Mbrapshtitë e ditëve të para

Kur vjen në pushtet pothuaj me dhunë, mos u befaso me çmimin që duhet të paguash. Këtë leksion po e merr Ramush Haradinaj menjëherë pas hyrjes në zyrën e kryeministrit.



Në politikë duhet të kesh ambicie për të marrë pushtetin. Ata që s’kanë të tilla ambicie, më mirë të mos merren fare me politikë. Shumë njerëz refuzojnë të jenë pjesë e betejave për pushtet, sepse ato shpesh janë të ndyra, të tmerrshme, të shoqëruara me plot intriga. Ramush Haradinaj është një politikan me ambicie të pafrenueshme për pushtet. Ai nuk zgjedh as mjete, as partnerë për të arritur qëllimin. Votat janë të parëndësishme. Sigurohen disi. Së paku gjysma e ministrave të kabinetit Haradinaj janë turistë në Kosovë. «Delegatë» të një firme të dyshuar për dhjetëra afera kudo nëpër botë, sidomos në botën ish-sovjetike.

Pse jo koalicion me njerëz që pjesën më të madhe të karrierës e kanë ndërtuar duke i shërbyer Serbisë. Pse jo koalicion me arkitektët e piramidës së krimit të organizuar. Pse jo koalicion me njerëz që pushtetin e shohin veç si mundësi për të vjedhur. Pse jo koalicion me njerëz që s’kanë asnjë votë askund mbi dhé, askund nga Mitrovica në Kamenicë. Pse jo aleancë edhe me Vetëvendosjen për të kundërshtuar demarkacionin me Malin e Zi. Sa rakia rrodhi në Kuvend të Kosovës për të kundërshtuar këtë demarkacion. Pastaj kur e pa se VV nuk ishte më e dobishme, hajde koalicion me ata që e sollën marrëveshjen për demarkacion gati në Kuvend.

Murat Meha, shefi i komisionit për caktimin e vijës kufitare me Malin e zi, sipas Haradinajt, është «peder». Tash, pas ardhjes në pushtet, Haradinaj e gjeti një «kundërpeder», Shpejtim Bulliqin, i cili kafeneve të Prishtinës po kërkon ekspertë për t’i ndihmuar të dëshmojë para opinionit se «pederi» Murat Meha, «kryepederi» Hashim Thaçi dhe «pederi zaif» Isa Mustafa kanë gabuar me caktimin e vijës kufitare. Mirë, nëse paskan gabuar të gjithë, nëse të gjithë qenkan «pedera» e «tradhtarë», atëherë hajde tani të shohim nëse kufiri i Kosovës është në Çakor dhe te Kulla e Zhlepit.

Këtë tani duhet ta dëshmojë Haradinaj. Pak orë pasi hyri në zyrën e kryeministrit, ai e shkarkoi komisionin e drejtuar nga Murat Meha. Mediat njoftuan se këtë e bëri jashtëligjshëm. Ministri i Drejtësisë në emër të presidentit Hashim Thaçi e pyeti nëse për këtë vendim ishte konsultuar me Malin e Zi. Menjëherë pasoi reagimi nervoz i shërbëtorëve të Haradinajt, të cilët thanë se kryeministri i ri shkarkoi një komision të Kosovës dhe jo një të Malit të Zi. A nuk duhej të merrej Kuvendi me këtë komision? Kush e pyet Kuvendin!

Por, problemi është këtu, ekzistues, i pamohueshëm. Andaj edhe nervozizmi i Haradinajt sa herë që e pyesin për demarkacionin. Pa marrë parasysh se çka ka thënë sot a dje Ambasada amerikane, opinioni i Kosovës e di se Departamenti i Shtetit në Washington ka nënvizuar se vija kufitare është caktuar në mënyrë të rregullt. Vështirë të merret me mend se Ambasada mban qëndrim tjetër nga eprorët në SHBA. Por, ndoshta kanë ndryshuar rrethanat edhe në Washington, ndoshta mendimi i Departamentit të Shtetit ka qenë i «blerë» nga John Podesta, që merrte para nga Prishtina për të lobuar për Partinë Demokratike të Kosovës në kryeqytetin amerikan. Kjo mbetet të shihet.

Evidente është se vetëm dy ditë pasi zaptoi zyrën e kryeministrit ka shpërthyer një konflikt i pritur: mes Ramush Haradinajt dhe Hashim Thaçit. Nga Washingtoni presidenti, në stilin e tij të ngacmimeve, i ka dërguar këtë porosi Haradinajt: «Çështja e Demarkacionit nuk është më çështje ndërshtetërore Kosovë–Mali i Zi, më tepër është çështje e vetë kosovarëve, që duhet të marrin vendimin  e tyre në parlament». Fundja, ka qenë Thaçi që i thoshte Haradinajt se po bën potere nëpër Prishtinë për disa livadhe të tij në kufi me Malin e Zi. Këtë, natyrisht, Haradinaj e mohonte me rreptësi.

Tash i mbetet Haradinajt ta çojë kufirin në Çakor dhe në Kullë të Zhlepit. Për këtë duhet të merret vesh me Malin e Zi, i cili ndërkohë është bërë anëtar i NATO-s dhe krerët e tij nuk po tregojnë fare vullnet për të diskutuar për këtë punë. Po thonë se çështja e demarkacionit i përket vetëm Kosovës. Bash ashtu siç po thotë edhe Thaçi. Nëse Haradinaj nuk arrin ta bind opinionin se ka pasur të drejtë, atëherë duhet t’i kërkojë falje opinionit dhe të dorëzojë postin e kryeministrit. Sepse, mes tjerash, edhe me premtimin se «unë do ta çojë kufirin në Çakor» e grabiti postin e kryeministrit.

Por, vështirë të pritet dorëheqje nga një politikan i papërgjegjshëm, popullist, arrogant, pa parime dhe pa dije elementare për qeverisje. Gjasat janë të mëdha që kabineti Haradinaj do të përpiqet që çështjen e demarkacionit ta kontrabandojë disi, pa ndonjë ndryshim esencial. Sepse kjo qeveri ka prioritete të tjera. Për shembull: avancimin në poste këshilltarësh të figurave të lidhura ngushtë me krimin e organizuar. Të figurave të dyshuara për shpëlarje parash. Të njerëzve që e kanë vendin në burg.

Duke e ditur etjen e pafrenueshme të Haradinajt për pushtet, është për t’u frikësuar se ai do të jetë në gjendje të bëjë lloj-lloj kompromisesh me këdo vetëm për të qëndruar në zyrën e kryeministrit. Vëzhguesve të vëmendshëm u kujtohet se pasi ishte zgjedhur kryeministër në vitin 2004, Haradinaj i pati thënë një gazete të Vjenës se edhe shqiptarët duhet t’u kërkojnë falje serbëve. Po, edhe shqiptarët kanë kryer krime, por këtu sikur ngatërrohet agresori me viktimën. I takon së pari agresorit të kërkojë falje, të paguajë për dëmin, të kujdeset në edukimin e shoqërisë që krime të tilla të mos ndodhin më dhe këtë t’ia përkujtojë asaj shoqërie vazhdimisht. Pastaj i vjen radha viktimës të marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.

Por, te ne politikanët shpesh nuk flasin në interes të popullit, por me pritje se a do t’i bëhet qejfi ndonjë diplomati me retorikën e mërzitshme të «pajtimit» me Serbinë, e cila – në të vërtetë – nuk ka të bëjë asgjë me pajtim, por vetëm me menaxhim të status kuosë. Mund ta paramendojmë atmosferën në kabinetin Haradinaj tani: duke vrapuar si Usain Bolt për t’i rehatuar «mashqit». Janë të uritur. Duken si kope e ujqve. Dikur e gllabëronin Ferronikelin. Tash kë do gllabërojnë? Kjo është frikësuese. Kosovën! Askënd tjetër.

Ndërkohë përpiqen të mashtrojnë opinionin me një urim të Angela Merkelit. Po, erdhi një urim nga Berlini, me një gjuhë të thatë, pa asnjë shënim personal për kryeministrin dhe vetëm me kërkesa të qarta për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit dhe krimit të organizuar, zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, vazhdimin e dialogut me Serbinë. Në urimin dërguar kryeministres serbe më 4 korrik Merkel theksonte se «do të gëzohesha po të kisha rastin t’ju përshëndesja në Berlin». Një dëshirë të tillë në rastin e Haradinajt kancelarja gjermane nuk e ka.