Mbretëresha e Kosovës

Rruga e Drenusha Shalës: një vajzë kthehet nga Zvicra në Kosovë dhe themelon një firmë me një qarkullim vjetor prej dy milionë franga.

Drenusha Shala.



Të panumërt janë shqiptarët e suksesshëm të Zvicrës. Ata shkëlqejnë në shumë fusha të ekonomisë dhe jetës publike. Disa prej tyre portretohen nga mediat, por, fatkeqësisht, shpesh jehonë të madhe bëjnë edhe lajmet e këqija. Shqiptarë që qëllim të jetës kanë një veturë të shpejtë, me të cilën rrezikojnë këmbësorët. Shqiptarë që tregtojnë drogë, japin para me fajde, mashtrojnë institucionet sociale me qëllim të përfitimit.

Krejt ndryshe është karriera e Drenusha Shalës. Ajo sot është 27-vjeçare dhe mund ta quajë veten milionere. Shala, shkruan gazeta «Zürcher Oberländer», erdhi në Zvicër në moshën 7-vjeçare, ku i ati i saj kishte fituar azilin. Dy vite familja Shala jetoi në një qendër azilantësh, pastaj u strehua në një fshat afër Zürichut. Shala përshkruhet si rebele, kryengritëse e përhershme, e cila kërkonte shpjegime nga babai i saj për çdo gjë. «Kur babai im nuk mund të më shpjegonte një vendi, unë e kam injoruar dhe qëllimisht kam llogaritur se do të ketë fjalosje», thotë ajo. Drenusha Shala ishte nxënëse e zellshme, e angazhuar. Pasi kreu një shkollë për menaxhment ajo punoi në sektorin e sigurimeve në Zvicër, por jo gjatë. Në moshën 21 vjeçare ajo provokoi sërish: vendosi të kthehet në Kosovë. Ndonëse kushtet për të bërë biznes në Kosovë janë të mjerueshme – shpesh ndalet rryma, infrastruktura është e keqe, shteti është punëdhënësi më i madh, nepotizmi pjesë e agjendës ditore.

Bashkë me dy partnerë biznesi dhe me një kapital prej 60 mijë frangash Shala filloi në vitin 2012 aventurën e biznesit në Kosovë. Tani firma Baruti punëson 300 veta dhe gjeneron një qarkullim vjetor prej dy milionë franga. Baruti kryen hulumtime të tregut për shtëpitë mediale gjermane dhe këshillon klientët e firmave të informatikës. Shala punëson vetëm kosovarë të kthyer nga vendet perëndimore. Ajo thotë se Kosova ka potencial të madh, mbi gjysma e popullsisë është nën 25-vjeç, shumë prej tyre janë rritur në Gjermani, Austri dhe Zvicër dhe flasin shumë mirë gjermanisht.

Shala u paguan punëtorëve të saj një rrogë prej 580 euro në muaj. «Duam të ndërtojmë diçka këtu – t’i ndihmojmë vendit. Por nuk jam Nëna Terezë: ne duam të korrim fitime». Që nga viti 2013 Shala është drejtore e ndërmarrjes. Ajo thotë se deri më tani firma e saj ka shpëtuar nga arbitrariteti i administratës shtetërore. «Njerëzit këtu besojnë se pas nesh gjendet një investitor i madh, me ndikim, i cili na mbron», thotë Shala. «Ne u japim një perspektivë njerëzve të këtushëm. Falë punës disa kanë marrë guximin të krijojnë një familje dhe të besojnë në ardhmëri. Kjo na bën shumë krenar».

Shumë kosovarë e përjetojnë vendin e tyre si burg, shkruan gazeta lokale zvicerane. Të udhëtojnë munden vetëm ata që kanë para dhe njohin dikë në botën e jashtme. (dp)