Mbishkrimi osman prek historinë e Kalasë së Lezhës

Mbishkrimi i Periudhës Osmane i rivendosur të martën në Kalanë e Lezhës në Shqipëri ka bërë goxha bujë. Pllaka e vendosur në ballë të monumentit të antikitetit, pikërisht mbi portën hyrëse shpjegon se rindërtimi i këtij objekti është bërë në mesjetë nga Sulltan Sylejmani, i cili asokohe udhëhiqte me Perandorinë.




«Sulltan Sulejmani e ka rikonstruktuar këtë Kështjellë të bekuar. Zoti e përjetësoftë mbretërimin e tij dhe i dhëntë jetë të gjatë. Me ndihmën e Dervish Muhamedit, i biri i Uzgur. Kryelarta, Kështjellë e fortë e Sulejmanit. Viti 928 ose me kalendarin Gregorian, viti 1522», është mbishkrimi i pllakës, shkruan sot «Koha Ditore».

Sipas raportimeve të medieve shqiptare, mbishkrimi ishte zbuluar në vitet ’70 nga njëri nga arkeologët e parë shqiptar, Frano Prendi, dhe prej kohës së gjetjes e deri tash pllaka ruhej në Muzeun Etnografik të qytetit të Lezhës.

Ndër ata që kanë reaguar kundër rikthimit të saj ka qenë edhe arkeologia Etleva Nallbani, e cila ka vite që është e angazhuar në gërmimet arkeologjike në këtë monument. Nallbani ka pyetur rreth vendosjes së këtij mbishkrimi mbi portën e Kalasë dhe ka thënë se objekti është duke u dëmtuar nga ata që po bëjnë ndërtime pa leje në Kala

«Del sikur i jepet rëndësi fazës osmane duke anashkaluar periudhat më të hershme, si ajo e shekullit III, bizantinia e hershme dhe madje dhe veneciania. Nëse duam ta mbajmë përpikmërisht siç ka qenë, duhet vënë guri mbi portë. Por lind pyetja, siç ka qenë kur? Pra, pse vendosim të kthehemi pas në histori dhe të marrim si pikë referimi depozitimin e mbishkrimit në Muze?», citohet të ketë thënë Nallbani. Sipas saj, nëse Kalaja trajtohet si monument kulturor dhe historik ajo bart histori edhe në vitet e largimit të pllakës.

«Ndërsa si qëndrim ndaj një monumenti në rivlerësimin e tij, po ekziston dhe zgjidhja e paraqitjes së gurit gjetiu, në krah të monumentit apo në Muze. Nëse do t’i qëndronim parimit, aty ka qenë, aty të kthehet, atëherë duhet të linim gurin e Gaviarit mes gurëve të tjerë të portës së Gaviarit e të mos e prezantonim më vete», citohet të ketë thënë Nallbani.

Kalaja e Lezhës gjendet në majë kodrës në 186 metra lartësi mbidetare, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Sipas një përshkrimi që i bëhet asaj në guida turistike, objektet më interesante për t’u vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Objekti dëshmon për gjurmët e një qytetërimi të lashtë parahistorik qysh në shekullin IV para erës sonë.