Mbretëresha e shqiptarëve

«Zoti ju çoi për të na shpëtuar»: Gazetari britanik Marcus Tanner ka shkruar një biografi brilante dhe të dhimbshme të Edith Durhamit, e cila në momentet më të errëta mbrojti çështjen shqiptare. Rruga e guximtares britanike, të cilën shqiptarët e quanin «kralicë», të lë pa frymë edhe sot - mbi 100 vjet pas arritjes së saj në Ballkan, ku u gjend në mesin e ngatërresave mes popujve dhe ku politika, siç kishte shkruar, është sëmundje nervore.

Edith Durham.



Në fund të viteve ’80 gazetari britanik Marcus Tanner kishte ardhur në Mitrovicë për të përcjellë gjykimin e montuar politik kundër Azem Vllasit, udhëheqës i atëhershëm i krahinës së Kosovës dhe kundërshtar i regjimit të Slobodan Millosheviqit, liderit nacional-komunist serb. Në qytetin verior të Mitrovicës Tanner do të zbulonte një bashkëkombëse: një koleg gazetar i kishte thënë të lexonte një libër të shkruar nga britanikja Edith Durham. Në librin «Shqipëria e Epërme» (High Albania) Durham gati një shekull para se Vllasi të dilte para gjyqit në qytetin verior të Kosovës kishte shkruar: «Mitrovica, edhe pse dukej e qetë, është ashkël në pritje të shkëndijës».

E lindur në një familje përparimtare, anëtarët e së cilës interesoheshin kryesisht për shkencën, Durham u trondit kur babai i saj vdiq në moshën 61-vjeçare nga pneumonia, ndërsa nëna u sëmur. Me vite të tëra Durham, e shkolluar për pikturë në Akademinë Mbretërore britanike, i qëndroi asaj pranë, duke u kujdesuar për të – deri kur vetë Durham pësoi një lloj sulmi nervor. Më 1906 nëna e saj vdiq dhe Durham e gjeti veten në Ballkan. Më parë ajo kishte qëndruar shkurt në Dalmaci, por kureshtja e tërhiqte për më tutje, në thellësitë e Ballkanit, atje ku s’kishte shkelur këmbë burri apo gruaje nga Britania. Siç kishte shkruar atëbotë Sutherland Menzis, një shkrimtar britanik i epokës së Mbretëreshës Victoria, qeveritë e Europës me gjasë dinë më pak për shqiptarët sesa për zezakët e Afrikës ekuatoriale. Viset shqiptare ishin të izoluara nga bota. Perandoria Osmane nuk kishte ndërtuar asnjë rrugë të rëndësishme në ato treva, andaj pothuaj asnjë i huaj nuk shkonte atje. Rruga për në Konstantinopojë (Stamboll) kalonte nëpër Serbi, Bullgari, Maqedoni.

Një pengesë tjetër ishte se shqiptarët vuanin nga reputacioni i banditëve dhe gati asnjë europian perëndimor nuk ishte i gatshëm t’ia fusë vetes theren në këmbë dhe të hidhet në aventura në grykat ballkanike. Të lënë pas dore ishin edhe shqiptarët katolikë të veriut, siç njofton Marcus Tanner duke cituar vizitorin apostolik Pietro Stefano Gaspari. Italia e shikonte Shqipërinë si Breg i Barbarisë, Vatikani nuk i shihte shqiptarët më si europianë, pasi shumica e tyre kishin përqafuar (ose ishin shtyrë të përqafonin) fenë islame. Përshkrimet ekzotike të Lordit Byronit, entuziazmi i tij homoerotik për Ali Pashën, lavdërimet për «racën shqiptare» si më të bukurën në botë, nuk kishin ndryshuar imazhin e shqiptarëve. Ata shiheshin vetëm si shërbëtorë të osmanëve.

Politikani liberal dhe kryeministri shumëvjeçar britanik William Gladstone kishte shkruar se turqit ishin «në përgjithësi nga dita kur së pari hynë në Europë, mostra e madhe kundërnjerëzore e njerëzimit. Kudo që shkuan, një vijë e trashë e gjakut e shënjoi shtegun pas tyre; dhe për aq sa shtrihet dominimi i tyre, civilizimi u zhduk për t’u mos parë më». Ky ishte toni që dominonte në mediat, në botimet dhe në debatet që zhvilloheshin në Londër mbi praninë e turqve në Ballkan. Zemërimi i britanikëve bëhej gjithnjë e më i madh pas lajmeve për masakrat osmane kundër popullsisë së krishterë bullgare (këtu përfshiheshin edhe banorët e Maqedonisë, sepse atëbotë maqedonas nuk kishte). Publicistët britanikë tërhiqnin një vijë të qartë mes të krishterëve që duhej mbrojtur dhe «muhamedanëve» që duhej injoruar.

Dy autore britanike shkruan atëherë se shqiptari «ishte një europian që nuk e ka humbur vetëm lirinë, por dhe fenë, me një të kaluar prej barbari, me një të tashme prej braktisjes, dhe me një të ardhme ku ose i kthehet fshehurazi fesë paraprake, ose skllavërohet nga një pushtet despotik». Për t’i dhënë fund kaosit aktivistet e zjarrta të krishtera Adeline Irby dh Georgiana Macenzie propozonin që kufiri i principatës serbe të shtyhej në drejtim të «Serbisë së Vjetër», siç e quanin ato Kosovën në përputhje me propagandën hegjemoniste serbe. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë do të merrte fund kusaria në Kosovë, ishin të bindura ato. Në sytë e dy damave britanike shqiptarët ishin sall kusarë. Edhe më larg shkonte nënkoloneli James Baker, për të cilin shqiptarët ishin «njerëz jashtëzakonisht të ndyrë, që i ndërronin teshat shumë rrallë derisa nuk u bëheshin copë dhe që e shmangnin përdorimin e ujit thuajse bëhej fjalë për helm».

Pasi vizitoi Trebinjen, një qytet në Bosnjë nën administrimin austro-hungarez, Durham zbriti në Cetinje, kryeqyteti i Malit të Zi, një qendër e njohur e intrigave ballkanike të politikës. Më vonë Durham do të shkruante se si në kryeqytetet e tjera të Ballkanit edhe në Cetinje politika ishte një lloj «sëmundjeje nervore». Aty Durham takoi burra malazezë që mbështillnin cigaren para se të sosnin të mëparshmen dhe që të gjithë i propozuan të martoheshin me të «pothuajse menjëherë». Nëse një grua e huaj kalon me vite të tëra mes burrave ballkanikë, atëherë për çdo lexues shtrohet pyetja edhe mbi preferencat e saj seksuale. Tanner nuk ka arritur të gjejë ndonjë detaj mbi prirjet homoseksuale të Durhamit. I vetmi episod mbi jetën e saj intime është një letër plot dhimbje që ia shkruan një britaniku, me të cilin kishte shtegtuar nëpër Ballkan dhe në të cilin Durham ishte dashuruar për vdekje, por, fatkeqësisht, ai s’iu përgjigj zjarrit të dashurisë të bashkëkombëses së tij.

Durham fillimisht do të interesohej kryesisht për fatin e sllavëve të krishterë në Ballkan – serbëve, malazezëve dhe bullgarëve. Por, ajo ishte një grua trimëreshë dhe në vitin 1901 shkoi në Shkodër, ku çiraku i hotelit dinte t’i thoshte vetëm kaq: «This is Scutari Albanese», pastaj bëri hapin tjetër: vizitoi Kosovën, të cilën serbët ia përshkruanin si vend të rrezikshëm dhe të prapambetur. Duke u kthyer në Mal të Zi ajo kishte fjetur në një fshat, ku e kishte ndarë shtratin me disa nga insektet më të tmerrshme. Për vizitën e saj në Kosovë kishte marrë vesh edhe princi Nikolla i Malit të Zi, i cili kishte një talent të jashtëzakonshëm për t’i martuar të bijat e tij në shtëpitë mbretërore të Europës, andaj u quajt «vjehrri i Europës» dhe kështu arriti të krijojë imazhin e Malit të Zi si principatë proeuropiane dhe antiosmane.

Caku i ardhshëm i Edith Durhamit ishte Maqedonia, ku u angazhua në shpërndarjen e ndihmave për popullsinë e krishterë. Tanner përshkruan në detaje trishtimin që përjetoi në Maqedoni Edith Durham, ku u ballafaqua me një popullsi besëtytë, e cila s’pranonte të lahej dhe befasohej që gruaja e ardhur nga Britania flinte me këmishë të natës. «Ideja se mund të shtriheshe në shtrat gjysmë e zhveshur, me një rrobë të hollë, i tmerronte», shkruante ajo. Të fundosur në botën e tyre të besëtytnive njerëzit në rrethinën e Resnjës dhe Ohrit s’pranonin as të vaksinoheshin kundër lisë së ujit. Një problem tjetër ishte pirja pa hesap e alkoolit nga popullsia vendore.

Gjatë punës së saj humanitare Durham shpesh humbte durimin dhe në shënimet e saj përdorte fjalë tepër të rënda, fyese, për rrethanat e sotme madje raciste ndaj popullsisë vendore. Këtë ajo e bënte nga dëshpërimi, pasi angazhimi i saj nuk po jepte rezultate. Tanner i prezanton këto pjesë të biografisë së Durhamit pa u përpjekur ta idealizojë atë. Nga Ohri Durham vazhdoi rrugën në thellësi të Shqipërisë jugore, ku shkoi me një ekspeditë për të shpërndarë literaturë fetare në emër të British and Foreign Bible Society, ndonëse vetë nuk interesohej aq për fenë. Por, puna si misionare fetare asaj i krijonte mundësinë të njihej me viset shqiptare edhe në jug.

Librat fetarë në gjuhën shqipe ishin halë në sytë e osmanëve. Më 1885 Sulltani shprehimisht kishte ndaluar botimin e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe. Madje klerikët myslimanë ishin urdhëruar të lëshonin një fetfa me të cilën dënonin botimin e librave në gjuhën shqipe. Duke ecur nëpër rrugët me baltë të Shqipërisë së jugut, ajo zbuloi një shoqëri të harruar nga bota. Gratë prisnin në rend për t’ia puthur dorën dhe Durham dëgjoi një fjali që me gjasë e bëri mbështetëse të përhershme të çështjes shqiptare: «Zoti ju çoi për të na shpëtuar».

Durham nuk kishte aq fuqi, por ajo ishte në anën e të shtypurve dhe kështu raportet e saj fillimisht miqësore me krerët e Malit të Zi u acaruan kur Cetinja nisi të pushtojë toka shqiptare dhe të ketë ambicie për të pushtuar Shkodrën. Durham nuk e humbi durimin me shqiptarët. Në Tepelenë ajo refuzoi ftesën e një begu vendas, i cili i ofroi shtrat në haremin e tij, por britanikja preferoi të flejë në një hangar të mbushur deri në tavan me qepë.

Durham do të bëhej një mbrojtëse e flaktë e të drejtave të shqiptarëve në një situatë pothuaj të pashpresë. Ajo do të fliste me diplomatë, do të shkruante letra e libra, do të angazhohej kudo ku i jepej rasti për të shpëtuar tokat shqiptare, të cilat i gllabëronin fuqitë e reja sllave në Ballkan. Tanner përshkruan një grua të pikëlluar, e cila luftonte kundër opinionistëve britanikë, të cilët hapur shprehin simpatitë e tyre për sllavët e krishterë. Afër Apolonisë Durham takoi një grup fisnikësh shqiptarë, të cilët ia qanë hallet, duke i thënë: «Sllavët e kanë Rusinë që t’u ndihmojë, ne nuk e kemi askënd». Kështu Durham u bë «kralicë» (mbretëreshë) e shqiptarëve. «Sa më shumë kuptoja për shqiptarët dhe për intrigat e sllavëve për shkatërrimin e tyre, aq më shumë besoja se Shqipëria duhej ndihmuar», shkruante ajo.

Sidomos në Malësinë e Madhe, aty ku s’kishte gati asnjë gjurmë civilizimi, Durham ishte tronditur me zakonin e gjakmarrjes, ku edhe vrasja e një fëmijë konsiderohej punë legjitime dhe ku gratë besonin se minjtë që silleshin vërdallë nëpër shtëpi i kishte dërguar shtriga, andaj e lusnin të mos i bindte burrat për të blerë kurthe për mbytjen e këtyre gjitarëve. Në këtë rajon gratë ekzistonin vetëm për t’u shitur si bagëti, për t’i rrahur, kur ishin «të padëgjueshme», dhe për të shërbyer në magje dhe në arë. Në këtë botë të ashpër shqiptare nuk kishte vend për dashuri romantike. Kur u tha fshatarëve se në Angli burri mund të dënohej nëse rrihte gruan, ata u tronditën, përfshirë edhe priftin lokal.

Paaftësia e shqiptarëve për të bashkuar forcat dhe për të luftuar për të drejtat e tyre e tmerronin këtë grua britanike. Ajo nuk shihte asnjë shenjë koordinimi ndërmjet kryengritësve në Kosovë me popullin e Shkodrës: «Kurrë nuk ngrihen tok. (…) Nuk mund të prodhojnë një Garibaldi të vetin për ta organizuar kombin». Po të mos ishte angazhuar Durham me të gjithë fuqinë që kishte për të alarmuar bashkësinë e atëhershme ndërkombëtare se Korça ishte qytet shqiptar, me gjasë sot kufiri i Greqisë do të ishte afër Beratit.

Durham mbeti tërë jetën e lidhur me shqiptarët. Pas kthimit në Angli u sulmua ashpër nga qarqet proserbe, të cilat u entuziazmuan me librin «Qengji i zi dhe skifteri gri» të shkrimtares së re Rebecca West (1892-1983). Edhe ajo e akuzoi Durhamin se shqiptarët po i paraqiste vetëm si fëmijë të pafajshëm, me sytë e ngritur me adhurim. Tanner e quan këtë një sulm të padrejtë, sepse Durham kishte kaluar vite duke ecur në çdo cep të Ballkanit, ndërsa West kishte qenë në Ballkan vetëm tri herë dhe shumicën e kohës e kishte kaluar me një shoqërues të caktuar nga qeveria jugosllave.

Durham ishte e bindur se West kishte shkruar atë që i kishte treguar shoqëruesi i saj: «Romancierja Miss West e ka shkruar një libër shumë të vëllimshëm duke u mbështetur mbi kënaqësinë e një udhëtimi qejfi nëpër Jugosllavi, por pa asnjë njohuri për vendin dhe për popullin». Libri kryesisht proserb i Rebecca West ka ushtruar ndikim të madh në formimin e mendimit për Ballkanin te shumë politikanë dhe diplomatë britanikë në gjysmën e dytë të shekullit të XX, siç ka konstatuar gazetari legjendar zviceran Viktor Meier në vitet ’90. Në një recension mbi librin e Rebecca West gazeta gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkruan se autorja prezanton një botë naive-përrallore të sllavizmit, e cila të kujton pikturat e Kandinskyit dhe përfundon në një pledoaje për një nacionalizëm «të mirë» në Ballkan. «Kritika e saj ndaj perëndizimit të qyteteve të mëdha si Zagrebi është jo vetëm një këngë vajtuese e një turisteje të lodhur nga civilizimi, por program: sipas saj sllavët e jugut duhet të forcojnë kulturën e tyre në vend se të imitojnë Perëndimin. Ndonëse ajo e ka përjetuar vetë se bëhet fjalë për shumë grupe etnike me kultura të ndryshme, paragjykime të vjetra dhe aversione të ndërsjella, prapë e injoron këtë ashtu si edhe potencialin e dhunës, për hulumtimin e të cilit ajo ishte nisur drejt këtij rajoni».

Ky recension i veprës së Rebecca Westit i gazetës gjermane me siguri do t’i kishte pëlqyer Edith Durhamit. Në janar të vitit 1942 radioja britanike BBC kishte kërkuar nga Durhami t’u drejtohej dëgjuesve në gjuhën shqipe, por oferta ishte tërhequr, kur luftëtarja e madhe për të drejtat e shqiptarëve kishte thënë se e kishte ndërmend t’i bënte thirrje Britanisë të ruajë pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Në janar të vitit 1943 ajo shkroi: «Së pari u njoha me çështjen shqiptare (..) dhe u premtova shqiptarëve se do të bëja çmos për t’u ndihmuar të çliroheshin. Ka qenë një rrugë e gjatë. Shumë burra trima, shumë më të rinj se unë, vdiqën rrugës». Durham, e lindur më 1863 në Londër, vdiq po aty më 15 nëntor 1944.

Kundërshtarët e saj iu hakmorën edhe për së vdekuri. Njëri prej tyre ndikoi që emri i saj të mos përfshihej në Fjalorin e biografisë kombëtare (Dictionary of National Biography). Durham nuk u harrua vetëm në Britani. Sipas Tanner edhe diktatori shqiptar Enver Hoxha e reduktoi emrin e Durhamit në një fusnotë, sepse për të burim i vetëm frymëzimi ishte Stalini. Mund të merret me mend sa e gëzuar dhe, sipas Tanner, edhe e habitur do të ishte Edith Durham po të shihte se një kryeministër britanik, Tony Blair, në vitin 1999 do të ishte njëri prej çlirimtarëve të Kosovës dhe sjellës i lirisë së shqiptarëve. Pastaj ajo me siguri do të rishkruante atë frazën nga fillimi i shekullit XX: «Mitrovica, edhe pse dukej e qetë, është ashkël në pritje të shkëndijës». – Biografia e Marcus Tanner me titullin «Mbretëresha e Malësisë. Edith Durham dhe Ballkani» është botuar nga shtëpia botuese «Koha» dhe është përkthyer nga Flaka Surroi. Është ndër botimet më të vlefshme të viteve të fundit në Kosovë. Vargjet e Asdrenit janë ndoshta falënderimi më i fuqishëm që një poet shqiptar i ka bërë kësaj mbretëreshe të shqiptarëve:

«Pra, priti urimet na që po t’i sjellim
Plot mirënjohje e zemër-bardhësi
Me lutje drejt prej shpirtit t’i përcjellim
Ty Durham <alma mater> pa kufi».