Mbrëmje muzikore për shije të mirë

Një orkestër nga Prishtina mban një program me këngë qytetare shqiptare në Cyrih. Katër orë Shqipëri në Zvicër. Një mbrëmje për t’u kujtuar.

Kujtim SHABANI



Glattbrug, 19.09.2014

Restorani Glatthof në mbrëmje – lartë Zvicër, poshtë Shqipëri! Një hapsirë e ngushtë, në katin nën dhe, anë e mbanë tavolina, në krye orkestri ‹String Strng›. Florin Fanaj në kitarë, Artan Rexhepi në tastier dhe Festim Fanaj në violinë e solist. Për rreth katër orë, nga 21.30 deri 01.30, ata dehin një publik të vogël me magjinë e këngës qytetare shqiptare.

Florim Fanaj, solist
Festim Fanaj, solist dhe violinist

Publik e orkestër njësh

Rreth 60 vetë – pedagogë, juristë, gazetarë, diplomatë… – nga Shipëria, Kosova, Maqedonia… kishin zënë vend në tavolinat e lokalit. Ata me zë të ulët fillojnë bisedat me njëri-tjetrin dhe me ndrojtje takojnë ndonjërin që nuk e njohin. Organizatorët ndërmjetësojnë ngapak.

Muzikantët miklojnë instrumentat muzikorë. Shumë shpejt bien në akord dhe i drejtohen publikut me gjuhën e tyre. «Luleborë», «Zambaku i Prizrenit», «Kur nata Korçën e mbulon», «Margjelë», «Në tren për Prezeren», ishin vetëm disa nga këngët e repertorit të grupit. Me tre këngë orkestrit i shkon më për dorë se organizatorëve t’i afrojnë mysafirët me njëri-tjetrin. Dy entuziaste janë  ngritur në këmbë, sakaq bëhen pesë…, tetë… Shmë shpejt përflaken të gjithë. Vallëzojnë dhe këndojnë duke u bërë njësh me njëri-tjetrin dhe orkestrën.

«‹Sring String› në shqip i bie tel-tel», shpjegon solisti. Padyshim i kanë prekur në tel mysafirët. Për një çast, nuk ka më pedagogë, udhëheqës projekti…, profesor, shqiptar, zviceran…, po vetëm vallëzues!

Për nder të mysafirëve zviceranë, admirues të kulturës shqiptare, orkestri interpretoi me dashamirësi disa pika muzikore në gjuhë të tjera. Për nder të nikoqirit të vërtetë! Ndërsa dikush mendonte që ata ishin më shumë se shqiptarët kuriozë për muzikën shqipe. Atë e gjen më rrallë në ambientet e Zvicrës se atë amerikane apo iataliane. Sidomos këngën e mirëfilltë shqipe!

Të parat në vallëzim
Të parat në vallëzim
Gjithmonë e më shumë...
Gjithmonë e më shumë…
Salla e përflakur
Salla e përflakur

Muzikantë me zemër dhe me shkollë

Gjithçka kishte filluar gjatë një vizite në Prishtinë. Një shoqëri e ngushtë, në një dalje në mbrëmje nëpër qytet kishte përfunduar në lokalin ku performonte grupi ‹Strig String›. Të mrekulluar nga muzika e tyre, ata kishin vendosur aty për aty: «T’i ftojmë në Zvicër!». Ky ishte rrëfimi i një prej iniciatorëve, Ylfete Fanaj, në një gjermanishte të Lucernit.

Ylfete Fanaj, iniciatore e mbëmjes
Ylfete Fanaj, iniciatore e mbëmjes

Anëtarët e grupit janë të provuar në skenën muzikore kosovare. Muzikantë jo vetëm me zemër, po edhe me shkollë. Shefi i orkestrit është profesor i violinës në Shkollën e Muzikës në Prishtinë dhe anëtar i Filharmonisë së Kosovës.

Mbërmja ishte shpallur në një afat relativisht të shkurtër para mbajtjes së saj. Hyrja ishte fiks 30 franga zvicerane. «Uji mineral kushtonte më shtrenjtë se në shkretëtirë…!», murmurit një vizitor.

Në dalje ziejnë komentet dhe përshëndetjet. Të premten qytetarët mund t’i lejojnë vetes luksin të rrinë më gjatë jashtë. Në restoranin Glatthof në katin përdhe – brenda gjermanisht, jashtë shqip.