Mbi 60 për qind e personave nuk i paguajnë dënimet e udhëtimit me tren në të zezë

Abuzuesit nuk i paguajnë gjobat. Kështu SBB humb në vit shuma që kapin vlera milionëshe dyshifrore.

Foto: Winds / Shutterstock.com

Sado e pakëndshme të duket, njerëzit që udhëtojnë në të zezë me tren nuk janë të rrallë. Dhe, kush zihet pa biletë, duhet të paguajë. Por mu këtu qëndron edhe problemi, sepse gjobat nuk po paguhen dhe SBB nuk mund të ndërmarrë asgjë ndaj refuzuesve të gjobave.

Më 2015 kontrollorët e SBB-së kishin zënë rreth gjysmë milioni udhëtarësh në të zezë. Ndër këta ka edhe raste kur personat e kishin harruar abonamentin e tyre ta merrnin me vete. Gjithsesi 80 për qind e 460’000 të kontrolluarve, përkatësisht të zënëve në të zezë, ishin gjetur me me një biletë të pavlefshme apo fare pa biletë. Dhe në raste të tilla, varësisht nga lloji i trenit atyre iu pritet një gjobë prej 70 deri 90 frangave.

Këtyre gjobave iu janë përgjigjur vetëm pak nga këta persona. Më 2015 këto dënime i kishte paguar vetëm çdo i treti, kurse më 2013 atyre iu ishin përgjigjur vetëm 25 për qind e të gjobiturve. Gazeta «Sonntagszeitung» transmeton që më 2015 janë 300’000 gjoba të pashlyera. Kjo i bie një shumë milionëse dyshifrore. E keqja është se për këtë dëm në fund penalizohen udhëtarët e tjerë…

Gazeta sjell shembullin e një udhëtari që kontrollorët në segmentin Luzern-Olten e kanë zënë 17 herë duke udhëtuar në të zezë. Vlera e gjobës që duhet të lajë ky person shkon në 4’300 franga zvicerane. Sepse, në raste përsëritjesh vjen një dënim shkallor më i lartë.

Nëse nuk e paguan gjobën, ngjarjet zhvillohen kështu: Në fillim vjen një paralajmërim në shtëpi; më pas rasti i kalon përmbarimit. Në shumicën e rasteve janë persona prej të cilëve nuk mund të nxjerrësh gjë, sepse janë të varfër… Në fund personat që udhëtojnë në të zezë rrezikojnë burgun. ks