Mblidhet Kryesia e Kuvendit – pritet vendimi për seancën e së enjtes

Derisa tensionet kanë arritur në pikën më kritike, Kryesia e Kuvendit të Kosovës qysh javën e kaluar ka thirrur seancën për këtë të enjte.




Por për modalitetet e mbajtjes së saj, Kryesia është mbledhur sot, e mërkurë, në orën 11:00.

«Koha Ditore» sot ka shkruar se edhe pse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli disa herë ka ripërsëritur se nuk do të autorizojë futjen e sigurimit në sallë, gazeta merr vesh së në mbledhjen e sotme të Kryesisë do të diskutohet se si të veprohet në kuadër të autorizimeve që i ka kryetari i Kuvendit.

«Varësisht prej qëndrimeve të anëtarëve të tjerë të Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare do të merret një vendim në lidhje me seancën e së enjtes», ka thënë një burim i gazetës brenda Kuvendit.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë partnerë i PDK-së në koalicion, disa herë i kanë kërkuar kryetarit Veseli që të veprojë sipas Rregullores së Kuvendit. Kjo rregullore, mes tjerash, parasheh edhe futjen e sigurimit në sallë për të siguruar mbarëvajtje të punës.