellgërvishtës komplet ilegal – një rrëmujë, e cila e bën metropolin të duket sikur dikush i ka shkarkuar mbi të shtëpitë dhe hotelet e lojës «Monopoli».

«I kemi ndryshuar rregullat e lojës», thotë Ahmeti dhe numëron se çfarë ka bërë: e ka shitur xhipin që i takonte, parkun me 7 autobusë e ka shumëfishuar në 58, ka dyfishuar numrin e çerdheve, çdo fëmijë në shkollë furnizohet me një gotë qumësht – dhe para së gjithash ka bërë atë që ka mësuar në SHBA: transparencë dhe llogaridhënie të autoriteteve ndaj qytetarëve. Ai ka mbajtur 140 takime me qytetarë, ka dëgjuar shqetësimet e tyre, ka diskutuar për propozimet e tyre dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë edhe vetë aktivë.

«Njerëzit në Kosovë kanë një raport të veçantë ndaj veturës së tyre», thotë Shpend Ahmeti shkurt. «U pëlqen ta shikojnë ndërsa pinë kafe».

Një arkitekt i mëhershëm i qytetit, i cili kishte vepruar kundër ndërtimeve ilegale, u vra; paralajmërimet se edhe atij mund t’i ndodhë e njëjta, Ahmeti i ka injoruar. Gjatë mandatit të tij të parë nuk kishte asnjë skandal, në të cilin ai mund të ketë qenë i përzier, dhe sapo është zgjedhur për mandatin e dytë. Ndonëse disa kritikojnë se Ahmeti nuk e ka arritur këtë dhe ka lënë anash ndonjë punë tjetër, në integritetin e tij nuk dyshohet. Dhe kjo bën vaki në një rajon ku korrupsioni dhe nepotizmi janë raste të rëndomta.

Nganjëherë edhe atij s’i mbetet gjë tjetër përveçse fatalizmi. Prej se i ka larguar veturat e parkuara në trotuare dhe ka betonuar në qendër kunja prej metali, ana e djathtë e rrugës është e mbushur me vetura. «Njerëzit në Kosovë kanë një raport të veçantë ndaj veturës së tyre», thotë ai shkurt. «U pëlqen ta shikojnë ndërsa pinë kafe». Ai vetë çlodhet pranë Liqenit të Gjenevës, ku i pëlqen të pi kafe, të vështrojë ujin dhe të shijojë monotoninë, gjë që në Prishtinë s’mund ta bëjë.

Askund zviceranët nuk çmohen më shumë se këtu. Një ndërmarrje tregtare quhet «Migros Commerce», bujtina luksoze «Swiss Diamond Hotel», një studio e dyshimtë «Swiss Massage»; një kamion për furnizime bart mbishkrimin «Restaurant Luzern», më tutje gjendet një kamion me «Umzüge St. Gallen, Gossau». Burra me fytyra të rrahura nga fryma dhe me duar me kallo gëzohen kur me një gjermanishte të mangët flasin për vitet kur kanë punuar si sezonierë në Zürich, Basel apo Luzern. Kam fituar mirë, dhoma ka qenë e pastër, shefi i drejtë, thotë rojtari, i cili fshinë sheshin para Xhamisë së Mbretit. Por në Zvicër nuk dëshiron të kthehet. «Shumë të huaj, nuk është më si ka qenë dikur», mendon ai.

Thuhet se Europa përfundon aty ku nuk ka më kafeteri. Në Prishtinë ato u vardisen mysafirëve si djemtë një bukurosheje; me lule kat mbi kat para dritares si në «Crème de la Crème», me kolltukë e divane si te «Kafja e Vogël», me libra e pllaka të muzikës si «Soma Book Station»; dhe të gjitha kanë Wi-Fi. Vala e kafeterive ka filluar me «Dit’ e Nat’», ku është varur një poster filmi për «Nymphomaniac» dhe një poster i Bob Dylan me citatin se ai është kundër natyrës, sepse ajo është aq e panatyrshme. Maces së shtëpisë, e cila sillet vërdallë në kafe-librari, kjo nuk i bën përshtypje. Portreti i saj, jo i nobelistit, stolis salvetat.

Gati një gjysmë shekulli më i moshuar se mysafirët dhe personeli, mua më përshëndesnin gjithkund me një gëzim të çiltër kur kthehesha sërish në lokale. «Aman, rrini për koncertin e xhazit», me luti pronari i një lokali me fytyrë të merakosur.

Të rinjtë kanë krijuar atë që u duhet; një vend për t’u takuar, për të krijuar kontakte dhe për të punuar në kompjuter në një dhomë dite jashtë shtëpisë, e cila është njëkohësisht galeri arti, bibliotekë dhe restorant. Mund të rrish sa të duash dhe nuk duhet të dalësh jashtë për të blerë cigare; shitësit me kartonë të mëdhenj plot me pako fluturojnë pandërprerë mes tavolinave. Kush nuk e duron dot tymin, mund të rri jashtë.

Gati një gjysmë shekulli më i moshuar se mysafirët dhe personeli, mua më përshëndesnin gjithkund me një gëzim të çiltër kur kthehesha sërish në lokale. «Aman, rrini për koncertin e xhazit», me luti pronari i një lokali me fytyrë të merakosur dhe nuk mund të pajtohej me faktin se unë pas dymbëdhjetë orësh në këmbë isha sfilitur për vdekje.

Sa më i vogël, më i ri dhe më i varfër një komb, aq më shumë ka nevojë për heronj. Çfarë e bën Prishtinën të veçantë është koloriti politik. Skënderbeu, heroi kombëtar shqiptar nga shekulli i ‘15, qëndron mbi kalë me shpatë në dorë përballë përmendores së Ibrahim Rugovës, letrarit me shall e syze. Heroi i ashpër i luftës, i cili luftoi kundër pushtuesve osmanë, përballë «Gandit të Kosovës» të humbur në mendime, i cili i priu vendit për të hequr qafe sundimin serb dhe u bë presidenti i tij i parë. Në anën tjetër të bulevardit Nëna Terezë, i emëruar sipas shenjtores me origjinë shqiptare, gjendet luftëtari i UÇK-së Zahir Pajaziti, i gatshëm për të shtënë me pushkë e pistoletë, dhe vetëm 15 minuta ecje në këmbë heroi i katërt kombëtar i Kosovës, me dorën e majtë të ngritur për përshëndetje, në fytyrë atë buzëqeshjen mirëpritëse: Bill Clintoni, i cili me bombardimin e Beogradit shmangu gjenocidin që po kërcënohej. Në hotelin modest «Ora» në të cilin qëndrova, Ibrahim Rugova ishte takuar me të; në një fotografi shihet presidenti i SHBA-së duke qeshur me menaxherin, dhe në sallën e mëngjesit – solemnisht si në zyrat amerikane – qëndron flamuri amerikan dhe përkrah tij flamujt e Europës dhe Kosovës.

Sado i vogël qyteti, atraksionet e tij janë të çartura. Pallati gjigant i Rinisë, i ndërtuar në vitet ‘70, kur e ardhmja e socializmit ende dukej e ndritshme, duket si një kryqëzim mes balenës dhe skeletit të një anijeje kozmike. Direkë që duken në qiell mbajnë bashkë një kompleks ndërtese në shkatërrim e sipër, e cila krahas në salle universale është strehë edhe e një qendre tregtare dhe e «American School of Kosovo». Fillimisht planifikohej që emblema e Prishtinës të privatizohet, tani presin para për renovim.

Kjo sallë e quajtur «Termokiss» pritet të administrohet vetë, të mos jetë e orientuar nga profiti dhe e lirë nga detyrimet programatike. Një nismë për mbledhjen e donacioneve solli 20 mijë euro.

Para kolosit të modernizmit komunist gjendet emblema e dytë, përmendorja e pavarësisë. Shtatë shkronja prej çeliku të larta nga tri metra, të cilat përbëjnë fjalën «Newborn», të shkarravitura me emrat e mijëra njerëzve, mes tyre presidenti dhe kryeministri. Në kartolinën që bleva të gjitha shkronjat qëndronin drejt, por kur shkova ta shohë, shkronjat «N» dhe «W» gjendeshin të shtrira në tokë. «No Wall», kështu iu përgjigj pyetjes sime një librashitëse e veshur në të zeza kur e pyeta për arsyen. «Çdo vit në ditën e pavarësisë bëjmë diçka të re me shkronjat – <No Wall> është protestë kundër murit, të cilin serbët e kanë ndërtuar në Mitrovicë, në qytetin e ndarë në veri».

Rozafë Maliq, 23-vjeçare, nuk dëshiron të presë derisa t’i kthehet shkëlqimi Pallatit të Rinisë. Ajo bën gjeste me duar dhe dridh këmbët për të demonstruar se sa është nevrikosur si tinejxherë kur ka qenë e shtyrë të kalojë kohën në kafeteri dhe askund s’ka pasur një vend ku mund të argëtohej. Gjendemi në një sallë të madhe dhe të ftohtë jo larg vendit kur puqen bulevardet George W. Bush dhe Bill Clinton. Ndërtesa është pjesë e një ngrohtoreje, por është e papërfunduar. Rozafa ka shkuar me dy shoqe te administrata e qytetit dhe ka marrë lejen ta shfrytëzojë falas për tri vite me kushtin që të jetë e hapur për të gjithë.

Rozafa është e diplomuar në ekonomi, por ajo dhe shokët e shoqet e saj duan kulturë pa komercializëm. Kjo sallë e quajtur «Termokiss» pritet të administrohet vetë, të mos jetë e orientuar nga profiti dhe e lirë nga detyrimet programatike. Një nismë për mbledhjen e donacioneve solli 20 mijë euro, me të cilat u financuan dyshemeja e betonit, ngrohja, tualetet dhe ndërtimi i një niveli ndërmjet.

Dhjetëra njerëz kryen punë vullnetare. Shpëtim Grajçevci është përgjegjës për teknikën; një djalë me mjekër dhe sy të pikëlluar, i cili ka braktisur studimet e shkencave politike dhe dëshiron të bëhet aktor. Enis Ismajli, 15-vjeçar, erdhi këtu të argëtohet dhe mbeti; një djalë serioz, i cili ndjek mësimet në gjimnaz, punon në një televizion dhe vret mendjen për jetën, në të cilën paraja nuk është gjëja më e rëndësishme dhe humbja e kohës në kafeteri nuk është aktiviteti i vetëm. Çdo të mërkure mbahet një takim, ku flitet për të ardhmen. Këtu gjendet një qoshk me libra, një klub filmi dhe një klub debatesh; punëtori për fëmijë dhe koncerte me muzikë Heavy Metal dhe Punk me bende nga Greqia dhe Maqedonia. Është planifikuar një bibliotekë, është paraparë që trualli i madh të shfrytëzohet për mbjelljen e perimeve. Këtu është edhe një profesor i psikologjisë i «American University», i cili dëshiron të hulumtojë mbi dinamikën grupore të kësaj shoqëria jofitimprurëse.

Do të ishte e ngutshme që në këtë projekt ta shohësh vetëm nevojën e një rinie për të kompensuar një mungesë – një rinie që dëshiron t’i bashkëngjitet skenave përkatëse në Perëndim. Beteja për hapësirë të lirë zhvillohet në një vend, i cili është më i ri se ata vetë. Shumë gjëra janë të mundshme, pak janë provuar; ndonëse disa që kanë pritur më shumë janë të zhgënjyer. Si Shkumbin Brestovci, i cili si 16-vjeçar emigroi me nënën e tij në Gjermani, studioi në Vjenë dhe pas luftës u kthye në qytetin e tij të lindjes, në Prishtinë. Me nostalgji ai flet për atmosferën e atëhershme optimiste, nga e cila ai sot nuk vërën asgjë. Ai kishte themeluar një shtëpi botuese të stripave, kishte ngritur një firmë të IT-së, kishte 30 punëtorë dhe së fundi i ka dorëzuar të gjitha.

Një ndërtesë me 99 kupola, për të cilat disa thonë se bazohen në kokëmbulesën tradicionale shqiptare, «plisin», të tjerët në xhamitë e shumta të Prishtinës me kupolat e tyre impozante. Kjo ndërtesë bart emrin e shkrimtarit Pjetër Bogdani, i cili ishte katolik.

Çfarë i duhet vendit është një reformë e sistemit arsimor, thotë Shkumbini. Jo rastësisht, sipas tij, librat e historisë nëpër librari gjenden afër literaturës Science-Fiction dhe të fantazisë – fantazi nacionaliste, e cila nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën historike. Askush nuk ka interes ta ndryshojë këtë, as qeveria, as Bashkimi Europian, të cilët do të mund të siguronin libra të reja shkollore. Bashkë me shokët e tij Shkumbini deshi të krijojë një qeveri në hije, t’i bëjë bashkë ekspertët, të cilët do të mund t’i jepnin këshilla ministrave që nuk kanë haber. «Me qejf do të bëhesha ministër i arsimit në qeverinë në hije», thotë ai duke qeshur, «por nga ky plan nuk u realizua asgjë, sepse secili ka problemet e veta dhe nuk ka kohë».

Si bukuria ashtu edhe shëmtia e Prishtinës varen nga syri i vështruesit. Mund të diskutohet nëse Biblioteka Kombëtare e hapur më 1982 me të vërtetë është ndërtesa e tretë më e shëmtuar në botë, siç ka pretenduar gazeta britanike Daily Telegraph. Një ndërtesë me 99 kupola, për të cilat disa thonë se bazohen në kokëmbulesën tradicionale shqiptare, «plisin», të tjerët në xhamitë e shumta të Prishtinës me kupolat e tyre impozante. Kjo ndërtesë bart emrin e shkrimtarit Pjetër Bogdani, i cili ishte katolik. E paketuar në kangjella prej çeliku si biblioteka e Rem Kohlhaasit 20 vjet më parë në Seattle, ajo e arkitektit kroat Andrija Mutnjakoviq  po ashtu ofron mbrojtje të sigurt nga zhurma e botës, gjë që, siç dihet, është edhe qëllimi i një biblioteke.

Kur e vizitova ra muzgu. Qielli mori ngjyrë të kuqe, qindra sorra po qëndronin në kangjella, fluturonin drejt reve të zeza dhe bënin aq zhurmë thua se po bërtiste vetë ndërtesa. Kur hyra brenda, humba në një labirint korridoresh të errëta, të cilat çonin në salla leximi me qindra pulte për të shkruar dhe karrige të veshura me lëkurë, shumë prej tyre në mungesë të dritës artificiale funksionale ndodheshin në terr. Studentët qëndronin mbi libra si fantazma në nëntokë; në bodrum me tualetet prej mermeri dhe me urinalë të mëdhenj sa gjatësia e një burri dyshemeja ishte e mbuluar nga uji thua se Tarkowski këtu sapo e ka xhiruar një skenë të filmit «Stalker».

Në katin përdhes gjendet «American Corner», një bibliotekë në bibliotekë me letërsi amerikane, libra për fëmijë dhe relikte si topa të ragbit, helmete futbollit amerikan dhe dorëza bejzbolli. Të gjithë duan të shkojnë në tokën e premtuar, të rinjtë dhe të rejat, të cilët kanë ardhur këtu për të mësuar dhe për të ëndërruar ëndrrën amerikane, e cila këtu ende jeton – mbase më shumë se në vendin e Trumpit.

Kush ka para mund të emigrojë në Amerikë, pa e braktisur vendin. Njëzet minuta larg Prishtinës, pranë një rrëmuje ndërtesash të reja si «American Clinic», «Swiss Village» dhe «Pierre Cardin Home» gjendet Marigona Residence, një lagje me vila betoni si të ishin nxjerrë nga fabrika, të bardha dhe katërkëndëshe me fasadë të ngjyrosur druri dhe një rrjet rrugësh si në New York. Ato quhen «Kalifornia», «Florida» apo «Hawai» dhe kalojnë nga gardhe të krasitura dhe gjelbërim të kultivuar me kolovajza Hollywoodi. Deri në gjysmë milioni euro kushton një shtëpi në këtë «Gated Community» plot me kamera dhe me një kabinë rojtari, i cili e ngre dhe e ulë barrierën me indiferencën e një roboti.

Në mes të lagjes gjendet «International School of Prishtina», jo larg nga këtu një «Fashion District»; një zonë këmbësorësh me restorante, butikë dhe dyqane mobiliesh. U ula në «Grand Café 533», piva një espresso dhe po e shikoja portretin në mur; një burrë me kapelë të bardhë, vetulla me shumë lesh dhe puro të trashë, i cili zgërdhihej: Al Capone, shenjtori i milionerëve të krimit të organizuar.

Se sa kontribuojnë kosovarët e diasporës, të cilët kalojnë pushimet në Prishtinë, në përkrahjen e familjarëve të tyre është e paqartë; fakti se ata i quajnë «shaca» («Schatzis») flet mbase shumë.

Se kush nga cilat para jeton në Prishtinë mbetet aq enigmatike sa statistika e qytetit. Edhe numri i banorëve prej 200 mijë nuk është i besueshëm; kryetari i qytetit njëherë ka thënë se mund te jenë 600 mijë, sepse në Prishtinë mund të banojnë të panumëruarit, të cilët janë të regjistruar në komunat ku kanë lindur. Hotelistët, pronarët e dyqaneve dhe përfaqësuesit e firmave, me të cilët bisedova, pothuaj nuk gjejnë punëtorë përkundër shifrave astronomike të papunësisë. Mjeshtrit që thonë se do të vijnë nesër nuk shfaqen me muaj të tërë, kështu së paku ankohen njerëzit, madje edhe për punë që s’kërkohet ndonjë kualifikim si kositja e barit mungojnë punëtorë të vullnetshëm. Se sa kontribuojnë kosovarët e diasporës, të cilët kalojnë pushimet në Prishtinë, në përkrahjen e familjarëve të tyre është e paqartë; fakti se ata i quajnë «shaca» («Schatzis») flet mbase shumë.

Pasi kthehem në qendër, pyes veten nëse në Zürich askujt nuk do t’i pengonte nëse në vend të kishës Grossmünster të qëndronte një xhami. 96 për qind e banorëve të Prishtinës janë myslimanë dhe 0,6 për qind katolikë, por objekti më i madh sakral i metropolit është katedralja katolike Nëna Terezë, e përfunduar në vitin 2015 – një pararojë e Vatikanit në territor islam. Ndërtimi është bashkëfinancuar nga qyteti i Prishtinës.

«Feja te ne nuk ka luajtur kurrë rol politik», thotë Xhabir Hamiti, një teolog mysliman, i cili u ligjëron imamëve në Fakultetin e Studimeve Islame të Universitetit të Prishtinës. Ndërtimi i Katedrales serbe të Krishtit Shpëtimtar në truallin e universitetit, sipas tij, nuk mund të përfundojë për shkak të simbolikës; tri ditë para bombardimeve serbët vendosën mbi kupolë kryqin e florinjtë. Hamiti ka qenë dëshmitar; urdhrin e kishte dhënë Arkani, prijësi i Gardës famëkeqe paramilitare të vullnetarëve serbë.

Teologu Xhabir Hamiti thotë se në çështjen e islamit Europa duhet të orientohet nga shqiptarët, jo nga turqit dhe arabët. «Ne nuk shikojmë nga Meka, por nga Brukseli».

Hamiti, një burrë zemërhapur me karakter gazmor, thotë se është fatale që shqiptarët e Kosovës e kanë rrugën e hapur vetëm nga Lindja; gjithë ata të rinj mund të udhëtojnë pa vizë vetëm në Turqi apo Mal të Zi. Ai thotë se në çështjen e islamit Europa duhet të orientohet nga shqiptarët, jo nga turqit dhe arabët. «Ne nuk shikojmë nga Meka, por nga Brukseli». Të premten xhamitë janë plot, por pothuaj nuk shihen gra me shami, alkooli nuk përbuzet dhe feja nuk është aq e rëndësishme. Në paradën e parë të homoseksualëve në Prishtinë vjeshtën e kaluar nuk pati incidente; askush nuk u atakua siç ndodh në Beograd. Sot njerëzit më së shumti kanë frikë nga dhuna, thotë Hamiti, nuk duan më dhunë, mjaft kanë përjetuar.

Ndonëse lindja e një djali festohet si «pushkë e re në familje» dhe shitësit në rrugë ofrojnë pushkë automatike prej plastike për fëmijë dhe shkrepëse me relief të granatës së dorës për të rriturit: më shumë pëlqehen veturat e vogla me motor elektrik dhe të marra me qira dhe me telekomandë, me të cilët nënat i dirigjojnë fëmijët e tyre nëpër trafikun e këmbësorëve, ndërsa ato shikojnë telefonat mobilë. Ushtarët britanikë, gjermanë dhe italianë të KOFR-it, të cilët shëtisin në bulevardin Nëna Terezë, janë të zënë me fotografimin e njëri-tjetrit para atraksioneve të qytetit – misioni paqësor në Prishtinë konsiderohet «punë me pesë yje».

Pak nervoz isha kur Jeton Neziraj më ftoi në Teatrin Kombëtar. Shfaqej «Bordell Balkan», një dramë e tij, për të cilën kishte marrë kërcënime me vdekje. Provat ishin penguar nga veteranët e ushtrisë kryengritëse UÇK të veshur me uniforma luftarake, të cilët paralajmëruan se do të ndërpresin shfaqjen. Premiera u dha nën mbrojtjen e policisë.

«Shpesh më pyesin përse nuk shkoj në Berlin, Zürich apo New York», thotë Jeton Neziraj. «Dua të qëndroj në Prishtinë, sepse këtu si shkrimtar ke ndikim, ka konflikte, gjëra që të prekin në shpirt».

«Dramat e mia merren seriozisht», thotë Neziraj me sarkazëm, i cili u detyrua të braktisë postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar kur deshi të shkojë me një shfaqje në Beograd. Nacionalistët kosovarë dhe serbë nuk e duronin këtë. Neziraj, një burrë i fuqishëm, energjik, ka marrë pjesë në luftën e Kosovës, me shumë frikë se në male mund të ndeshet me mësuesin e tij, një serb, dhe të dy do të ishin të detyruar të shtinë kundër njëri-tjetrit. Ai u arratis në Gjermani, punoi si shtrues pllakash, i ra violinës në një teatër amator dhe u rrëmbye nga entuziazmi për teatrin. Mbi 20 dramat e tij janë luajtur në Europë, SHBA dhe në Turqi. «Shpesh më pyesin përse nuk shkoj në Berlin, Zürich apo New York», thotë ai. «Dua të qëndroj në Prishtinë, sepse këtu si shkrimtar ke ndikim, ka konflikte, gjëra që të prekin në shpirt».

Foajeu i Teatrit Popullor, një sallë e rëndomtë pritjeje, mbushet me njerëz. Nuk cakërrohen gota shampanje, nuk fëshfërisin rrobat solemne të mbrëmjes, nuk ofrohet shije kulture që ndahet si një darkë solemne. Por salla mbushet gati deri në vendin e fundit, publiku është i vëmendshëm; pothuaj askush nuk është mbi moshën 30-vjeçare.

Si të gjitha dramat e Nezirajt «Bordell Balkan» është një gjë e rrëmujshme. Duke u bazuar në Orestinë greke ajo bën fjalë për luftën e Kosovës; për padronët e luftës dhe pronaret e shtëpive publike, etjen për pushtet dhe çmendurinë fetare, dëshirën për vrasje dhe dhunim. Klitemnestra qëndron lakuriq në skenë, me shpatën në dorë, komandanti i luftës vetëzbulohet si kriptohomoseksual, i cili dihat nga dëshira për çiftëzim. Mënyrën e skandalizimit, me të cilën skenat perëndimore shpresojnë të ndërpresin ikjen e publikut, këtu e pasqyron një botë e deformuar dhe mirë e njohur për shikuesit. Krahasuar me ballafaqimin me të kaluarën në shtete të tjera aktet e dhunshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përzierja e saj në tregti me drogë, gra dhe organe njerëzore, janë bërë herët temë brenda kombit që sapo i ka mbushur dhjetë vjet.

Uta Ibrahimi ishte vetëm kur u ngjit në Mount Everest, sepse grupi i burrave, të cilit dëshironte t’i bashkëngjitej, nuk pranoi të marrë me vete një grua.

Pak i trullosur nga mbidoza e tragjikes njerëzore tani gëzohem që po takoj gruan që ka arritur gjënë më të lartë që mund të arrish në këtë jetë. Dyqani i saj «Butterfly Outdoors» ishte afër hotelit tim, por duke shkuar aty humba në rrugica dhe mini-rrugica – derisa u bënë bashkë një taksist, dy dyqanxhinj dhe tre kalimtarë, që me ndihmën e telefonit mobil, kompjuterit dhe duke pyetur banorët e tjerë të lagjes të më çojnë në cak pas gati një ore.

Uta Ibrahimi qeshi kur i tregova për atë që më bëri vaki. Ajo ishte vetëm kur u ngjit në Mount Everest, sepse grupi i burrave, të cilit dëshironte t’i bashkëngjitej, nuk pranoi të marrë me vete një grua. Pastaj ajo u ngjit në majë para tyre. Bjonde, me frizurë «pony» dhe me sy të kaltër shkëlqimtarë, prishtinasja është idhull i të rejave të Kosovës. Si nxënëse më e mira në klasë, Uta Ibrahimi arriti të drejtojë një agjenci marketingu dhe – përkundër dëshpërimit të prindërve -, ia ktheu shpinën vendit të punës të paguar mirë për t’iu përgjigjur thirrjes së kodrave. Aktive në skenën e LGBT-së, ajo s’deshi as të martohej, as të ketë fëmijë, gjë që nënën e pikëlloi dhe babai e pranoi këtë duke heshtur. «Në fund më la të shkoj», thotë ajo, «por, unë do të kisha shkuar edhe nëse do të ma kishte ndaluar».

Pastaj, kur në aeroport e pritën njëqind njerëz, pasi ishte kthyer nga kulmi i botës, babai dhe nëna qenë po ashtu aty, buzëqeshën dhe qanë dhe qenë të lumtur për vajzën e tyre, e cila tani, kudo që fotografohet, përreth ka edhe politikanë, të cilët duan të dalin në fotografi.

Jashtëtokësorja me sy të shtrembër si bajame, gjashtë mijë vjet e vjetër, stolis flamurin e qytetit të Prishtinës.

Rruga për në hotel – pesë minuta në këmbë – më çoi nga Muzeu Kombëtar, ku shpresoja se do të shihja «Mbretëreshën në fron»; një gjetje nga epoka e neolitit. Jashtëtokësorja me sy të shtrembër si bajame, gjashtë mijë vjet e vjetër, stolis flamurin e qytetit të Prishtinës. Salla ku është e ekspozuar figura ishte e mbyllur ashtu si Muzeu Etnografik dhe Muzeu i Pavarësisë, dhe s’gjendej vend ku mund të kuptoje arsyen.

Kur e pashë në zyrën e Shpend Ahmetit kopjen e madhe të kësaj figure jashtëtokësore, e pyeta atë se a nuk mund të bëhet diçka më shumë për turizmin. Kryetari i qytetit u pajtua më shumë nga mirësjellja dhe pastaj tha: «Nuk vihet në Prishtinë për shkak të muzeve. Vihet për shkak të njerëzve».

Nga gjermanishtja:
Enver ROBELLI

Ky tekst u botua në shtojcën «Folio» të gazetës zvicerane «Neue Zürcher Zeitung». Të drejtat e botimit në gjuhën shqipe i ka dialogplus.ch. Titulli i redaksisë. Ndalohet publikimi nga media të tjera.

Tekstin në origjinal e gjeni në këtë vegëz:
http://folio.nzz.ch/2018/februar/schweizer-willkommen