Mbledhja e madhe e qeverisë do të mbahet ose në një livadh ose në xhaminë e re me 1001 kupola

Mbi poshtërimin e popullit nga politikanët e Kosovës – dhe mbi dëshirën e popullit për t’u poshtëruar.




Ka ngjarë diçka e paparë sot në Kosovë. E paparë! Më në fund, pasi është kërkuar me ditë të tëra, në njërën nga ndërtesat e shtetit është gjetur një sallë e madhe – aq e madhe, saqë në të zunë vend pothuaj të gjithë zëvendësministrat. Një zëvendësministër u ankua se nuk e kishin ftuar, por ndodhin këto gjëra. Ai që i ka emëruar zëvendësministrat nuk është aq i zoti në matematikë – shpesh i ndodhin ngatërrime në numërim, përveçse kur ia dyfishon vetes rrogën. Një zëvendësministër u harrua, por u ftuan 70 apo 71 të tjerë, kushedi sa janë. E di vetëm kurrizi i taksapaguesit kosovar.

Sot zëvendësministrat morën një detyrë: pas 100 ditësh duhet të dorëzojnë një raport për punët që kanë kryer. Do të jetë mahnitëse të lexojmë prozën e zëvendësministrave. Deri atëherë do të jenë të ngarkuar me gjetjen dhe rregullimin e zyrave, me blerjen e kolltukëve, tavolinave të punës dhe divaneve, me porositjen e telefonave të rinj e të mençur, në mënyrë që kur të dalin jashtë shtetit nga malli e mërzia të kenë mundësi të shkruajnë poezi për «nanën Kosovë», «nanën Shipni» – disa – qe besa – edhe «nanën Serbi».

Pas 200 ditësh në post shefi i qeverisë, i kopallave dhe i kravatave do të mbajë sërish një mbledhje – me ministra e zëvendësministra, me këshilltarë e protokollmbajtës, truproje e shoferë. Atëherë nuk do të gjendet sallë që do t’i zë këta burra (dhe ato pak gra) të qeverisë. Na duhet një livadh i madh. Qeveria do të shënojë 200-ditëshin e saj në ditët e para të pranverës, atëherë natyra merr veten, lulet lulëzojnë e përrenjtë gurgullojnë dhe ministrat e zëvendësministrat kanë për çka të raportojnë.

Kushedi, deri në pranverë ndodh ndonjë mrekulli. Mbledhja e përbashkët e ministrave dhe zëvendësministrave mund të mbahet në xhaminë e 1001 kupolave, sepse ne jemi vend i 1001 netëve, i shumë Ali Babave dhe hajdutëve, i kusarëve me alltia po se po. Deri atëherë muratori i marrëzive mund të ndërtojë një xhami – me 1001 çezme për të marrë abdes, me 1001 kupola, me 1001 minare, me 1001 shkallë prej graniti, me 1001 hareme, me 1001 flamuj jeshilë, 1001 palë nallane, 1001 minbere, ku do të mbahen 1001 hytbe për ministrat e zëvendësministrat tanë. Pas mbledhjes batalioni i ministrave dhe zëvendësministrave do të shkojë në Katedralen e re të Prishtinës, pastaj me urdhër të shefit të kopallave do të kositet bari rreth e rrotull kishës së Sllobodan Millosheviqit dhe për të lartësuar frymën e tolerancës do të kërkohet që qeveria e Kosovës të vizitojë edhe Tyrben e Sulltan Muratit, mandej të përcjellë nga afër gërmimet e reja të qymyrit rreth e rrotull Obiliqit dhe kur të kthehen në kryeqytet pasdite vonë secili nga ministrat e zëvendësministrat do të pajiset me nga një flamur të komunitetit LGBT. Sepse kështu ka qejf Europa, tolerant jemi ne, vetëm në kuletë mos të na prekin.

Nuk ka ndodhur në historinë më të re të Kosovës që një qeveri brenda 100 ditësh të ofrojë aq shumë material, fakte, marrëzi e poshtërsi, saqë çdo ditë do të mund të shkruhej nga një pjesë teatrale. Çfarë po përjetojmë është tallje me një popull. Është poshtërim i përditshëm i një populli. Por – dhe këtë duhet pranuar – ky popull edhe ka dëshirë të poshtërohet siç ka qejf të ëndërrojë për jetë më të mirë, për lëvizje pa viza, për pushime në det, për nja dhjetë qofte e ndonjë birrë, për një rrogë që të mundëson të jetosh një jetë me dinjitet. Shumë dëshira ka ky popull. Por më së shumti ka dëshirë që krejt spektaklin politik, krejt cirkun e neveritshëm ta përcjellë në televizion – gjithnjë duke komentuar në stilin: «E, po mirë ia bani», «E, po mirë ia ktheu». Që tani kanë filluar përgatitjet nëpër shtëpitë kosovare për të përcjellë mbledhjen e qeverisë pas 200 ditësh. Shënojeni këtë datë: mbledhja do të mbahet më 1 prill.