Mbi përdorimin e fuqisë së butë në politikën e jashtme kosovare

Një shënim për librin «Ngritja e një shteti» të dr. Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës.

Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës dhe autor i librit «Ngritja e një shteti».

Krahas rikthimit në postin e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj promovoi së fundi librin e tij «Ngritja e një shteti», i cili merret me aspektet e politikës së jashtme të Kosovës që nga ndërkombëtarizimi si çështje e pazgjidhur politike në vitet ‘90 deri te shpallja e pavarësisë më 2008 dhe më pas. I mirëpritur nga lexuesit edhe në panairin e fundit të librit në Prishtinë, libri analizon aspektet praktike të sjelljes së Kosovës në politikën e jashtme, raportet brenda dhe jashtë, si dhe merr në konsideratë një kornizë intelektuale dhe akademike në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Hoxhaj në libër i kushton një kapitull të veçantë aspekteve teorike si «Politika e jashtme, lojë në dy nivele», koncept i ofruar nga Robert D. Putnam, sipas të cilit, dimensioni vendës dhe ai i jashtëm janë të ndërlidhur dhe me shumë ndikim në njëri-tjetrin. «Kërkohet shpesh një konsensus apo pajtueshmëri mes sjelljeve të brendshme dhe atyre të jashtme në politikën e jashtme të një vendi. Në të kundërtën, ato reflektojnë drejtpërdrejt në sjelljen ndërkombëtare. Një zhvillim negativ brenda, domosdoshmërisht përcillet me pasoja edhe jashtë», shkruan Hoxhaj, për të përmendur një mori shembujsh konkret të viteve të fundit në Kosovë, që nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kriza politike në Kosovë në vitin 2010, pastaj kriza e pas zgjedhjeve në vitin 2014 e deri tek kjo e fundit me përdorimin e gazit në seancat e Kuvendit.

Një aspekt tjetër, që Hoxhaj e trajton gjatë në libër, është raporti i Kosovës si shtet i vogël me botën e jashtme, sjelljen në një rend botëror gjithnjë e më të ndërvarur dhe përdorimin e fuqisë së butë si kompensim i mungesës së fuqisë së fortë sikurse ushtria, fuqia ekonomike apo gjeografia e madhe. Autori trajton gjatë konceptet e fundit akademike dhe praktike se si shtete të caktuara në botë janë përpjekur ta ushtrojnë këtë koncept të ri të diplomacisë, i sjellë së fundit nga strategu amerikan Joseph Nye. Duke iu referuar Kosovës, Hoxhaj shkruan se «shtetet e vogla, pos nevojës së mirëpërdorimit të instrumenteve të fuqisë së butë, në mënyrë që të mbijetojnë dhe ngrihen vazhdimisht në rrafshin ndërkombëtar, duhet të jenë në një raport të veçantë me një superfuqi», duke iu referuar marrëdhënies së Kosovës me SHBA-të.

Në mesin e shumë temave që trajtohen në libër, ka edhe momente të përvojës personale që Hoxhaj i përshkruan edhe pse libri nuk është një autobiografi e tij, siç e shpjegon autori në parathënie. Madje ka momente, ku Hoxhaj i qëndron besnik gjykimit të lirë intelektual të tij kur pranon ndikimin «pozitiv» në formë presioni që shpesh miqtë ndërkombëtarë kanë ushtruar ndaj Kosovës. «Përveç kontekstit vendës, Kosova është dashur po ashtu të jetë e përgjegjshme në këtë proces edhe para partnerëve amerikanë dhe evropianë. Këta të fundit, në momente më kritike, kanë bërë presion të madh. Ata janë kërcënuar se nuk do ta mbështetin vendin në të ardhmen euro-atlantike dhe integrimin e tij në sistemin ndërkombëtar», shkruan Hoxhaj.

Ai përshkruan marrëdhënie të caktuara me politikanë të Kosovës, ndërkombëtarë dhe veçmas ata serb si Alaksandar Vuçiq e Ivisa Daçiq, me të cilët ironizon për mënyrën e sjelljes politike sot e që në fakt janë relikte të së kaluarës të Slobodan Millosheviqit. Hoxhaj në librin «Ngritja e një shteti» analizon gjatë edhe marrëdhëniet e vështira me Serbinë, siç i përshkruan aty dhe kërcënimet e Kosovës siç janë ISIS, Rusia dhe ndikimi në Ballkan apo tendencat ndonjëherë të pakuptueshme neo-otomane në Kosovë dhe rajon. Njëra nga temat e tij të preferuara, tashmë të formësuar për shumë vite edhe në publik, është islami politik që Hoxhaj e refuzon dhe e kundërshton si të tillë dhe me mundësi rreziku të imponimit të sjelljes së shoqërisë Kosovës që historikisht ka qenë tradicionale në besimin ndaj fesë.

Pjesa e fundit e librit, dhe jo më pak e rëndësishme, është rezervuar për mendimin strategjik që duhet ta ketë Kosova në sjelljen e saj në vitet e ardhshme. Diçka që Hoxhaj e përshkruan si të nevojshme dhe e ndanë në tri rrathë. «Të gjitha këto janë trajtuar në detaje deri më tani, qoftë si domosdoshmëri bazike të vendit, qoftë si projektim i së ardhmes nëpërmes simbolikës së rrathëve gjeometrikë – Evropa Juglindore, sfera euro-atlantike dhe OKB, duke i shërbyer idesë kryesore të librit për krijimin e një mendimi strategjik», shkruan Hoxhaj. Kjo pjesë analizon në detaje sjelljen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme që do të duhej të përmbyllej me anëtarësimin në OKB dhe hyrjen e plotë në sistemin ndërkombëtar. (dialogplus.ch)