Mbledhja e dy qeverive ua mbyll lexuesve dyert e Bibliotekës

Prishtinë, 2 qershor - Adrian Hulaj ka edhe dy provime që të kryejë studimet bazë në Fakultetin Ekonomik. Në ditën e nëntë të këtij muaji do t’i nënshtrohet një provimi.

Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës në Prishtinë.



Në mëngjesin e së mërkurës studentit që ka zgjedhur të bëhet menaxher i marketingut nuk i është hapur dera e bibliotekës kombëtare «Pjetër Bogdani». Njëjtë ka ngjarë me të gjithë lexuesit e tjerë të këtij institucioni.

Sherri i mbajtjes së mbledhjeve të Qeverisë së Kosovës dhe të asaj të Shqipërisë, «Pjetër Bogdani» është vënë në shërbim të politikës, duke lënë anash punën e përditshme. E politikës tash i ka «rënë ndër mend» se duhet të investojë në oborrin e institucionit më të lartë bibliotekar në vend ku ruhen mbi dy milionë ekzemplarësh librash, gazetash, dokumentesh, revistash e materialesh të tjera. Mbledhja do të mbahet të premten por që nga e mërkura «Pjetër Bogdani» i ka mbyllur dyert për lexues.

Sokol Havolli, shef i Kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se objekti i BKK-së është përzgjedhur për disa arsye.
«Për shkak se është ndërtesë reprezentative. Është ndërtesë që i plotëson kushtet për mbajtjen e mbledhjes dhe aspekti që mbledhja të mbahet në një ndërtesë publike», ka thënë Havolli. Ai ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me mbylljen e «Pjetër Bogdanit» për lexuesit.